"Ai i ka marrë edhe i ka kthy": Nëna e Astrit Deharit e akuzon prokurorin e rastit për gjetjen e mostrave - NACIONALE

"Ai i ka marrë edhe i ka kthy": Nëna e Astrit Deharit e akuzon prokurorin e rastit për gjetjen e mostrave

1 vit më parë

nga Eriola Cacaj

Xhemile Dehari, nëna e Astrit Deharit, ka reaguar pasi mostrat e djalit të saj janë gjetur në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe janë kthyer në vendin e tyre.

Xhemile Dehari ka thënë për Gazetën Nacionale se prokurori i rastit, Afrim Shefkiu i ka pas mostrat e djalit të saj.

A e keni pyet prokurorin e rastit? A keni bisedu me to? Pyetne prokurorin e rastit se ai i ka pas, mostrat i ka marrë edhe i ka kthy. Kush ka pas me i pas tjetër, unë si kom marrë të shpia. Pyetne prokurorin ai ju tregon se ai e din ku jon kon mostrat, ai i ka marrë në pyetje njerëzit, ai e din krejt punën, neve askush nuk na ka lajmëru asgjë, nga ju e morëm vesh.” – ka thënë Xhemile Dehari, nëna e Astrit Deharit për Nacionalen.

Gazeta Nacionale ka mësuar se janë gjetur një pjesë mostrave të ish-aktivistit të VV-së, Astrit Deharit, të cilat ishin zhdukur në dhjetor të vitit të kaluar.

Një burim brenda Institutit të Mjekëses Ligjore(IML), ka treguar për gazetën se mostrat janë kthyer aty ku kanë qenë më herët.

Janë gjetur disa mostra të Astrit Deharit. Ato janë gjetur në objekt dhe janë kthyer aty ku kanë qenë më herët”, ka thënë burimi

Më tej, burimi ka treguar se për cilat mostrat bëhet fjalë.

Mostrat që janë gjetur janë të lukthit dhe të urinës. Kurse të gjakut mungojnë. Prokuroria sot ka qenë këtu dhe i ka marrë provat e nevojshme”, ka thënë i njëjti burim.

Mostrat e Astrit Deharit, ish-aktivistit të VV-së, janë zhdukur në dhjetor të vitit kaluar.

Nacionale gjithashtu përmes burimeve mësoi se mostrat u gjetën dje në një frigorifer që nuk mbulohet nga kamerat e sigurisë.

"Komisioni per invertaizim i kanë gjetë tek një frigorifer që nuk është i mbuluar prej kamerave të sigurisë. Dje i kanë gjetë nga fundi i orarit të punës. Esenca është që frigoriferi nuk mbulohet prej kamerave. Një pjesë e mostrave janë gjetë, por jo të gjitha." - ka thënë burimi për Nacionalen.

Policia, Prokuroria dhe Ministria e Drejtësisë, deri më tani s’e kanë thënë asnjë fjalë për gjetjen e disa prej mostrave të Astrit Deharit, pavarësisht insistimit të Nacionales për të marrë një përgjigje.

Nacionale ka kontaktuar Policinë e Kosovës por nuk kemi marrë përgjigje, e madje edhe kanë mbyllur telefonin në lidhje me këtë rast.

Po ashtu, kryeprokurori Blerim Isufaj shkurt për Nacionalen ka deklaruar: “Nuk mund t’iu them asgjë tani”.

Ndërkohë, Nacionale kontaktoi edhe ministren Albulena Haxhiu por ajo s’e ka hapur telefonin, derisa Genc Nimoni, shef i kabinetit në Ministrinë e Drejtësisë, na drejtoi për kontakt të policia e prokuroria.

Lajme të ngjashme