Abdixhiku: Atë që ka fituar Policia në Banjskë, duhet ta fitojmë në politikë e diplomaci
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë sot në seancën e Kuvendit të Kosovës se pas aksionit të fituar të Policisë në veri, Kosova tash i duhet mençuri fitojë edhe në politikë e diplomaci.
“Jemi në momentin tonë. LDK me te gjitha kapacitetet e saj, do të mbështesë gjithherë institucionet e Republikës në përballje të tilla” – ka thënë ai.
Tutje, Abdixhiku ka thënë se “atë që djemtë e vajzat tona e fituan ditën e 24 shtatorit në Banjskë, duhet ta fitojmë në politikë e në diplomaci”.
“Tani radhën ka politika. Dhe këtu ndërtohen kthesat e mëdha. Ne e kemi një mundësi të tillë. Është përgjegjësi e Qeverisë, dhe për këtë do ta ketë mbështetjen pa asnjë kalkulim, që këtë kthesë ta përkthej në avancim të pozicionit tonë ndërkombëtar.” – ka thënë Abdixhiku.
Më tej, sipas Abdixhikut pozicioni i Kosovës ka qenë i rënduar, duke përmendur se Kosova është ende nën masa ndërkombëtare dhe se duhet të ketë koordinim me aleatët.
“E vërteta e vetme është se për Kosovën do të ishte e pafalshme, të humbet një përballje me një Serbi që mbështetë dhe strehon terroristë. Prandaj sot duhet t’i mbajmë aleatët në krah. Duhet të ecim me ta. Pra jemi në momentin tonë.” – ka thënë ndër të tjera ai.
Gjithashtu, Abdixhuku ka thënë se në mbështetje të kriminelit Milan Radojiçiq, qëndronte Republika e Serbisë.
“Qëllimi ishte i qartë, siç u kuptua nga vet sponsorizuesit e sulmit terrorist, krijimi i një realiteti të ri ne veri. Për krijimin e këtij realiteti të ri duheshin dhe viktima. Ato vinin në formën e pelegrinëve vizitorë në Manastirin e Banjskës, si masë nxitëse e një përplasje të mëvonshme të Policisë së Kosovës me popullsinë civile në veri.” – ka thënë ai.
