7 Marsi: Kurti kërkoi një Epope të re, por nuk filloi kurrë. Pse? - NACIONALE

7 Marsi: Kurti kërkoi një Epope të re, por nuk filloi kurrë. Pse?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Dy vite më parë, kryeministri Albin Kurti do të shprehte dëshirën për një Epope në arsim. Prej atëherë, s’ka lëvizur kurrgjë në arsim, që jep shenjat e fillimit të një Epopeje.

Në një seancë të para dy vitesh (7 mars 2022), kryeministri Albin Kurti në fjalimin e tij në Kuvend, do të kërkonte një Epope në arsim, ashtu siç është Epopeja e UÇK-së.

Si çdo kombi edhe ne na duhet një Epope e arsimit. Një Epope që e shpallë arsimin. Ashtu si Epopeja që kujtuam dje, pardje dhe sot, si Epopeja që na e shpalli vullnetin për bashkim, çlirim dhe pavarësi, po ashtu na duhet edhe një Epope që na e ngjallë inteligjencën, vendosjen e vullnetit në racionalitet.

Jam i vetëdijshëm se një shtet e një shoqëri, nuk mund të ecë përpara në politikë dhe ekonomi e në politikë, nëse nuk shoqërohet me një shqetësim shumë më të lartë sesa nevojat e përditshme është sukses i përkohshëm”, do të deklaronte Kurti më 7 mars 2022.

Një vit pas kësaj deklarate, jo që nuk filloi Epopeja e arsimit, por Kosova u katandis keq në testin PISA.

Rezultatet e testit që dolën në dhjetor 2023, renditën Kosovën të 77-tën me pikë.

As në matematikë, as në lexim, as kurrkund çka lypset në PISA, Kosova s’ia doli të ngjitet lart. Nga fushat kyçe për testim që ka PISA, matematikë dhe lexim, Kosova u rendit e 74-ta në të parën (matematikë) dhe e 76-ta në të dytën (lexim).

Kosova pësoi rënie në performancë me 11 pikë më pak, në krahasim me testet e vitit 2018.

Përplasja e Qeverisë Kurti me Sindikatën

Qeveria Kurti ka historik përplasjesh me Sindikatat në vend. Më e bujshmja është ajo me Sindikatën e Arsimit. Kur kjo e fundit, pati zhvilluar një grevë disa javore në vitin 2022, pikërisht në vitin kur Kurti po kërkonte Epopenë, Qeveria ndërmori ‘ofanzivë’ kundër kryetarit të SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj.

Kritikat që buronin nga pushteti, do të shpërndaheshin edhe nëpër rrjete sociale ku z.Jasharaj do të etiketohej e linçohej në format më brutale të mundshme.

E z.Jasharaj, në një shkrim autorial të publikuar sot, më 7 mars 2023, ka lavdata për mësuesit dhe kritika për Qeverinë.

Një pjesë e lavdishme e arsimit tonë ishin edhe vitet e 90-ta kur punëtorët e arsimit duke bërë sakrifica sublime mbrojtjen arsimin shqip duke mbrojtur dritën kundër errësirës. Bota demokratike u mahnit me këtë gatishmëri e sakrificë të punëtorëve arsimor të Kosovës dhe u qendroi pranë duke u dhënë përkrahje e motiv për të vazhduar për plot 9 vite me radhë në këtë mision të shenjtë.

Urime dhe respekt në këtë ditë të madhe të mësuesit dhe shkollës shqipe për të gjithë pishtarëve dijes që nëpër vite e dekada vazhduan misionin e shenjtë të edukimit të brezave”, shkruan ai.

“Tash kur në vitin 2024 po shënohet kjo datë e madhe e bazuar në realitetin e kohës dhe veprimet ndëshkuese të Qeverisë Kurti shtrohet pyetja e thjeshtë se çfarë do t’u thonë atyre kryeministri Kurti, ministri Murati e ministrja Nagavci ?

Ata meritojnë kritika sepse nuk realizuan kërkesën tonë për kushte më të mira të punës e për ta zëvendësuar shkumësin e shpuzën me mjete të punës të shekullit 21. Ata u munduan masa ndëshkuese e duke u kërcënuar edhe me ndalje të pagave të shuajnë zërin sindikal. Ata sollën zhgënjim me ligjin e pagave dhe shtuan shumë pakënaqësitë me rritjen ironike të koeficionetit të pagave nga 105 në 110 euro e jo sa ishte kërkesat e arsyeshme e jona që koeficienti të kishte vlerë se paku 130 euro. Ata po prekin në emër të ndryshimeve e plotësimit të ligjeve në të drejtat e fituara duke vështirësuar jetën e punëtorëve të arsimit e veçmas të pensionistëve.

Ata po veprojnë kokë me vete dhe po i ikin dialogut për ta dëgjuar zërin e mësuesit dhe shqetësimet e kërkesat e tij. Kemi edhe shumë kritika, por nuk po i themi që të mos zbehen krejt momentet në aktivitetet festive që SBASHK ka organizuar e po organizon edhe sot nëpër komuna e universitete në shenjë respekti të pishtarëve të dijes dhe ditës së madhe të mësuesit e shkollës shqipe”, shkruan Jasharaj.

Lajme të ngjashme