“Ministrja e ka angazhu direkt” – Me zë dhe figurë: Rrena publike e ministres Rozeta Hajdari për Ridvan Muharremin
Për 30 ditë Ridvan Muharremi, Irfan Lipovica e Hafiz Gara, do të qëndrojnë në paraburgim. Kjo pas vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës lidhur me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dhënia e ndihmës në kryerjen e veprës penale.
E pas përfundimit të seancës ku u caktua paraburgimi, avokatët të gjithë me radhë kundërshtuan pretendimet e Prokurorisë.
Më i ashpri ishte avokati i Ridvan Muharremit, Mahmut Halimi. Ai në një fjalim të gjatë para gazetarëve shpjegoi në detaje se si ishte përfshirë klienti i tij në aferën e vajit dhe grurit, raporton Nacionale.
Deklarata e Hajdarit: 22:35
E gjatë deklaratës së tij, avokati Halimi e qiti edhe publikisht në rren ministren e Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila një ditë më parë tha se nuk e di nëse ky person ka qenë i kontraktuar për të diskutuar rreth kontratave.
“E ka angazhuar Ministria. Drejtpërdrejt ministrja Hajdari. E ka njohur si persona afarist, që ka traditë të gjatë, ka rreth të gjerë të miqve të vetë. Janë mysafir të cilët shkojnë në Restaurantin e tij. Ka një restaurant modest ku shërbehen ushqime tradicionale. Sjellje e shkëlqyer, pritje, nuk ka shkuar vetëm Kurti e ministrat. Por plot ambasadorë”, deklaroi avokati Halimi.
Ai më tutje ka thënë se vepra e Ridvan Muharremit është krejtësisht në të mirën e shtetit. Sipas avokatit Halimi, Ridi i ka shfrytëzuar raportet e tij të mira me biznesmenët nëpër Evropë, dhe e ka ndihmuar shtetin.
Deklarata e avokatit:
“Për klientin tim, për cilin e di se Ridvan Muharremi s’ka pasur asnjë pozitë në ministri, është kyçur në baza vullnetare sepse në kohën relevante kur kanë ndodhur ngjarjet, ka qenë koha pas agresionit rus në Ukrainë, dhe ka pasur mungesë të artikujve ushqimorë. Dhe Ministria e di se është përpjekur për të siguruar të mira materiale, ushqime për rezervat e shtetit. Rezervat kanë qenë 0 mjete dhe 0 materiale. Përmes një miku të tij i cili është shumë i njohur, biznesmen në Turqi i cili ka punuar plot 2 vite në Prishtina Mall, z.Ridvan në restaurantin e tij ka krijuar raporte miqësore, dhe iu ka lutur a mundet. Pasi nga Ministria e kanë thirrur dhe e kanë lutur ti je biznesmen, na ndihmo nëse mundesh me gjet dikund grurë sepse nuk kemi”, ka thënë avokati Halimi.
Avokati Halimi ka thënë se ka qenë meritë e Ridvan Muharremit që Turqia ka lejuar ardhjen e grurit. Madje, ai deklaroi se Erdogani “për hir të Ridvanit dhe Kosovës e hoqi embargon”
“Ka ra në kontakt me të, e ka marrë turku kanë shkuar bashkë e kanë gjetur tregun, e kanë gjetur mallin. Ua kanë dërguar zotërnjive të Ministrisë rreth shitblerjes, e çmimit. Është arritur çmimi i shitblerjes dhe është realizuar transaksioni. Në atë kohë Turqia ka pasur embargo të grurit, nuk ka lejuar askënd. Është meritë e Ridvanit që përmes mikut të tij me bind Turqinë që për hir të Kosovës me u hek embargo, me u kriju mundësitë që me bo zbrazjen nga anijet e Ukrainës në anijet që ka qenë e destinuar me ardh në portin e Durrësit”, deklaroi avokati Halimi.
“Atje është matur sasia, kualiteti, parametrat të cilat janë të nevojshëm, është vu bllomba dhe zotëria, shitësi i mallit jo 10 mijë tonë, po 10 mijë e 6 tonelata. 6 tonelata i ka dhënë falas për Kosovën. E ka thirru Ridvani auditorin e shtetit turk, po të shteti, që e ka konstatuar gjendjen edhe për sasinë, edhe për kualitetin dhe të gjitha parametrat që është dashur, dhe është bllokuar malli dhe është nisur për destinacion në Kosovë, përmes portit të Durrësit”, deklaroi ai.
Ai ka theksuar se është normale që një sasi e mallit të humb gjatë distancave të larta. Sipas avokatit, kjo është e rregulluar edhe me standarde ndërkombëtare.
“Nuk ka dështuar ai besim. Gjithsesi. Njerëzit, Kosova është e vogël. Sikur njerëzit e sinqertë, sikur ata që janë të pasigurt edhe mashtrues. Ka ardhë gruri aq sa e ka porosit. E përmenda në Porto Romano, nuk dihet çka ka ndodhur atje, dhe si i kanë hekur bllombat. Kur është shtruar tema se po mungojnë 52 tonë të grurit, sipas standardeve është një sasi që pranohet si sasi e humbjes në përqindje. Një sasi që humb, ndodh gjatë udhëtimit grurit teret, dhe humb në peshë”, deklaroi më tutje Halimi.
Ai klientin e tij e ka cilësuar si afaristin më të ndershëm në Kosovë, dhe ka paralajmëruar padi ndaj gazetarit Berat Buzhala.
“Unë pres drejtësi dhe asgjë ma shumë. Klienti im as nuk ka ndihmuar kërkënd me kryer krim, as nuk ka kryer vetë krim. Krime të tilla, dhe sjellje të tilla të vullnetshme me kontribuar për vendin e vet klienti im do të kryej pandalshëm, sepse i përket një tradite të tillë familjare. Nuk janë dallaveraxhinj siç e quan Berat Buzhala, do të ballafaqohemi në gjykatë. Ne do të kemi durimin”, tha ai.
“Edhe për vaj, z.Muharremi i ka vendosur në kontakt me pronarët e firmës që merren me biznesin e eksportit dhe importit. Nuk ka në Kosovë afarist që mundet te thembrat e këmbëve me iu afru për dijenitë e këmbëve profesionale”, deklaroi Mahmut Halimi.
Në anën tjetër, gjatë ditës së djeshme ministrja Hajdari ka deklaruar se s’ka informata që Muharremi të ketë qenë i kontraktuar për ndonjë kontratë rreth rezervave.

