80 hektarët në Dren dhe Leshak: Çka duhet të dini për shpronësimet në veri - kushtin tjetër që përmendi Escobar - NACIONALE

80 hektarët në Dren dhe Leshak: Çka duhet të dini për shpronësimet në veri - kushtin tjetër që përmendi Escobar

10 muaj më parë

nga Dafina Demaku

Një ngjarje që i pati paraprirë tensioneve në veriun e Kosovës vitin e kaluar, është çështja e shpronësimeve në veri, përkatësisht në fshatrat Dren dhe Leshak të komunave Leposaviq dhe Zubin Potok. Megjithëse, mund të tingëllojë si një ‘temë me të cilën mund të mos jemi të familjarizuar edhe aq, si me problemet tjera që derivojnë nga veriu, me këtë temë, sot na ‘familjarizon’ Emisari amerikan, Gabriel Escobar, duke qenë që pikërisht kjo temë – pra shpronësimet në veri – do të jenë kusht tjetër (përveç Manastirit të Deçanit dhe Asociacionit) për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Çka duhet të dini? Nacionale shpjegon…

Tani, janë dy kushte të tjera që i kishte përmendur Këshilli i Evropës dhe që po i kërkojnë disa vende evropiane. Njëri është... [ka të bëjë] me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në veri. Dhe, tjetri është Asociacioni”, tha sot Emisari Gabriel Escobar, në intervistën për REL.

Si ta kuptojmë ‘kushtin e shpronësimeve’?

Në janar të vitit 2023, Qeveria e Kosovës pati filluar shpronësimin në komunën e Leposaviqit dhe të Zubin Potokut.

Një pjesë të tokës në këto komuna, Qeveria e kishte shpallur ‘pronë të paluajtshme me interes të veçantë publik, e cila është e nevojshme për realizimin e projekteve infrastrukturore me interes publik’.

Në shkurtin e vitit 2023, Qeveria e Kosovës kishte miratuar vendim përmes të cilit autorizonte Ministrinë e Mjedisit, që të kryejë punë përgatitore për të përcaktuar përshtatshmërinë potenciale të një ose më shumë parcelave të patundshmërisë, për realizimin e projekteve infrastrukturore me interes publik”.

Kjo, do të shndërrohej temë përplasjesh Qeveri dhe Aleatë (bashkësia ndërkombëtare).

Çka ndodhi, ndërkohë?

Raportuesja për Kosovën, Viola Von Cramon, do të paralajmëronte ‘konfrontim me Qeverinë për këtë temë’, duke e quajtur ‘vendim absolutisht të papranueshëm’.

Po, jemi të vetëdijshëm për një gjë të tillë (vendimin). Kjo është absolutisht e papranueshme. Dhe është një arsye pse kur të shkojë në Kosovë, do të shkojë edhe në veri të Kosovës, dhe definitivisht do të flas edhe me qytetarët e atjeshëm, dhe të kuptoj më shumë për çështjen, dhe më pas të konfrontoj Qeverinë në Prishtinë për situatën në terren. Kjo është një prej detyrave dhe është – do të thoja – një prej shqetësimeve më të mëdha për momentin. Sepse e shohim që stabiliteti – nëse mund ta quajmë stabilitet në veri – është shumë i brishtë.”, do të deklaronte Von Cramon para afro 10 muajsh.

Reagim pas reagimi do të pasonte në atë kohë dhe do të kulmonte me atë të Bashkimit Evropian, e që do të kërkonte që procese të tilla, të bëheshin me ‘njoftim paraprak dhe informim gjithpërfshirës të pronarëve të pronave”.

Shpëronësime që do të ‘rrokte’ fshatrat Dren dhe Leshak e ku parashihej ndërtimi i një stacioni policor kufitar, BE-ja do t’i quante ‘të ndjeshme për nga natyra’.

Ndërtimi i katër bazave të Policisë së Kosovës në tokë private dhe shoqërore - në disa raste para fillimit të procedurave të shpronësimit - ngre shqetësime për të drejtat pronësore në veri të Kosovës dhe duhet të adresohet në mënyrë adekuate nga autoritetet. BE-ja u kërkon autoriteteve të Kosovës që t'i përmbahen rreptësisht procedurave ligjore në shpronësimin e pronës së paluajtshme, të bëjnë të pamundurën për të siguruar që të ndiqet procesi i rregullt dhe se të drejtat pronësore të pronarëve dhe bartësve të interesit të prekur respektohen plotësisht”, do të deklarohej Bashkimi Evropian.

Ndërmjetësi i dialogut, Miroslav Lajçak, po ashtu do të deklarohej për ‘këtë shqetësim’ të cilin ia kishte ‘përçuar kryeminsitrit Kurti’.

Serbët nuk duhe të zihen në befasi por të jenë të informuar”, ka thënë Lajçak në përgjigjen ndaj medias, e cila e pyeti se a është në dijeni “se shpronësimet u shpallën pa dëgjim publik”, pati thënë Lajçak në një intervistë për KoSSeV.

(Harta: REL/ Vendet e pronave të shpallura me interes të veçantë publik)

Lajme të ngjashme