“Absolutisht”: Sveçla përgjigjet qartë kur pyetet nëse kryetarët në veri do të asistohen nga policia për në punë - NACIONALE

“Absolutisht”: Sveçla përgjigjet qartë kur pyetet nëse kryetarët në veri do të asistohen nga policia për në punë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në një paraqitje të tij në Radiotelevizionin e Kosovës ka dhënë detaje pas mbajtjes së zgjedhjeve në veri të vendit. Ministri i Qeverisë Kurti II u përgjigj edhe në pyetjen nëse kryetarët e rinj në veri do të asistohen nga policia për të shkuar në punë. Çka deklaroi ai?

Fillimisht, Sveçla ka deklaruar se kryetarët në veri janë legjitim, dhe “do t’i kenë sukseset e dështime sikur secila udhëheqje komunale”.

“Prej momentit që rezultatet certifikohen ata janë kryetarë legjitim komunash dhe patjetër do të shkojnë në vendin e tyre të punës, patjetër do të udhëheqin me ato komuna dhe patjetër do të kenë sukseset por edhe dështimet, sikurse i ka secila udhëheqje komunale gjithandej Kosovës dhe nuk e di pse kjo është e diskutueshme.”deklaroi ai.

A do të asistohen nga policia kryetarët e rinj?

Gazetari që po e intervistonte e pyeti ministrin edhe nëse kryetarët e rinj do të kenë asistencën e policisë për të arritur deri në vendin e punës.

Sveçla u përgjigj me “absolutisht”. Ai deklaroi se policia është në dispozicion të kryetarëve të komunave edhe “për probleme shumë të vogla”.

“Absolutisht, forcat e sigurisë janë aty për të siguruar secilin qytetar e posaçërisht institucionet e Republikës së Kosovës. Çfarë ka aty të jashtëzakonshme. Sa herë që kryetarët e komunave kanë pasur problem policia e Kosovës ka qenë në dispozicion të tyre. Edhe për probleme shumë të vogla, edhe për tezga në rrugë policia e Kosovës është kujdes që institucionet komunale të kenë mbështetjen e saj, e mos të flasim për kryetarët e komunave apo drejtorët komunal.” – ka thënë ai.

Rezultatet përfundimtare

Ndërkohë, Komisioni Qendror Zgjedhor sot ka shpallur rezultatet përfundimtare për zgjedhjet që u mbajtën të dielen në veri.

Sipas këtyre rezultateve, Mitrovicën Veriore dhe Leposaviqin e ka fituar Vetëvendosje, ndërsa Zubin Potokun dhe Zveçan e ka fituar Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Në Mitrovicën Veriore rezultati është ky:

Kandidati i VV-së, Erden Atiq ka fituar 553 vota apo 66.9 për qind. I dyti është renditur kandidati i PDK-së, Taulant Kelmendit me 193 vota apo 23.4 për qind, ndërsa i treti ka dalë Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica me 80 vota apo 9.7 për qind.

Në Zubin Potok, PDK ka dalë e parë me kandidatin Izmir Zeqiri që mori 196 vota apo 52.2 për qind, për dallim nga kandidati i VV-së, Flatron Hasani që mori 180 vota apo 47.7 për qind.

Ndërsa në Zveçan dhe Leposaviq përveç garës për kryetar të komunës, zgjedhje pati edhe për Këshillin Komunal.

Zveçan:

PDK: 98 vota apo 60.1 për qind 11 ulëse në Kuvendin Komunal.

VV: 65 vota apo 39.9 për qind me 8 ulëse në Kuvendin Komunal

Leposaviq:

VV: 85 vota apo 77.3 për qind me 15 ulëse

PDK: 21 vota apo 19.1 për qind me 2 ulëse

Ndërkaq, kandidatja Sllagjana Pantoviq që mori pjesë në zgjedhje si kandidtja e vetme nga komuniteti serb, garoi për kryetare të komunës së Zveçanit dhe mori shtatë vota apo 3.6 për qind.

Lajme të ngjashme