AGK dënon kërcënimet ndaj gazetareve Ardiana Thaçi-Mehmeti dhe Erjona Gjikolli - NACIONALE

AGK dënon kërcënimet ndaj gazetareve Ardiana Thaçi-Mehmeti dhe Erjona Gjikolli

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka bërë me dije se autoret e emisionit “KIKS Kosova”, Ardiana Thaçi-Mehmeti dhe Erjona Gjikolli, janë kërcënuar me jetë pas një hulumtimi të bërë në lidhje me këngëtarin Eroll Murati.

Përmes një komunikate për media, AGK është shprehur e shqetësuar me këtë kërcenim, duke e ftuar Policinë e Kosovës të trajtojë rastin me prioritet.

Autoret e emisionit KIKS Kosova, Ardiana Thaçi Mehmeti dhe Erjona Gjikolli, kanë pranuar kërcënime me jetë ndaj tyre dhe familjarëve të tyre, pas një hulumtimi të bërë në lidhje me këngëtarin Eroll Murati, i cili sipas raportimeve është i përfshirë në mashtrimet me pasaportat sllovene, fajde, si dhe shitjen e makinave të cilat i kishte marrë me qira. Në një email drejtuar Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, gazetaret tregojnë që kanë marrë kërcënime me jetë ndaj tyre dhe familjarëve të tyre, nga një profil i sapo hapur në rrjetin social Facebook” është thënë në komunikatën e AGK-së.

Më tej, tregohen edhe fjalët kërcënuese.

‘Fjalët e përdorura janë tejet shqetësuese meqë përveç ofendimeve dhe gjuhës degraduese, ka përdorur edhe kërcënime të llojit: pak e ki, krejt t rrethekum me evlad kan me ti kall me cka ke...’, thuhet ndër të tjera në emailin e dërguar, ku bëhet e ditur se rasti është lajmëruar edhe në Policinë e Kosovës. Gjithashtu, bëhet e ditur se pas përfundimit të emisionit ku është shfaqur ky hulumtim, ka reaguar edhe vetë personi i apostrofuar në të, nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook. Kërcënimet e tilla drejtuar gazetarëve janë tejet shqetësuese për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, andaj i bëjmë thirrje Policisë së Kosovës të trajtojë rastin me prioritet, dhe ndërmarrë hapat e nevojshëm në mënyrë që personi që fshihet prapa këtij profili të rremë të mbahet përgjegjës”, ka vlerësuar AGK-ja.

Lajme të ngjashme