Qesharake, anëtari i bordit e mbron skandalin e RTK-së: Çka nëse vërtetohet që lajmi është i saktë?
Anëtari i Bordit të RTK-së, Dardan Beqiri, ishte munduar ta arsyetonte RTK-në për publikimin e lajmit të rrejshëm të Slobodna Bosna, i cili akuzonte dy media në Kosovë se financohen nga Serbia.
Në procesverbalin e mbledhjes së bordit, mbajtur me 23 korrik, të cilin sot e ka publikuar gazeta Nacionale, ai pretendon se lajmi mund të jetë i saktë.
Derisa disa anëtarë tjerë të bordit vlerësonin se shkrimi i medias boshnjake nuk i ka respektuar standarde profesionale, ai aludonte se shkrimi mund të jetë i saktë.
“Por është pa emër dhe pa adresë, çka nëse vërtetohet që është i saktë si lajm?”, ka thënë Beqiri.
Ndër të tjera, Beqiri, ka shprehur edhe pretendime tjera të çuditshme në këtë mbledhje.
Në adresimin e tij, ai e krahason RTK-në për BBC-në.
Madje, Beqiri pretendon se edhe televizioni i njohur britanik poston lajme të pakonfirmuara.
“Ama një fakt nga lajmet BBC që e konfirmon që e konfirmon që janë vrarë X ushtarë në ndonjë vend”, ka thënë Beqiri.
Ndaj pretendimeve të Beqirit ka reaguar anëtarja tjetër e bordit, Arta Berisha, e cila ka kërkuar që të mos krahasohet RTK-ja me BBC-në.
“Mos e përmend BBC, sepse ne jemi me kilometra larg nga standardet e BBC-së”, ka thënë Berisha.