Lirohen nga detyra tre anëtarë të Këshillit Drejtues në Universitetin e Mitrovicës: Nagavci kërkon përsëritjen e konkursit për rektor - NACIONALE

Lirohen nga detyra tre anëtarë të Këshillit Drejtues në Universitetin e Mitrovicës: Nagavci kërkon përsëritjen e konkursit për rektor

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Tre anëtarë të Këshillit Drejtues në Universitetin e Mitrovicës janë liruar nga detyra me vendim të ministres së Arsimit. Tre të tjerë janë emëruar, kurse Nagavci po kërkon që konkursi për rektor të përsëritet. Nacionale ka siguruar dokumentet dhe sjell detaje.

Ilir Mazreku, Salem Lepaja dhe Gazmend Kaçaniku që nga 29 shtatori nuk do të jenë më anëtarë të Këshillit Drejtues në Universitetin e Mitrovicës. Ky është vendimi që e kishte nënshkruar të premten ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Në vendimin që e ka siguruar gazeta Nacionale thuhet se ky vendim është marrë pas kërkesës së tre anëtarëve për t’u liruar nga detyra.

Nacionale ka siguruar edhe vendimin tjetër të Ministrisë së Arsimit për zëvendësimin e tre anëtarëve të larguar. Në vendin e tyre janë emëruar: Agim Vinca, Atifete Zuna dhe Jeton Halili.

Nuk dihen arsyet e kësaj rrokade në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”. Vetëm se, ky ndryshim vjen në kohën kur Ministria e Arsimit vazhdon të ketë pakënaqësi për procesin e përzgjedhjes së rektorit në këtë universitet.

Rektore ishte zgjedhur Merita Shala, e cila detyrën zyrtarisht pritet ta fillojë që nga 1 tetori. Megjithatë, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, nuk ishte pajtuar me këtë përzgjedhje për asnjë moment. Madje, Ministria e kishte pezulluar procesin e përzgjedhjes.

“Këshilli Drejtues në mbledhjen e sotme të mbajtur më 24 Korrik 2023 ka zgjedhur prof.asoc.dr. Merita Shala për rektore të ardhshme të UIBM-së në mandatin e ardhshëm 2023/2027” – njoftonte Universiteti i Mitrovicës.

Sipas njoftimit, Shala është profesoreshë në Fakultetin e Edukimit dhe në të kaluarën ka mbajtur pozitën e prorektores dhe dekanes në po këtë universitet.

“Mbledhja për intervistimin e kandidatëve që kanë aplikuar nuk është bërë as nga ana e kryesuesit as nga ana e zv/kryesuesit ashtu siç është e përcaktuar”, thoshte Nagavci në një konferencë për media.

Ajo kishte thënë se vendimi për emërimin e kësaj rektoreje ishte bërë për të favorizuar grupe të caktuara.

E përveç në konferencë për media, Nagavci betejën për ta rikthyer në pikën zero procesin e përzgjedhjes së rektorit në Universitetin e Mitrovicës, ka vazhduar.

Nacionale ka siguruar një kërkesë që ministrja Nagavci ia ka përcjellur kryesuesit të Këshillit Drejtues në Universitetin e Mitrovicës dhe anëtarëve të këshillit. Aty, Nagavci kërkon që të shfuqizohet vendimi për emërimin e rektorit, të përsëritet konkursi për rektor dhe të zhvillohet një proces transparent dhe i drejt.

“Prandaj, me qëllim të vënies së ligjshmërisë në procedurat e zgjedhjes dhe emërimit të zyrtarëve të lartë drejtues siç është emërimi i rektorit të ri të Universitetit të Mitrovicës, MASHT kërkon që të ndëmrerren veprimet e menjëhershme proceurale në përputhshmëri me legjislacionin e referuar dhe Statutin e Universitetit të Mitrovicës”, thuhet në këtë kërkesë.

Zyrtarisht rektorja e re, Merita Shala, detyrën ishte planifikuar ta fillojë që nga e hëna e javës së ardhshme. Mbetet të shihet se si do të zhvillohet më tutje kjo procedurë.

Me dilema e kritika është përcjellur edhe procesi i përzgjedhjes së rektorëve në disa komuna të tjera.

Lajme të ngjashme