A do t’i shtrihet Albin Kurti Antony Blinkenit? - NACIONALE

A do t’i shtrihet Albin Kurti Antony Blinkenit?

3 vjet më parë

nga Berat Buzhala

Të gjithëve na kujtohen sjelljet e kryeministrit mburravec në Kuvendin e Kosovës gjatë pranverës së vitit 2020 kur po i çonte selam Amerikës. Amerika është rikthyer në Kosovë. A do t’i shtrihet tash Albin Kurti?

Berat Buzhala

Me 8 nëntor në Amerikë do të mbahen, ato që njihen si midterm elections (zgjedhjet e mesmandatit), zgjedhje për një pjesë të Senatit dhe një pjesë të Dhomës së Përfaqësuesve, kurse prospekti për Partinë Demokratike nuk duket shumë i mirë. Një mori ngjarjesh kanë ndikuar që Partia Republikane të jetë favorite në këto zgjedhje, që janë të rëndësishme në disa dimensione, por posaçërisht për politikën e jashtme. Këtu na intereson ne. Jo vetëm ne. Politika e jashtme është shndërruar në Amerikë në politikë të brendshme. Bie fjala, zhvillimet dramatike në Ukrainë, potenciali i madh për t’u zhvendosur pak zjarr edhe në Taivan, pastaj edhe vatra të tjera mini-krizash, siç është Ballkani, ka ndikuar dhe mund të ndikojnë në ekonominë amerikane dhe atë botërore, por që në Amerikë përkthehet pastaj me ndryshim dramatik në atë që kush do të futet në Shtëpinë e Bardhë. Dikush do të thoshte Donald Trump ante portas.

Për këto dhe shumë arsye të tjera, Administrata e Joe Biden është duke funksionuar me të gjitha turbinat e ndezura, për 24 orë pa u ndalur, në mënyrë që ta parandalojnë çfarëdo rreziku që mund të vijë nga ndryshimi. Kurrë kështu nuk ka ndodhur. Ka aktivitet të dendur në menaxhimin e luftës Rusi – Ukrainë, ka aktivitet të dendur në Taivan, në Arabi Saudite, në Iran dhe në Ballkan. Të gjitha këto duken prioritet i Amerikës. Individualisht secila do të ishte kafshatë e madhe për t’u kapërdirë, e lëre më të gjitha përnjëherë. Jo të gjithë janë të kënaqur që në Shtëpi të Bardhë është Biden. Për shembull, duke i ditur qëndrimet e tij gjatë katër viteve në Shtëpi të Bardhë, disa po presin që aty të rikthehet Trump, ose fryma e tij. Madje po punojnë që të ndodhë një gjë e tillë. Arabia Saudite dhe udhëheqësi de fakto i Mbretërisë, Muhamed Bin Selman, i takon këtij kampi.

Te kthehemi këtu. Kryeministri Kurti dy vite më parë, kur po zhvilloheshin zgjedhjet në Amerikë, budallakisht e kishte lëshuar një video ku po e mbështeste Joe Bidenin për president. Budallakisht, jo pse Biden nuk e meritonte, por sepse shtetet - posacërisht ato fragjile siç është Kosova - nuk do të duhej të guxonin KURRË që të merrnin anë në politika të brendshme të shteteve të fuqishme, për më tepër aleate tona. Edhe nëse mundësia e fitorës së Trump do të ishte më e vogël se 10 për qind, rreziku për të punuar kundër tij ishte tepër i madh. Jo për individin Kurti, por për shtetin e Kosovës. I buzëqeshi fati dhe Biden e fitoi mandatin. Kjo gjë nuk duhet të përseritet kurrë në të ardhmen. Kosova duhet të ketë qasje bipartizane në politikën amerikane. Të dy partitë kryesore në Amerikë kanë punuar pa ndalur për shtetin tonë, prandaj me çfarë të drejte dikush në Kosovë, për më tepër dikush që i ka fituar 50 për qind, merr pozicione të tilla të rrezikshme politike. Luan bixhoz me fatin e popullit të tij.

Nëse Kurti ka menduar që duke e mbështetur Bidenin do t’i sigurojë vetes kredit të madh politik, është treguar leshko. Dhe kjo po shihet tash. Kurrfarë përfitimi të prekshëm nuk do të ketë Kosova prej asaj mbështetjeje. Administrata amerikane dhe politika e saj po vazhdon të sillet me delikatesë në Ballkan, e posaçërisht në raportet Kosovë – Serbi. Bile shumë më me delikatesë se sa më parë. Lufta Ukrainë – Rusi i ka hapur rrugë Amerikës që ta rikthejë Serbinë kah Perëndimi. Kjo ka qënë e pabesueshme vetëm disa muaj më parë. Serbia, ndonëse ende nuk i ka vënë sanksione Rusisë, në OKB votoi kundër Rusisë dhe pushtimit të Ukrainës. Hap i madh dhe historik i këtij shteti. Amerika dhe Perëndimi duket që po e çmojnë maksimalisht lëkundjen serbe. Ata kurrësesi nuk e duan një Bjellorusi në Ballkan, prandaj nuk po e shtyjnë Serbinë më shumë se sa duhet. Ndikimi rus në Serbi është i madh, kështu që nëse Vuçiq do të nxitohej për t’i ikur nga dora Putinit në Serbi do të mund të kishte revolta të pamenaxhueshme. Ndoshta edhe nuk do të kishte por kjo është valuta kryesore serbe në dialog me Kosovën. Dhe këtë administrata Biden e beson dhe e çmon.


Pra siç po shihet nga ai pozicionim pro Biden i Kurtit nuk ka ndonjë përfitim politik të Kosovës. Në këtë botë dinamike duhet ditur që edhe shtetet tjera janë të gjalla dhe i bëjnë llogaritë e tyre. Krejt çfarë Kosova ka arritur prej videos pro Biden të Kurtit është duke e marrë mbi vete rrezikun e fitores së Republikanëve, të cilët Kurti i ka armiqësuar. Kur po flas për republikanët në Amerikë tashmë nuk ka kuptim të flasim për ata republikanët e gardës së vjetër. Ka vite që ata janë zhdukur nga harta politike. Republikanët e rinj janë të gjithë, ose pjesa dërrmuese, derivat i Donald Trump. Edhe nëse ky i fundit nuk garon për President, ky e ka zhvendosur Partinë e Vjetër në tjerë binarë politikë.

Për shkak të gjithë këtyre zhvillimeve, për shkak se Kosova humbë më së shumti në ndryshimet e mundshme politike në Amerikë, jemi ne ata që po nxitohemi që t’i japim fund dialogut me Serbinë, në mënyrë që të mos e testojmë, përveç tjerash, mbamendjen republikane të pozicionimit të Kurtit. Nuk është puna që ata do ta mbanin mend, puna është që lobi serb do t’ua rikujtojë kurrë pa u ndalur.

Siç edhe e kemi parë tash së fundmi, nëpër institucionet tona është duke qarkulluar tashmë një draft marrëveshje, e njohur si Marrëveshja Bazë, e cila i jep fund kësaj faze të dialogut me Serbinë. Nuk është siç pritej, por është mjaftueshëm. Nuk është marrëveshje finale, nuk përfundon me njohje reciproke, por mëgjithatë e qetëson rajonin dhe e qet Kosovën në një pozicion më të mirë ndërkombëtar, ndoshta duke e bërë pjesë të OKB-së.

A është kjo ajo për të cilën ka folur Kurti dhe klika e tij? As për së afërmi. Kjo marrëveshje është në përputhje të plotë me logjikën e politikës së Kosovës në 30 vitet e fundit. Hapa të vegjël por të sigurtë në sinkron me miqtë tanë, përfshirë këtu Asociacionin, Kishën serbe dhe plot detaje të tjera jopopullore. Detaje me të cilat ka abuzuar Kurti e Osmani aq gjatë. I kanë rritur pritjet në publik, duke trumbetuar që Kosova po zhvillohej ngadalë, ose madje po ecte prapa sepse të tjerët para tyre nuk po dinin të silleshin ne arenën ndërkombëtare. Qesharake në thelb. Kosova dhe ndikimi i saj është një pikë ujë në det. Askush në Kosovë as nuk është aq i zgjuar e as me aq shumë ndikim, që ta ndikojë pozicionin tonë në botë. Vëmendjen e botës e kemi përfituar në shekullin e kaluar vetëm kur bota ishte bindur që po ushtrohej terror sistematik ndaj një popullit, kurse fati kishte rastisur që në krye të atij populli të ishte një njeri i mençur. Çdo model tjetër do të kishte dështuar.

Unë jam i bindur që marrëveshja e ardhshme me Serbinë është gjëja e duhur. Nuk po them që nuk duhet të marrim fare pjesë në dialog, sepse këtë punë për ne e kryejnë amerikanët, edhe pse dëshiroj të them që ndikimi ynë aty do të jetë një trohë më shumë se zero. Jo Albin Kurti e Vjosa Osmani, por edhe sikur në anën tonë të ishte i ulur Henry Kissingeri, prapë shumë pak do të ndryshonte. Gjërat janë pothuajse të kryera, prej Kurtit pritet të pajtohet.

Ky politikan i papërgjegjshëm i ka rritur pritjet te baza e tij që e ka kurrizin e fortë dhe që nuk e lejon t’i thyhet. Kishte deklaruar që nuk do t’i shtrihet Grenellit, ani pse është dëshmuar që ka vepruar keq dhe rrezikshëm. Krejt çfarë kemi parë nga marrëveshja e Grenellit kishte qënë një njohje e rëndësishme në Shtëpinë e Bardhë, siç ishte ajo e Izraelit. Gjithsesi shija e deklaratave të Kurtit ka qenë e hidhur. Fatin dhe kurrizin personal e kishte vënë para fatit dhe kurrizit të shtetit.

Gjërat tash kanë ndryshuar dhe Kurti këtë e di. Alarmi i tij i rrejshëm në vitin 2020 ishte pranuar me besim të plotë nga populli. Për të tjera arsye qytetarët në mënyrë të verbër e mbështetën atë, duke e rikthyer në pushtet një vit më vonë. Kryeministri i Kosovës tash e di që rrethanat janë tjera. E kishte prekur kulmin e tij politik me 14 shkurt të vitit të kaluar, kurse prej asaj date e tutje ai do të ketë vetëm rënie. Do të pesojë rënie edhe nëse i thotë PO marrëveshjes së ardhshme edhe nëse i thotë JO asaj. Do të zvogëlohet edhe nëse i shtrihet Blinkenit, edhe nëse nuk i shtrihet atij. Kjo për faktin që Kurtin e kanë votuar dhe i kanë besuar të dyja kampet, edhe ata që e duan një marrëveshje edhe ata që nuk e duan atë. Për më tepër, jo vetëm që e kanë votuar, por edhe ia kanë besuar atë.

Lajme të ngjashme