Abdixhiku Vs. Hoti: LDK “nuk frikësohet nga gara”, dërgohet ftesa te 350 delegatët që do t’i peshojnë në votëbesim - NACIONALE

Abdixhiku Vs. Hoti: LDK “nuk frikësohet nga gara”, dërgohet ftesa te 350 delegatët që do t’i peshojnë në votëbesim

6 muaj më parë

nga Xhezair Dashi

Nga ‘dorëheqje e ofruar’ fjala pësoi ndërrim të lehtë por domethënës: ‘votëbesim’.

Të shtunën mbledhen 355 delegatë të Lidhjes Demokratike të Kosovës për ta votëbesuar apo mosbesuar Lumir Abdixhikun si drejtues të partisë.

Ky i fundit shkroi mëngjesin e së hënës se ftesën ua ka nisur zyrtarisht organit më të lartë të kësaj partie për mbledhjen e së shtunes.

Kjo vetëm një ditë pasi Avdullah Hoti e njoftoi publikisht kandidaturën e tij për të marrë drejtimin e partisë.

Abdixhiku shkroi se LDK ‘nuk frikësohet nga anëtarësia e vet, as nga vota, as nga gara’.

Vendimi dhe epilogu i çështjes së legjitimitetit të kryetarit të-ri-apo-vjetër, rikujtoi Abdixhiku, vendoset “në fund, me shumicë”.

  • “Këtë të shtunë mblidhemi për të diskutuar dhe për të vendosur mbi të gjitha çështjet tona, me vullnet të lirë dhe me votë të lirë, ashtu siç i takon një partie demokratike që respekton anëtarësinë e saj dhe asnjë interes tjetër veç saj. Ky është parimi ynë dhe mënyra jonë e veprimit. LDK nuk di ndryshe”, tha ai.

Por, ndryshe nga frazimi i Abdixhikut, dhe i zëdhënësit të LDK-së, Besian Mustafa, se e shtuna është e shtunë e “votëbesimit”, Avdullah Hoti e merr për dorëheqje të mirëqenë.

Në shkrimin e tij ai kandidaturën e vet e la të nënkuptojë që vjen pas faktit të kryer të dorëheqjes, pa e shoshitur në të zakonshmet “dorëheqje e revokueshme, pa revokueshme”.

  • “Pas dorëheqjes së Kryetarit Abdixhiku për shkak të rezultatit të fundit zgjedhor, ju njoftoj se në mbledhjen e Kuvendit të LDK-së të datës 31 janar 2026 do të kërkoj besimin tuaj për t’i prirë Lidhjes Demokratike të Kosovës”, shkroi Hoti.

Hoti kërkoi mbështetjen e strukturave dhe degëve, dhe u zotua për udhëheqje “gjithpërshirëse”.

  • “Këtë moment vendimtar për LDK-në dhe për Kosovën, unë zotohem me përgjegjësi të plotë të marr barrën e ringritjes politike dhe organizative të partisë. Zotohem të udhëheq një proces tërësisht gjithëpërfshirës, transparent dhe në përputhje të plotë me Statutin, ku secili anëtar, çdo degë dhe çdo forum ka zë dhe rol aktiv në ringritjen e LDK-së dhe në vendimet që marrim si shtëpi politike e demokracisë”, tha ai.

Mbledhja e fundit e Kryesisë...

Krerët më të lartë të LDK-së u mblodhln për më shumë se tre orë javën e kaluar. (Mos)dorëheqja e Lumir Abdixhikut të Lidhjes Demokratike të Kosovës pas rënies së madhe zgjedhore në 13%, ka shkundur tryezën e Kryesisë së kësja partie.

Me një pjesë që kërkojnë dorëheqje të paprapakthim, dhe me një pjesë, mbështetës të Abdixhikut, që i qëndrojnë se dorëheqja duhe të jetë “ofrim” për t’i konfirmuar me votë në Kuvendin e LDK-së.

Kështu, rreth 350 delegatë të kësaj partie me duar lartë të miratojnë apo refuzojnë dorëheqjen e Abdixhikut nga posti i të parit të partisë.

Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami dhe Lutfi Haziri, janë tre figurat më kyçe që duan dorëheqjen e paprakthim të Abdixhikut.

Bajrami veçse ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i Nënkryetares, ndërsa edhe Hoti ka paralajmëruar se do të bëjë të njëjtën gjë, nëse Abdixhiku “nuk reflekton”.

Qysh e “paragjykoi” Abdixhiku rezultatin?

Kur rinumërimi në qindra qendra të vendvotimeve shpërfaqi “vjedhje masive” të votave brendapartish dhe në mes të kandidatëve, Abdixhiku paralajmëroi pasoja dhe përgjegjësi politikë për ata që përcaktohen të kenë vjedhur vota.

Por, për këtë, tha ai, duhet pritur pas Kuvendit të LDK-së.

Kësisoji, me një mesazh, duke çuar edhe mesazhin se do të jetë vetë ai në krye të partisë për të nisur këtë përgjegjësi-dhënie mes manipuluesve zgjedhor.

Manipuluesit zgjedhor, Abdixhiku i tha për “të vjetrit” kundra “të rinjve”, duke iu referuar vjedhjes së votave të Paris Gurit, një figurë e re politike në LDK.

“Prandaj, pasoja do të ketë. Për to, na prisni pas Kuvendit. Përtej turpit publik dhe ligjit të Republikës, do të ketë edhe përgjegjësi politike brenda shtëpisë sonë. Ndërkohë, institucionet e drejtësisë duhet të veprojnë pa vonesë dhe pa përjashtim. Përgjegjësi sipas ligjit, burg, për këdo që ka cenuar votën e lirë. Komisionerët manipulues kanë emra. Dihen të gjithë. Jepuni atyre dhe porositësve përgjigjen pa hezitim”, shkroi Abdixhiku.

Lajme të ngjashme