Afrimi i Serbisë me Kinën: Si ndikon kjo marrëdhënie mbi Kosovën?
Ramadan Ilazi, analist nga Kosova, dhe Stefan Vladisavljev, analist nga Serbia, kanë shkruar një artikull relativisht të gjatë në lidhje me marrëdhënien e “nxehur” të Serbisë me Kinën dhe ndikimet që kjo marrëdhënie e afërt mund t’i ketë mbi Kosovën. Në shkrimin e tyre, këta dy analistë vlerësojnë se marrëdhënia e Serbisë me Kinën është një pengesë tjetër për Kosovën në arritjen e njohjës universale të pavarësisë.
Në shkrim, argumentohet se Serbia është kujdesur që Kina dhe Rusia të bllokojnë anëtarësimin e Kosovës në OKB, përmes vetos së tyre në Këshill të Sigurimit.
“Megjithatë, Serbia i është drejtuar partnerëve në Moskë dhe Pekin për të siguruar që, nëse asgjë tjetër, Kosova nuk do të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe se ata partnerë do të jenë të gatshëm të përdorin të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të parandaluar që kjo të ndodhë.” – shkruhet në shkrimin e titulluar “Implikimet e marrëdhënieve Kinë-Serbi për Kosovën”.
“Për Kosovën, forca e marrëdhënieve Kinë-Serbi është një tjetër pengesë për arritjen e njohjes së plotë ndërkombëtare. Partneriteti ndërmjet Serbisë dhe Kinës mund të mos jetë në krye të listës së çështjeve që rëndojnë kosovarët, por mund të ketë një rëndësi të madhe, veçanërisht për aspiratat e Kosovës për anëtarësim në Kombet e Bashkuara një ditë.” – shkruajnë Ilazi dhe Vladisavljev, të cilët e shpjegojnë edhe vizitën e Aleksandar Vuçiqit, president i Serbisë, në Kinë, ku ishte pritur nga presidenti kinez Xi Jinping, i cili kishte pasur fjalë të mira për miqësinë serbo-kineze.
Tutje, dy analistët sqarojnë se rritja e populizmit në Evropë e ShBA ka ndikuar në konsensusin euroatlantik në çështjen e Kosovës, i cili nuk e ka asnjë marrëdhënie me shtetin kinez.
“Bashkëpunimi ndërmjet Kinës dhe Kosovës mbetet pothuajse inekzistent. Teknikisht, Kina nuk e ka njohur Kosovën si vend të pavarur dhe nuk e ka përfshirë në platformën e bashkëpunimit rajonal që mbledh vendet nga Evropa Qendrore dhe Lindore. Edhe pse Kina ka një zyrë përfaqësuese në Prishtinë, marrëdhëniet diplomatike nuk janë zhvilluar. Nëse nuk do të ishte për marrëdhëniet e Pekinit me Beogradin, Kina nuk do të ishte një temë që shumica e kosovarëve mendojnë apo interesojnë.” – shkruhet aty, teksa shpjegohet edhe marrëdhënia e Kosovës me Tajvanin dhe udhëtimi i tetë deputetëve në Tajvan, për të cilin udhëtim kishte reaguar ashpër përmes një komunikate Kina.
Por dy analistët japing një interpretim interesant në lidhje me marrëdhënien e Kinës dhe Kosovës.
“Megjithatë, edhe nëse Serbia nuk do të kishte zhvilluar lidhje kaq të forta me Kinën, pozicioni i Pekinit në temën e integritetit territorial do të ishte ende një çështje. Statusi i pavarur de facto i Tajvanit dhe ambiciet e Pekinit për bashkim janë arsyet kryesore që Kina dërgon një mesazh kaq të fortë për integritetin territorial dhe e konsideron Serbinë si një partner që përballet me probleme të ngjashme.” – shkruhet aty.
Në fund, analistët konkludojnë se pozicionin i Kosovës ndaj Kinës do të përcaktohet nga marrëdhënia mes Kinës dhe Serbisë.
“Pozicioni i Kosovës ndaj Kinës do të vazhdojë të përcaktohet nga marrëdhënia midis Pekinit dhe Beogradit, veçanërisht nëse procesi i dialogut të normalizimit të lehtësuar nga BE-ja nuk jep ndonjë rezultat dhe Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e vendit. Vetëm nëse pozicioni i Serbisë për Kosovën ndryshon dhe procesi i normalizimit prodhon rezultate, qëndrimi kinez ndaj Kosovës mund të ndryshojë.” – shkruajnë Ilazi dhe Vladisavljev.