Abdixhiku poston fotografi të ministrave të Kurtit: Në ditën e Kushtetutës le t’i kujtojmë shkelësit e saj
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në Ditën e Kushtetutës ka postuar një fotografi me disa nga ministrat e Kurtit të cilët e shkelën Kushtetutën, e të disa të tjerëve vendimet apo ligjet e të cilëve janë në proces juridik pranë Gjykatës Kushtetuese.
Abdixhiku ka thënë se në këtë ditë duhet t’i kujtojmë shkelësit e Kushtetutës, duke kritikuar Qeverinë Kurti.
Ai tutje ka shtuar se Kosova nuk e ka pritur këtë ndryshim, që pushtetarët e paprekshëm të qëndrojnë mbi ligj e mbi Kushtetutë.
Postimi i plotë i Abdixhikut:
“Në Ditën e Kushtetutës, le t’i kujtojmë shkelësit e saj. Ata të konfirmuar tashmë, e të tjerët në pritje.
Do të thonë se janë shkelje të lehta këto; se Kushtetuta është shkelë dhe nga të tjerët më parë. Por a është ky ndryshimi për të cilin Kosova kishte e ka aq shumë nevojë? Që pushtetarët e paprekshëm, të qëndrojnë mbi ligj e mbi Kushtetutë?
Urime Dita e Kushtetutës qytetarë. Kosovën do ta bëjmë vërtetë më të mirë një ditë. Sepse vendi ynë meriton më shumë; meriton më mirë!”
