Ambasadori Hovenier: Vështirë të them se çka presim, ShBA mbështet planin tre-pikësh të BE-së
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka folur sërish pas një kohe pauzimi në lidhje me atë që duhet të bëjë kryeministri i Kosovës për ta deeskaluar situatën në veri të Kosovës.
Për RTV21, ambasadori i ShBA-ve ka deklaruar se Kurti duhet ta pranojë propozimin tre-pikësh të Bashkimit Evropian për të deeskaluar situatën në pjesën veriore të Kosovës.
“Është vështirë të them se çfarë presim, shpresa është që të gjejmë një rrugë për përparim.” - tha z. Hovenier fillimisht.
Ai u shpreh se BE-ja me ShBA-në kishin qenë të qarta në mbështetjen e planit tre-pikësh për deeskalimin e situatës në veri të Kosovës, që parashihte zgjedhje të reja të parakohshme në veri ku do të merrnin pjesë edhe serbët dhe të vazhdohej implementimi i plotë nga Kosova e Serbia për marrëveshjen e arritur.
“Shpresa jonë është që kështu të dalim nga kjo situatë,” – u shpreh ai.
Këto fjalë z. Hovenier i tha pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin.
“Ai (Albin Kurti) është kryeministër nga zgjedhje demokratike të vendit, dhe ai ka përgjegjësi në atë drejtim. ShBA-ja, BE-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët tanë në NATO dhe shumë të tjerë i kanë shprehur Kurtit pritjet tona se si ai do e menaxhojë situatën në veri. Siç e përmenda, ne të gjithë po e mbështesim planin tre-pikësh të BE-së dhe shpresa jonë është që ai ta pranojë këtë dhe të veprojë në mënyrën e duhur,” – theksoi tutje ambasadori.
Kurti ka udhëtuar mesditen e sotme për në Bruksel ku pritet të takohet me ndërmjetësuesit e BE-së. Megjithatë, nuk dihet nëse do të ketë një takim edhe me presidentin serb Aleksandër Vuçiq.
