Syzet e Popullit: Kush është njeriu i ditëlindjes, Sadri Ramabaja?
Mes shumë anëtarëve të Vetëvendosjes, një prej tyre po merr vëmendjen më shumë. Është fjala për Sadri Ramabajën. Ai sot feston ditëlindjen, dhe për shkak të kontributit të madh në sferën publike meriton një urim edhe nga redaksia e Nacionales. Kush është në të vërtetë Ramabaja?
Dje, Ramabaja bëri bujë të madhe duke u larguar nga studioja televizive në T7 pasi u përlesh me aktivistin Nol Nushi.
Kur fillimisht na u prezantua në ekranet televizive, Ramabaja dukej si një shenjë e fortë se makina kohore (ang. time machine) mund të ekzistonte. Ai dukej sikur kishte zbritur direkt nga forumet e Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK) që mbaheshin në fund të viteve ’80 apo fillim të viteve ’90.
Për dallim prej shumë të tjerëve, Ramabaja si duket kishte luajtur e riluajtur në mendjen e tij ngjarjet në të cilat kishte marrë pjesë gjatë asaj kohe dhe ndoshta kishte ‘masturbuar’ mbi madhështinë e humbur të tij.
Ramabaja ka veç ditëlindje
Por, ai nganjëherë duket edhe më i moçëm se kaq. Shpjegimet e tij mbi fenomene shoqërore apo ngjarje historike nuk duken të përditësuara me kohën në të cilën po jetojmë. Megjithatë, edhe Ramabaja shtrihet në kohë. Ai sot feston ditëlindjen.
“Në jetë si lisat e Medokës sime – me rrënjët thellë në tokën që i themi Atdhe, e ballin lart.” – shkroi Ramabaja pranë një fotografia ku dukej me ballin jo aq lart.
Megjithatë, ka hamendje të forta sa i përket ditëlindjes së tij.
Në faqen në Wikipedia në gjuhën shqipe – që ndoshta edhe mund ta ketë shkruar vetë – shkruan se ai nuk është i lindur më 4 tetor por më 7 dhjetor.
Megjithatë, nuk besohet që ka inkonsistenca sa i përket vitit të lindjes. Ai është 1961, që e bën z. Ramabaja 61 vjeçar.
Ta përsërisim, kush është Sadri Ramabaja?
Ai ka lindur në një ditë të vitit 1961 – cilado qoftë ajo – në fshatin Magurë të Kamenicës. Mësohet që ai ka nisur studimet edhe në Universitetin e Prishtinës por ato i ka mbaruar vetëm në Tiranë, gjatë viteve 1991-1993.
Përgjatë viteve 90, Ramabaja është angazhuar në lëvizje të ndryshme përfshirë edhe Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK) të cilën raportohet ta ketë lënë më pas.
Syzet e Popullit?
Emri Ramabajë u bë i rëndësishëm për publikun në fundin e vitit 2018, kur Hashim Thaçi – atëbotë president – ishte ftuar në cilësinë e dëshmitarit për rastin e njohur si “Syri i Popullit”.

Thaçi e kishte quajtur Rambajën si organizatorin kryesor të “Syrit të Popullit”.
“Njëri ndër organizatorët e kësaj organizate është i akuzuar Sadri Rambaja, pasi vetë ky ka dalë publikisht me idenë për marrjen e pushtetit, qoftë edhe me forcë, me dhunë, madje si aktivist i Vetëvendosjes.” – ka thënë ai.
Këto akuza i kishte mohuar Ramabaja.
Rasti në fjalë po vazhdon, me një seancë që u mbajt muajin e kaluar. Ramabaja kishte vendosur që të mbrohej në heshtje. Ai akuzohet së bashku me Avni Llumnicën dhe Bajrush Konjushën. Profesori i ekraneve televizive akuzohet se kishte ndihmuar Llumnicën dhe një person me inicialet M.J. që të kryenin atentat ndaj të dëmtuarit Azem Vllasi, ish politikanit dhe avokatit të famshëm kosovar.
Sipas aktakuzës, Sadri Ramabaja me të tjerë thuhet se kishin planifikuar sulme dhe vrasje ndaj personaliteteve të larta shtetëror të konsideruar si ish-funksionarë të viteve 1980-1991 si tradhtarë të vendit. Këto sulme, sipas aktakuzës, ata kishin planifikuar t’i kryenin ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, ish-kryeministrit Isa Mustafa, ish-ministrit Hajredin Kuçi, deputetit Xhavit Haliti, ish deputetit Fatmir Limaj duke vazhduar me komandantë të luftës së UÇK-së, drejtorin e ATK-së, klerikët fetarë, etj.
Instituti Gjeopolitik
Por, Ramabaja vazhdon të ndihmojë Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin në studio televizive dhe në postime në Facebook. E madje, për ta bërë ndihmën më kuptimplotë ai ka hapur edhe institut.
Instituti i Ramabajës duket se ka qëllime mjaft ambicioze dhe quhet “Instituti Shqiptar për Gjeopolitikë”.
Ky institut është themeluar në vitin 2021 dhe thotë se ka seli në Prishtinë, por pa treguar specifikisht se ku. Po ashtu, Instituti pretendon se është themeluar nga një grup intelektualësh shqiptarë, por megjithatë nuk shkruhet emri i dikujt tjetër përveç atij të Ramabajës.
Në pjesën ku tregohet për bashkëpunëtorët, nuk jepet asnjë emër bashkëpunëtori por thjesht fjalia si vijon:

Nuk dihet nëse z. Ramabaja do të jetë pjesë e kabinetit të kryeministrit Kurti në të ardhmen, marrë parasysh ndihmën e madhe që i jep gati përnatshëm në emisione televizive. Por, ajo që dihet është se aktiviteti publik i z. Ramabaja nuk do të ndalet, duke i rikthyer fragmente të viteve ’80 në dekadën në të cilën po jetojmë.
