Akuza të rënda: Anëtari i Këshillit Drejtues në Universitetin e Mitrovicës e mohon se kërkoi lirimin nga detyra - NACIONALE

Akuza të rënda: Anëtari i Këshillit Drejtues në Universitetin e Mitrovicës e mohon se kërkoi lirimin nga detyra

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Pas raportimit të Nacionales të dielën për lirimin nga detyra të tre anëtarëve të Këshillit Drejtues të Universitetit të Mitrovicës, ka reaguar njëri prej tyre. Fjala është për Salem Lepajën, i cili në një postim në rrjete sociale ka pasur akuza të rënda drejtuar Ministrisë së Arsimit.

Me vendim të ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, tre anëtarë të Këshillit Drejtues në Universitetin e Mitrovicës u liruan nga detyra. Megjithatë, në vendim të cilin e publikoi Nacionale të dielën, thuhej se ata u liruan nga detyra me kërkesën e tyre. Pra, një formë e dorëheqjes.

Por, kështu nuk po del të jetë krejtësisht e vërteta. Salem Lepaja, njëri nga anëtarët e Këshillit Drejtues që u largua nga detyra, e ka mohuar ta ketë kërkuar largimin. Në facebook, ai ka publikuar një reagim të gjatë, ku ka prezantuar edhe letrat të cilat ia ka dërguar Ministrisë së Arsimit.

Lepaja thotë se kryesuesi i Këshillit Drejtues, Ilir Mazreku, e ka dërguar kërkesën për lirim nga detyra të tre anëtarëve bashkërisht. Kjo, pa e marrë miratimin e vetë Lepajës, i cili insiston se nuk ka kërkuar lirimin nga detyra.

Lepaja kishte qenë edhe zyrtar i Vetëvendosjes, duke u paraqitur vite më parë në disa konferenca për media duke prezantuar qëndrimet e partisë.

“Miq të nderuar, po ju njoftoj me përgjegjësi të plotë se unë asnjëherë nuk kam kërkuar lirim nga anëtari i KD të UIBM (siç shkruan në Vendimin e nënshkrur nga ministre Nagavci dhe në njoftimin e znj. Balaj). E vërteta është kjo: Me datë 24.07.2023, kryesuesi i KD Ilir Mazreku në emër të Gazmend Kaçanikut zv.kryesues i KD dhe në emrin tim, ka kërkuar me shkrim nga ministre Nagavci lirimin tonë nga detyra e anëtarëve të KD, siç shihet në letren të cilën znj. Balaji ia ka bashkangjitur njoftimit”, ka shkruar Lepaja.

“Pas kësaj letre të Ilir Mazrekut drejtuar ministres Nagavci, kam reaguar menjiherë më 24.07.2023 me shkrim (shih letren time të bashkangjitur) dhe e kam njoftuar ministren Nagavci, se unë nuk kam kërkuar lirimin nga anëtari i KD dhe se kërkesa e kryesuesit Mazreku në emrin tim pa kurrfarë konsultimi e pëlqimi nga ana ime paraqet shkelje të rëndë ligjore. Unë nuk kam kërkur lirimin tim nga anëtari i KD sepse nuk ekziston asnjë argument se unë kam bërë shkelje ligjore”, ka shkruar më tutje ai.

May be an image of text

Pra, pavarësisht se në vendimin e MAShT thuhet se lirimi është bërë me kërkesën e tre anëtarëve, njëri nga anëtarët po del se nuk ka kërkuar lirim nga detyra. Lepaja drejton akuza të ashpra karshi ministres Nagavci.

“Po ju njoftoj se prej ditës së parë kur jam zgjedhur anëtar (kryesues) i KD të UIBM e kam dhënë maksimumin tim për vendosjen e ligjshmërisë dhe avancimit të UIBM, megjithë pengesat e mëdha, kërcënimet dhe ofendimet që i kam pasur nga grupi abuzues i UIBM në krye me rektorin Alush Musaj dhe ministre Arberie Nagvcin me Ilir Mazrekun, i cili në cilësinë e kryesuesit të KD në vazhdimësi i ka falsifikuar procesverbalet e mbledhjeve të KD dhe ka qenë i koordinuar plotësisht me grupin abuziv të rektorit Musaj”, ka shkruar Lepaja.

“Çështja e "dështimit" të zgjedhjes së rektorit në UIBM dhe ndryshimit të përbërjes së KD, është skenar i ministres Nagavci në bashkëpunim me grupin abuziv të rektorit Musaj, nëpërmes Ilir Mazrekut, pasi skenari i tyre i përbashkët ka dalur në shesh”, përfundon postimi i tij duke shtuar se do t’i ndjek të gjitha rrugët ligjore.

Çfarë raportoi Nacionale?

Ilir Mazreku, Salem Lepaja dhe Gazmend Kaçaniku që nga 29 shtatori nuk do të jenë më anëtarë të Këshillit Drejtues në Universitetin e Mitrovicës. Ky është vendimi që e kishte nënshkruar të premten ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Në vendimin që e ka siguruar gazeta Nacionale thuhet se ky vendim është marrë pas kërkesës së tre anëtarëve për t’u liruar nga detyra.

Nacionale ka siguruar edhe vendimin tjetër të Ministrisë së Arsimit për zëvendësimin e tre anëtarëve të larguar. Në vendin e tyre janë emëruar: Agim Vinca, Atifete Zuna dhe Jeton Halili.

Nuk dihen arsyet e kësaj rrokade në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”. Vetëm se, ky ndryshim vjen në kohën kur Ministria e Arsimit vazhdon të ketë pakënaqësi për procesin e përzgjedhjes së rektorit në këtë universitet.

Rektore ishte zgjedhur Merita Shala, e cila detyrën zyrtarisht pritet ta fillojë që nga 1 tetori. Megjithatë, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, nuk ishte pajtuar me këtë përzgjedhje për asnjë moment. Madje, Ministria e kishte pezulluar procesin e përzgjedhjes.

Minsitrja Nagavci para lirimit nga detyra të këtyre tre anëtarëve, kishte kërkuar që konkursi për rektor të përsëritet.

Nacionale ka siguruar një kërkesë që ministrja Nagavci ia ka përcjellur kryesuesit të Këshillit Drejtues në Universitetin e Mitrovicës dhe anëtarëve të këshillit. Aty, Nagavci kërkon që të shfuqizohet vendimi për emërimin e rektorit, të përsëritet konkursi për rektor dhe të zhvillohet një proces transparent dhe i drejt.

“Prandaj, me qëllim të vënies së ligjshmërisë në procedurat e zgjedhjes dhe emërimit të zyrtarëve të lartë drejtues siç është emërimi i rektorit të ri të Universitetit të Mitrovicës, MASHT kërkon që të ndëmrerren veprimet e menjëhershme proceurale në përputhshmëri me legjislacion n e referuar dhe Statutin e Universitetit të Mitrovicës”, thuhet në këtë kërkesë.

Merita Shala, rektorja e re në Mitrovicë, e ka marrë detyrën ditën e djeshme.

Lajme të ngjashme