Abdixhiku përkrah marrëveshjen në Bruksel, dënon joseriozitetin e Albin Kurtit - NACIONALE

Abdixhiku përkrah marrëveshjen në Bruksel, dënon joseriozitetin e Albin Kurtit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e ka përshëndetur marrëveshjen e arritur në Bruksel për çështjen e targave mes Kosovës dhe Serbisë. Ai ka thënë se rruga e vetme që garanton suksesin e vendit është bashkërëndimi me SHBA-të. Por, z.Abdixhiku është treguar më i ashpër në lidhje me Albin Kurtin, kryeministër i Kosovës, të cilën e cilësoi si joserioz.

Madje, sipas tij, e gjithë drama populiste e shkaktuar nga Qeveria Kurti ishte e panevojshme. Tutje, ai ka kërkuar nga institucionet e Kosovës të jenë më transparente me procesin e dialogut.

Çfarë tha Lumiri?

Që në hyrje, ai e ka shprehur qëndrimin qartë, duke theksuar se LDK e vlerëson marrëveshjen e arritur.

Lidhja Demokratike e Kosovës e vlerëson dakordimin e mbrëmshëm, të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së dhe më mbështetjen e ShBA-ve.

Siç edhe kemi theksuar në vazhdimësi, rruga e vetme që garanton suksesin e Kosovës është bashkërendimi i ngushtë dhe i përhershëm me partnerët strategjikë, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.” – shkroi i pari i LDK-së.

Por, ai e kritkoi Qeverinë Kurti për krejt dramën e shkaktuar me targat, duke theksuar se një gjë e tillë tregon joseriozitetin e drejtuesve aktualë të shtetit.

LDK-ja e ka parë si tërësisht të panevojshme dhe të dëmshme gjithë dramën populliste të krijuar nga institucionet kryesore të vendit gjatë ditëve dhe javëve të fundit. Kthimi dhe pranimi i marrëveshjes së njëjtë, pas gjithë dramës së shkaktuar, tregon joseriozitetin e drejtuesve aktualë të shtetit në përballje me përgjegjësitë e larta shtetërore. Kjo sjellje, përveç se ka lënduar marrëdhëniet e Kosovës me institucionet ndërkombëtare dhe shtetet mike, për të cilat Kosova ka nevojë, ka bllokuar dhe proceset kryesore integruese të vendit.” – shkroi Abdixhiku.

Shefi i LDK-së theksoi se partia e tij u kërkon më shumë transparencë në dialog Qeverisë Kurti.

LDK-ja u bën thirrje institucioneve të vendit që të jenë transparente për procesin e dialogut politik, nëpërmjet raportimit në Kuvend përpara përfaqësuesve të zgjedhur. Deklarimet e fundit të kryeministrit, përveç se kontradiktore, janë dhe tepër të paqarta, së këndejmi, ato krijojnë pasiguri në lidhje me drejtimin e këtij procesi jetik për Kosovën.” – përfundoi z.Abdixhiku.

Çfarë ndodhi mbrëmë?

Në orët e mbrëmjes të së mërkurës, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, konfirmoi se Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje për targa.

Sipas kësaj marrëveshje, Serbia do të ndalojë lëshimin e targave, kurse Kosova do t'i ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve.

"Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve. Unë do t'i ftoj palët në ditët në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm. E falënderoj përfaqësuesin special Miroslav Lajçak palët për punën e palodhur", shtoi tutje ai.

Siç shkroi shefi i diplomacisë evropiane, ditëve të ardhme do të ketë edhe diskutime të tjera.

Megjithatë, detaje interesante janë parë në marrëveshjen e plotë të publikuar tashmë në media. Nga komunikata zyrtare e Brukselit bëhet e ditur se palët do t'i respektojnë në tërësi marrëveshjet e mëparshme.

Paragrafi i dytë i pikës së tretë thotë qartë që të gjitha marrëveshjet e mëparshme do të respektohen.

"Palët pranojnë që të gjitha marrëveshjet e mëparshme do të respektohen", shkruan ndër të tjerash.

Veç kësaj, thuhet se evropianët do të vazhdojnë të lehtësojnë dialogun mes Kosovës e Serbisë.

Lajme të ngjashme