“Alo mirëdita”: Kur Kurti i shkroi 769 germa krejt trillim për ‘telefonatën e Glauk Konjufcës me Zanën’
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka aftësi të rralla për trill e fantazi. Kjo na ilustrohet mjaft mirë edhe përmes postimit të bërë para gati katër vitesh, kur e kishte sajuar një rrëfim të tërë me një telefonatë që gjoja i kishte ardhur Glauk Konjufcës.
Janë plot 171 fjalë dhe 769 germa që i dedikohen fantazisë dhe vetëm fantazisë. Kryeministri Kurti e sajon një telefonatë mes një gruaje të quajtur Zana e që gjoja punonte në Prokurorinë e Shtetit dhe Glauk Konjufcës, asokohe deputet.
Se e gjitha ishte fantazi, Kurti e thoshte krejtësisht në fund të postimit përmes këtyre fjalëve:
“Thjesht dhe qartë. Vetëm sikur të ishte edhe e vërtetë.”
Alo mirëdita!
Kurti dhe Konjufca kishin bërë kallëzim penal ndaj Hashim Thaçit e Kadri Veselit për deklarimet e tyre për “Syrin e Popullit”. Thaçi e Veseli kishin pretenduar se Kurti e Konjufca kishin qenë pjesë e organizatës së lartpërmendur. Pjesë e kësaj organizate që raportohet se synonte të eliminonte figura politike e publike – e ku nisi me tentim-vrasjen e Azem Vllasit – thuhej se ishte edhe Sadri Ramabaja.
E Kurti përmes ‘telefonatës’ së shpikur sulmonte Prokurorinë, që edhe pas tre muajsh nuk e kishin thirrur atë apo Konjufcën për një bisedë në lidhje me kallëzimin penal që kishin bërë. Pra, në atë formë do të duhej të vepronte Prokuroria.
Por, pse po e sajonte një telefonatë të ‘Zanës’ me Konjufcën dhe jo me veten e tij, që e njihte më mirë? Nuk ka shpjegim!
“Ka tre muaj që pres këtë thirrje. Sigurisht që do të vij. Bëhet fjalë për Kallëzimin tonë Penal ndaj Presidentit dhe Kryeparlamentarit, që kanë gënjyer dhe shpifur nën betim në gjykimin kundër të ashtuquajturit "Syri i Popullit", apo jo?
- Po, ashtu keni thënë në Kallëzim Penal.
- Aty do të jem. Ju falemnderit. A e keni ftuar edhe Albin Kurtin?
- Po, porsa mbarova bisedën me të. Edhe ai do të vijë.” - sajonte mes tjerash kryeministri aktual i vendit.
Nuk dihet deri tash se çka ka ndodhur me kallëzimin penal të Konjufcës e Kurtit ndaj Thaçit e Veselit. Megjithatë, dihet se dy të fundit aktualisht po përballen me akuza për krime lufte e krime kundër njerëzimit në Hagë.
