Ambasadorët ia ‘zunë’ derën Osmanit, kërkojnë konstituimin e Kuvendit sipas Kushtetutës - NACIONALE

Ambasadorët ia ‘zunë’ derën Osmanit, kërkojnë konstituimin e Kuvendit sipas Kushtetutës

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Veç ditën e djeshme, dy ambasadorë të vendeve të rëndësishme në Kosovë, ‘zbarkuan’ në Presidencë.

Ambasadori i Gjermanisë dhe ai i Britanisë së Madhe u takuan me presidenten Vjosa Osmani, për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit politike.

Ishte ambasadori britanik Hargreaves që drejtpërdrejt bëri të ditur se sipas tij, deri më tash, Kuvendi nuk është konstituuar. Pavarësisht se një gjë të tillë e bëri të kryer Dimal Basha.

Hargreaves tha se i ka kërkuar Osmanit që Kuvendit të konstituohet sipas Kushtetutës.

“Ishte kënaqësi të takoja Presidenten Osmani sot. Biseduam për partneritetin e ngushtë mes Kosovës dhe Britanisë, dhe diskutuam nevojën urgjente për hapat e mëtejshëm për formimin e Kuvendit në përputhje me kushtetutën e Kosovës. Gjithashtu ramë dakord për shpresat tona për zgjedhjet lokale që përfaqësojnë zërat dhe shpresat e të gjitha komuniteteve në Kosovë, si dhe për angazhimin e vazhdueshëm të Kosovës ndaj demokracisë shumëetnike”, tha ambasadori britanik.

Megjithatë, ajo që nuk dihet është se cili do të jetë interpretimi i shumëpritur i zyrës ligjore të presidentes. A do t’ia jap mandatin Vetëvendosjes apo jo, pra a e llogaritin Kuvendin e konstituuar.

Në komunikatën e presidencës për këtë takim u tha se Osmani shprehi zotim për respektim të të gjitha dispozitave.

“Gjatë takimit, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës. Ajo ritheksoi përkushtimin për avancimin e partneritetit strategjik mes dy shteteve, me synim forcimin e marrëdhënieve dhe përmbushjen e aspiratave të përbashkëta, veçanërisht në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe bashkëpunimit ekonomik. Në kuadër të diskutimeve, u diskutua edhe procesi i konstituimit të institucioneve si rezultat i zgjedhjeve të 9 shkurtit. Me këtë rast, Presidentja Osmani riafirmoi se veprimet e saj do të jenë gjithmonë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet, duke siguruar stabilitet institucional dhe respektimin e vullnetit qytetar”, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Po ditën e djeshme, Presidenca njoftoi edhe për takimin me ambasadorin gjerman, Jorn Rohde. Këtij të fundit, Osmani iu zotua se do ta respektojë Kushtetutën e Kosovës.

“Ndër të tjera, u diskutua për procesin e konstituimit të institucioneve si rezultat i zgjedhjeve të 9 shkurtit. Presidentja ka riafirmuar se sikurse gjithmonë, do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, duke garantuar stabilitetin institucional dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës. Në takim, Presidentja Osmani vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me Gjermaninë dhe partneritetin e palëkundur ndërmjet dy shteteve, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve të përbashkëta për ta thelluar këtë partneritet dhe për të mbështetur rrugëtimin euroatlantik të Kosovës”, thuhet në komunikatën e presidencës.

Në anën tjetër, Vetëvendosja ka bërë të ditur se së shpejti do të mbajë mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, dhe do të vendosin për emrin e mandatarit që më pas do t’ia dërgojnë presidentes.

Lajme të ngjashme