Ambasada e ShBA-së në Prishtinë: Të shtyhet vendimi për targa e serbët t'u rikthehen institucioneve - NACIONALE

Ambasada e ShBA-së në Prishtinë: Të shtyhet vendimi për targa e serbët t'u rikthehen institucioneve

1 vit më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Ka ardhur më në fund edhe reagimi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas zhvillimeve në veri të vendit.

Një zyrtar i kësaj ambasade në një përgjigje dhënë Reporteri.net ka ftuar të dyja palët që t'i kthehen normalitetit.

Kërkesa për autoritetet kosovare është që të shtyhet vendimi për targat, kurse për serbët që t'u rikthehen institucioneve.

“Në të njëjtën kohë, ne përsëri i bashkohemi BE-së për t’i kërkuar autoriteteve kosovare që të respektojnë detyrimet e tyre pa ndonjë vonesë. Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të ri-regjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM,derisa të zgjidhet çështja e targave nga palët në kuadër të dialogut”, thuhet ndër të tjerash në përgjigje sa u përket targave.

Ndërkaq, lidhur me kthimin e serbëve në pozitat paraprake, ky zyrtar i ambasadës së ShBA-së ka thënë se pajtohen me Bashkimin Evropian, pra serbët t'i respektojnë detyrimet e tyre nga procesi i dialogut.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës pajtohen me Bashkimin Evropian se zhvillimet e fundit rreth marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë shqetësuese dhe e vënë në rrezik progresin e rëndësishëm të arritur në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Të gjithë të përfshirët duhet të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet, për të siguruar paqen dhe stabilitetin në terren. Veprimet dhe retorikat që rrisin mundësinë e dhunës vënë në rrezik të panevojshëm jetën e të pafajshmëve dhe të forcave paqeruajtëse ndërkombëtare në terren.

Prandaj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bashkohen BE-së duke u bërë thirrje përfaqësuesve të Serbisë dhe serbëve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre nga procesi i dialogut dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale”, thuhet në përgjigje.

Hill

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill ndërkaq, kishte folur më herët rreth kësaj çështjeje, pra pak orë më parë.

Në një paraqitje për N1, ai ftoi serbët e Kosovës që të rikthehen në institucione, ndërsa autoriteteve kosovare u ka bërë thirrje që të fillojnë negociatat për themelimin e Asociacionit.

“Tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mosmarrëveshjet aktuale. Veç kësaj ka potencial për të përshkallëzuar më tej tensionet. Andaj, Shtetet e Bashkuara i bashkohen BE-së duke ftuar përfaqësuesit serbë që të respektojnë angazhimet e tyre nga dialogu dhe t’u kthehen detyrave të tyre në institucionet e Kosovës, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale".

Qeveria

Në anën tjetër, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sonte në mbrëmje thirri një mbledhje të ekzekutivit.

Përmes një komunikate për media u bë e ditur se në mbledhjen gjegjëse u diskutua situata momentale në veri të vendit.

Sipas të njëjtit njoftim, Kurti ka pohuar se ligjshmëria dhe kushtetutshmëria e Republikës nuk mund të komprometohen.

Kryeministri Kurti u shpreh se ligjshmëria dhe kushtetutshmëria e Republikës nuk mund të komprometohen, ndërkaq që dialogu dhe institucionet nuk kanë alternativë. Ai përsëriti thirrjen që mos të bojkotohen ose braktisen institucionet e Kosovës, të cilat i shërbejnë çdonjërit pa dallim”, thuhet në njoftim.

Lajme të ngjashme