“Skenari është në dorë të politikës” – ekspertët e sigurisë flasin për gjendjen në veri
Lidhur me situatën e fundit të krijuar në veri të vendit, ekspertët e sigurisë vlerësojnë se duhet menaxhim i kujdesshëm i situatës pasi që situata nuk duhet të dalë nga kontrolli me partnerin strategjik Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka thënë për gazetën Blic se është në dorën e qeverisë që ta menaxhojë gjendjen atje.
“Skenari është në dorën e politikës me të cilën duhet qeveria e Kosovës të menaxhojë duke rikthyer mendjen në veprim dhe harmonizim dhe situata mos t’i dalë nga kontrolli me partnerin strategjik SHBA”, thotë ai.
Shala mendon se shkuarja në veri e KFOR-it dhe EULEX-it është fuqizim i rezolutës 1244.
“Një dështim i Policisë në veri dhe shkuarja e EULEX-it dhe KFOR-it, de-fakto kemi një fuqizim të 1244 në atë pjesë dhe autoriteti i institucioneve të eliminohet në situatën para 2008 në atë pjesë”, thekson eksperti i sigurisë.
Sipas tij, nëse Kurti di ta menaxhojë situatën, veprimet tjera nuk kanë efekt të gjerë dhe janë çështje teknike.
“Por, në rast se Kryeministri di ta menaxhojë situatën, atëherë këto veprime tjera janë teknike, procedurale por pa efekt të gjerë”, deklaron ai për Gazeta Blic.
E studiuesi i sigurisë, Armend Halimi, deklaroi se pjesa veriore e vendit ka qenë vazhdimisht e sfiduar, që sipas tij është tolerim i faktorit vendor dhe atij ndërkombëtar, teksa shton se serbët e angazhuar në institucionet e Kosovës kanë shërbyer në të njëjtën kohë edhe për Serbinë.
“Veriu i vendit është i sfiduar vazhdimisht, prej se kanë toleruar këtë gjendje faktori vendimmarrës vendor dhe ai ndërkombëtar. Andaj, nëse ia shtojmë edhe faktin se personat serbë të angazhuar në institucionet tona, realisht kanë qenë paralelisht edhe në shërbim të shtetit serb, nuk e bën gjendjen në atë pjesë më të dramatizuar, ngase në cilëndo rrethanë i kanë shërbyer Serbisë”, thotë Halimi.
Ai thekson se në veri janë persona ose grupe kriminale që kanë interes kriminal për të zhvilluar veprimtarinë e tyre pa u penguar por që qytetarët serbë në veri janë lodhur nga shantazhi i Serbisë.
“E mira është që flasim për persona, eventualisht grupe kriminale që jo se ju dhemb aspekti politik, por interesi kriminal, por se është në interes edhe qasja e Serbisë, ngase iu krijon lehtësira për operim kriminal të papenguar, në anën tjetër këta persona apo grupe si kompensim ndaj shtetit serb, mund të kryejnë edhe sulme sporadike, por assesi nuk flasim për qytetarë serbë, të cilët janë të lodhur nga shantazhi i Serbisë dhe njerëzve të saj”, vlerëson ai.