Albulena, Rilindi, Adi Krasta: A u "kap" përfundimisht RTK-ja nga pushteti?
Albulena Mehmeti dhe Dardan Beqiri janë tashmë në krye të Bordit të RTK-së. E para, pra Mehmeti, si kryetare, ndërsa Beqiri si nënkryetar i Bordit të RTK-së. Të dy kanë një të përbashkët: Mehmeti dhe Beqiri e kanë arsyetuar lajmin skandaloz të RTK-së kundër Nacionales dhe Periskopit. Tani, duket se përpjekja për “kapjen” e RTK-së e ka përmbushur ciklin e plotë, pasi, përveç Mehmetit e Beqirit, RTK-ja është edhe në duart e Adi Krastës e Rilind Gërvallës.
Përmes një komunikate për media, Bordi i RTK-së njoftoi për kryesinë e re, duke treguar se Mehmeti është bërë kryetare e re e Bordit, pasi Besnik Boletini dha dorëheqje muajin e kaluar në shenjë revolte për lajmin skandaloz të RTK-së kundër mediumit tonë dhe Periskopit.
“Pas dorëheqjes së kryetarit të mëparshëm, z. Besnik Boletini, me shumicë të votave u zgjedhë kryetare e bordit të RTK-së znj. Albulena Mehmeti ndërsa nënkryetar z. Dardan Beqiri.
Kryesia e re falënderoi anëtarët e bordit për besimin, si dhe shprehu përkushtimin për avancimin e zhvillimit të RTK-së. Ata gjithashtu theksuan angazhimin për të ndjekur praktikat më të mira të mediave publike ndërkombëtare dhe për të ruajtur stabilitetin financiar të institucionit” – shkroi Bordi i RTK-së mbrëmë, ndër të tjera.
Në lidhje me këto lëvizje në Bordin e RTK-së, Flutura Kusari, juriste e mediave, tha se RTK-ja po “konsolidohet politikisht”.
Mehmeti ishte bërë “yll” i pushtetit gjatë përplasjes së madhe brenda Bordit për lajmin skandaloz të RTK-së, i cili u vërtetua si i pavërtetë edhe nga KPM-ja e KMShK-ja, dy instanca që i kontrollojnë mediat. Statusi i saj ishte pëlqyer dhe shpërndarë nga shumë aktivistë e zyrtarë të VV-së.
Në shkrimin e saj, Mehmeti e kishte akuzuar Boletinin për shantazhim dhe Arta Berishën, tjetër anëtare e Bordit të RTK-së pas lajmit skandaloz.
“Ish kryetari i bordit ka shantazhuar pa ndërprerë në mënyrë të paprecedentë këdo që të realizonte kërkesat e një portali mediatik privat, e jo standardet profesionale.
Në asnjë çast brenga e të dy anëtarëve nuk ka qenë RTK por karriera e tyre personale” – kishte thënë ajo.
Madje, Mehmeti e kishte arsyetuar lajmin skandaloz të RTK-së.
“Sa i takon lajmit të publikuar në RTK si citim i Slobodna Bosna kjo është një çështje e qartë tanimë. Mirëpo, mendoj se nuk është në detyrë të bordit të RTK të plotësojë as edhe kërkesat e as teket e asnjë portali privat për si menaxhohet nga brenda RTK dhe se çfarë vendos të transmetojë e çfarë jo dhe si të marr masat.
…
Mediumi publik nuk ka për detyrë të qëndrojë neutralë ndaj lajmit por ndaj ndërhyrjeve. E këtë muajin e fundit ka pasur një tendencë të paprecedentë për të ndikuar në vendimmarrjen e brendshme të RTK-së për interesa plotësisht private që nuk kontribuojnë në asnjë rrethanë në të mirën e publikut, RTK apo shtetit të Kosovës” – kishte shkruar Mehmeti.
Ndërsa në procesverbalin e mbledhjes së Bordit të RTK-së, Beqiri pretendonte se lajmi kundër Nacionales e Periskopit mund të jetë i saktë.
“Por është pa emër dhe pa adresë, çka nëse vërtetohet që është i saktë si lajm?” - kishte thënë Beqiri.
Në këtë mbledhje, Beqiri kishte shprehur një tjetër pretendim të çuditshëm, duke e krahasuar RTK-në me BBC-në.
“Ama një fakt nga lajmet BBC që e konfirmon që janë vrarë X ushtarë në ndonjë vend”, ka thënë Beqiri.
Sjellim ndër mend që tashmë në RTK janë dy njerëz të afërt me pushtetin në lidhje me temën e lajmit skandaloz kundër Nacionales dhe Periskopit. Pas skandalit të lajmit, ishte publikuar një fotografi e Adi Krastës, zv.drejtor gjeneral i RTK-së, me Dejona Mihalin, koordinatore e Komiteteve të VV-së, në një pompë të benzinës në Shqipëri.
Sjellim ndër mend që drejtor i televizionit në RTK është Rilind Gërvalla, aktivist dhe financues i VV-së, emërimi i të cilit ishte kritikuar nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare.