A u shua VV-ja në Shqipëri? Nuk i punon as faqja në internet, pa aktivitet që dy vite e gjysmë - NACIONALE

A u shua VV-ja në Shqipëri? Nuk i punon as faqja në internet, pa aktivitet që dy vite e gjysmë

2 vjet më parë

nga Mirlind Behluli

Neni 1.3. i Kushtetutës së Kosovës, që ndalon ndryshimin e kufijve të shtetit kosovar, duket të jetë varrmihësi jo veç i idesë së bashkimit kombëtar, por edhe i vetë Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri. Prej ardhjes në pushtet të VV-së në Kosovë, aktiviteti i VV-së në Shqipëri është zero. ZERO me shkronja të mëdha.

Postimi i fundit në faqen e Qendrës së VV-së në Shqipëri është i moçëm, shumë i moçëm. Për herë të fundit, VV-ja e Shqipërisë ishte aktive në Facebook më 20 tetor të vitit 2021. Pra më shumë se 25-të muaj VV-ja e Shqipërisë nuk ekziston në rrjete sociale.

Publikimi i fundit është një intervistë e Boiken Abazit për “Euro News Albania”, i cili tashmë ka kohë që ka dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit të VV-së në Shqipëri. Krejt e paqasshme është edhe faqja e VV-së në internet (ueb faqja).

Përkundër që autori i këtij shkrimi provoi dhjetëra herë të futet në këtë uebfaqe, doli të ishte një punë sizifi, pra e padobishme. Megjithatë, nuk mund të konkludohet me shumë siguri nëse mosekzistenca në rrjete sociale korrespondon edhe me shuarjen në jetën reale të VV-së.

Gazeta Nacionale ka kontaktuar me zëdhënësin e VV-së, Arlind Manxhuka, për të marrë një qëndrim më të hollësishëm për këtë temë. Ai është pyetur nëse është mbyllur qendra e VV-së në Shqipëri dhe nëse jo, kush është aktualisht udhëheqës i saj. Megjithatë, deri në publikimin e këtij shkrimi, Manxhuka nuk ka kthyer përgjigje.

Abazi kishte njoftuar më 18 tetor të vitit 2021 për dorëheqjen e tij të parevokueshme nga drejtimi i VV-së në Shqipëri. Në dorëheqjen e tij, Abazi kishte shkruar se e ardhmja është e Lëvizjes Vetëvendosje (hmmm...e ardhmja e LVV-së në Shqipëri nuk ishte edhe aq premtuese, megjithatë).

“Në datën 15 shtator unë kam paraqitur dorëheqjen time të parevokueshme nga pozicioni i drejtorit ekzekutiv i Qendrës së Lëvizjes në Shqipëri, gjë që e kisha diskutuar edhe pas zgjedhjeve në Bordin e Qendrës, për të mbajtur përgjegjësitë e mia për rezultatet në Shqipëri. Kam pritur ta bëj këtë gjë publike, për shkak të situatës në veri të Kosovës dhe raundit të parë të zgjedhjeve lokale. Për hapat e radhës në Shqipëri jemi duke i vazhduar diskutimet.” – kishte shkruar Abazi, transmeton Nacionale.

Nuk dihen saktë arsyet e pasivizimit të VV-së në Shqipëri, ndonëse ekzistojnë dy hamendësime të fuqishme dhe jopërjashtuese ndaj njëra-tjetrës. Hamendësimi i parë lidhet me zgjedhjet e 25 Prillit të 2021, të cilat i fitoi në masë të madhe Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

Sjellim ndërmend që VV-ja kishte kandiduar në disa komuna në zgjedhjet parlamentare, përfshirë vetë Abazin, ish-drejtorin e kësaj qendre. Rezultati i VV-së në Shqipëri ishte krejtësisht katastrofal, duke marrë pak më shumë se 3300 vota.

Hamendësimi i dytë ndërlidhet me Nenin 1.3. të Kushtetutës së Kosovës, të cilin nen e kishte theksuar edhe kryeministri Kurti, duke e “akuzuar” si kundërthënës e ndalues të bashkimit kombëtar. Nëse Kushtetuta e Kosovës nuk e lejon bashkimin kombëtar, atëherë pse duhet të ekzistojë Qendra e LVV-së në Shqipëri – ka mundur të jetë linja e argumentimit në këtë qendër.

Disa nga figurat qendrore të VV-së në Shqipëri, megjithatë, kanë shumë ndikim në LVV e madje edhe në Qeveri të Kosovë. Dejona Mihali, Hysamedin Feraj (me prejardhje nga Gjakova), Elvis Hoxhaj, Enis Sulstarova, Arbër Zaimi e Boiken Abazi janë aktivë në VV, Qeveri e më së shumti në Facebook.

Sidoqoftë, tash VV-ja po synon të shtrihet edhe në Maqedoni të Veriut, ku jetojnë një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve, të cilët që shumë vite udhëhiqen nga Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim.

Lajme të ngjashme