Afera vaji: Pse bash Ridvan Muharremi u angazhua për kontraktim të rezervave shtetërore?
Ridvan Muharremi është njëri nga personat që mbeti i arrestuar për skandalin me rezervat shtetërore në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT). Skandali me vajin, la të arrestuar edhe dy zyrtarë të kësaj ministrie, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara. Por, emri që më së shumti po komentohet është emri i Ridvan Muharremit.
Pas raportimeve ekskluzive nga gazeta Nacionale, Prokuroria Speciale mori hapat e parë ku konfirmoi dallavaret që u bën me rezervat shtetërore. Sipas Prokurorisë, dëmi ndaj buxhetit të shtetit kap vlerën e 600 mijë eurove.
Zyrtarët e MINT, Irfan Lipovica dhe Hafiza Gara mbetën të arrestuar, përveç këytre dy zyrtarëve. Policia e Kosovës arrestoi edhe dostin e kryeministrit, Albin Kurti, Ridvan Muharremi.
Tashmë pas kësaj në rrjetet sociale po shtrohen pyetje se kush është Ridvan Muharremi dhe pse MINT ka përzgjedhur pikërisht atë për rezervat shtetërore.
Gazetari Adriatik Kelmendi, përmes një reagimi në Facebook, ka pyetur se si ka mundësi që sekreti shtetëror t’i kontraktohet Ridvan Muharremit.
“Si ndodhi që për “sekret shtetëror” të kontraktohet njëfarë Ridvani qaty?!” – ka pyetur ai.
Më tej, Kelmendi ka kundërshtuar edhe arsyetimet e pushtetit dhe mbrojtjen që po i bëhet atij, duke thënë se kujtdo që i duhet normale përzgjedhja e Muharremit për rezervat shtetërore, e ka vendin “në Shtime ose në qeli”.
“Kujt i duket kjo normale e ka vendin ose në Shtime, ose në qeli!” – ka shkruar ai.
Edhe analisti i politikës, Imer Mushkolaj, ka reaguar për aferën e vajit dhe për afërën e grurit, ku deri më tani janë arrestuar tre persona.
Mushkolaj në Facebook, ka drejtuar një pyetjet lidhur me angazhimin e Ridvan Muharremit për rezervat shtetërore.
Ai ka pyetur se pse ministrja e MINT, Rozeta Hajdari, ka anagazhuar Ridvan Muharremin për rezerva.
“Kush është ai dhe pse pikërisht atë?” – ka pyetur Mushkolaj.
“Një ndër pyetjet thelbësore: Pse e angazhoi Ridvanin ministrja Rozeta Hajdari për kontraktim të rezervave shtetërore? Kush është ai dhe pse pikërisht atë?” – ka shkruar ai në Facebook.
Për çka dyshohet Ridvan Muahrremi?
Ridvan Muharremi, sipas akuzave të Prokurorisë, është akuzuar për ndihmën e tij në shkeljen e ligjit nga zyrtarët Irfan Lipovica dhe Haviz Gara.
Ai akuzohet për krijuar kushte të kundërligjshme që të ndihmonte në negociatat e tyre me kompanitë turke dhe polake për blerjen e grurit, vajit dhe sheqerit.
Sipas akuzave të Prokurorisë, Muharremi kishte arritur të negocionte blerjen e 10 tonëve grurë nga Turqia, me një vlerë prej 4 milionë 834 mijë e 778 euro.
Muharremi, bazuar në akuza, del të jetë figura kyçe në të negociuarit e kushteve të kontratave me operatorët ekonomikë për blerjen e rezervave shtetërore.
Gjithashtu, Muharremi më parë kishte pasur marrëveshje kontraktuale dhe marrëdhënie biznesi me këto kompani.
“Dhënie e ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal”, është vepra penale me të cilën ngarkohet i dyshuari Ridvan Muharremi.
Kujtojmë se tashmë ndaj tre të arrestuarve është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Në ndërkohë, vartësit e pushteti kanë filluar sulmet ndaj sistemit të drejtësisë, konkretisht ndaj Prokurorisë Speciale.




