Afati i Escobarit dhe nisja e sulmeve nga VV-ja: Çka pas raportimit të emisarëve të premten? - NACIONALE

Afati i Escobarit dhe nisja e sulmeve nga VV-ja: Çka pas raportimit të emisarëve të premten?

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Vizita e emisarëve Escobar e Lajçak në Kosovë, po duket se nuk ka sjellur ndonjë rezultat.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vazhdon të qëndrojë pas kërkesave të veta që duhet të largohen bandat kriminale në veri, për ta tërhequr Policinë e Kosovës.

Megjithatë, kjo situatë duket se nuk po i pëlqen fare emisarit amerikan, Gabriel Escobar. Ky i fundit dha një afat deri të premten që të ketë një vendim nga Kurti, pasi ata do të raportojnë tek “shefat” e tyre.

“E para është deeskalimi, e dyta është duam të shohim zgjedhje të reja me pjesëmarrjen e serbëve dhe e treta duhet menjëherë të lëvizim drejt zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit që nënkupton se duhet të shohim përpjekje reale nga Kosova që të angazhohet për Asociacionin dhe po ashtu duhet të shohim hapa nga Serbia. Duhet të merremi vesh për këtë sot dhe nesër sepse të premten unë dhe Lajcak duhet t’u raportojmë eprorëve tanë se a ishim të suksesshëm apo jo”, tha Escobar në një takim me gazetarë.

“Dua të bëj të qartë, që ne nuk e shohim këtë si pasojë për marrëdhëniet tona afatgjata, por veprimet e marra ose jo të marra do të kenë disa pasoja që do të ndikojnë pjesë të raporteve tona. Nuk dua të flas për këtë”.

“Nuk e kemi të njëjtin raport me Serbinë siç e kemi me Kosovën. Serbia nuk është një kandidate për NATO-n. Kanë një kohë sfiduese në integrimin europian”, deklaroi Escobar.

Por, në vend të një përgjigjeje nga Kurti, emisari amerikan ka marrë një seri sulmesh nga eksponentë të pushtetit. Sidomos nga qendra e VV-së në Tiranë.

Pikërisht deklaratën e mësipërme u sigurua ta komentojë anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Elvis Hoxha. Në reagimin e tij, Hoxha ka shkruar se një “popull nuk i nënshtrohet një emisari”.

“Kryeministrin e zgjedh një popull. Emisarin e emëron dikush. Një popull nuk i nënshtrohet një emisari”, - tha ai.

Hoxha pati edhe disa reagime tjera gjatë ditës ndaj deklaratave të Escobarit duke hedhur thumba ironie lidhur me garantimet e dhëna.

“Escobari na siguroi për dy çështje: Kosova duhet të shkojë në dialog për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, me aftësitë e një shteti të plotë, por... unë Escobari, unë emisari, mund t'i vendos kushte kryeministrit të zgjedhur të saj. Ju garantoj se nuk do të ketë Republikë serbe, veç më falni pak... sa të shkoj të përshëndetem me Dodikun.” – shkroi ai.

Një reagim tjetër ka ardhur nga Hysamedin Feraj, këshilltar i kryeministrit Kurti, i cili tha se refuzimi i nënshtrimit ndaj Serbisë nuk është vetëm i kryeministrit, por i tërë popullit të Kosovës, ndonëse nuk ka informacione të konkreta se Kurtit i është bërë një kërkesë e tillë.

“Nuk është një individ, por një popull që nuk do t'i nënshtrohet Serbisë dhe banditëve të saj!”, - tha ai.

Mbetet të shihet se cili do të jetë vendimi i Kurtit deri të premten.

Lajme të ngjashme