Alarmon Ramiz Kelmendi: Asnjëherë s’kemi qenë më në rrezik nga akte të mundshme terroriste se sot
Ramiz Kelmendi, ish-deputet e ish-zëvendëskryeministër i Kosovës, ka shkruar një status në lidhje me zhvillimet në veri të vendit.
Ai ka shkruar se situata në veri është serioze, dhe se kurrë më në rrrezik nuk ka qenë Kosova nga sulmet të mundshme terroriste.
“Zhveshja e policëve serb në veri përveç mosdëgjueshmërisë politike, ngërthen në vete edhe taktikat e identifikimit dhe të aktit terrorist të mundshëm mbi policët, të cilët është e ditur që (të cilët kanë mbetur të veshur) janë shqipëtarë. Pra, ky është kurthi me dinakëri ndaj të cilit institucionet e Republikës duhet të veprojnë urgjentisht.”, shkroi z.Kelmendi.
Lista Serbe ka mbajtur një mbledhje sot në orët e para të ditës së shtunë, ku u diskutua në lidhje me gjendjen aktuale në veri. Aty morën pjesë të gjithë liderët e Listës Serbe, por u panë edhe zyrtarë policorë të Kosovës nga veriu i vendit.
E një vendim i rëndësishëm, por i pritur, ka ardhur nga ky takim: Lista Serbe ka vendosur të largohet nga të gjitha institucionet e Kosovës.
"Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri"- theksoi kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, pas takimit.
Ky takim i thirrur nga Lista Serbi vjen pas vendimit të institucioneve të Kosovës për ta pezulluar Nenad Gjuriqin, drejtor i policisë për rajonin e veriut, pasi i njëjti refuzoi ta zbatonte vendimin e Qeverisë Kurti për targat.
Rakiqi, kryetar i Listës Serbe, tregoi se ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.
Veprimi i Qeverisë së Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për targat në disa faza, i ka zhgënjyer Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Ata kanë thënë se Kosova ka të drejtë për zbatimin e ligjshmërisë në tërë territorin e Kosovës, por se kjo duhet të bëhet në koordinim me ndërkombëtarët.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për moslejimin e qarkullimit të automjeteve me targa ilegale në Kosovë, i shkallëzuar në katër pjesë, i cili ka filluar të zbatohet më 1 nëntor, ka sjellë telashe në terren, pasi policët serbë e kanë refuzuar zbatimin e tij.