37 përgjigje për 37 shishka propagande të VV-së - NACIONALE

37 përgjigje për 37 shishka propagande të VV-së

10 muaj më parë

nga Col Mehmeti

16 shtator 2025 – Diskursi albinkurtist nuk ushtron më hegjemoninë e dikurshme dhe as nuk është i ndajmbathur me sipraninë e rrejshme morale.

Një qeverisje e padijshme, e përhumbur dhe e pavizion, që zgjati plot pesë vite, e ka konsumuar secilën kartë të lavdisë morale.

Vetë Kurti e regjimi i tij tani as nuk e marrin mundin të bëjnë apologji a të prodhojnë shpjegime. Por, kjo nuk do të thotë se mbështetësit e tij e kanë humbur davanë.

Si në filma të Ridley Scottit, edhe kur marrëzitë më të mëdha përfundojnë në rrënoja tragjedish, sërish do të ketë gomerë të rinj që do ta marrin flamurin e kauzave të humbura.

Kontigjentet mbështetëse të regjimit janë në aso gjendje ku nuk kanë asnjë autoritet të vetëm tek i cili do të gjenin shpjegim për realitetet gjithnjë e më të zgjyrta, gjithnjë e më tragjike.

Siç e dëshmuan edhe reagimet patetike me rastin e një shënimthi kritik nga Ben Blushi, mbështetësit fanatikë solidarizohen me cilindo që merr guximin të mbulojë me gjethe fiku cullakun e regjimit.

Një të tillë e gjetën te mbështetësi i palodhur i Vetëvendosjes, Ragip Rugova.

Ky prishtinas krenar, që patriotizmin e mat me albinkurtësi, i gozhdoi si të thuash nja 37 teza mbrojtëse për Kurtin, me ndjesi rëndësie që i barabitej Lutherit kur i gozhdoi 95 tezat e tij të famshme në Schlosskirche në Wittenberg.

Në vijim po i bashkëlexojmë një-për-një tezat me të cilat albinkurtistët e vegjël e racionalizojnë regjimin.

Xha Ragipi, ose Gipa po ta thërrasim me përkëdheli e respekt për babaxhanësinë e tij, e nis tekstin me “Albin Kurti do të mbahet mend”.

1. Ndalimin e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës.

Zgjedhjet e Serbisë janë ndaluar qysh prej mëvetësimit të Kosovës tash e 17 vjet më parë. Qëndrimi i secilës qeveri ka qenë i prerë në kuptimin që Serbisë nuk i është lejuar kurrë të qenit organizatore e zgjedhjeve në Kosovë. Lejimi i votimit për serbët me dyshtetësi nuk duhet ngatërruar me mbajtje të zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Kaq e thjeshtë është kjo punë sa pretendimi për të kundërtën mban erë manipulimi e dashakeqësie. Në të gjitha rastet, votimi i atyre serbëve me dyshtetësi është bërë duke e pasur OSBE-në si ndërmjetëse e lehtësuese.

2. Ndalimin e referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës.

Serbia nuk ka mbajtur askurrë referendum në tokën e Kosovës. Ndalimi i referendumit të 2022-s u shfrytëzua për të hedhur në çarshinë e thashethemeve përshtypjen sikur Qeveria e Kurtit ishte e para që u tha ‘jo’ referendumeve të Serbisë në Kosovë. Mbajtja e një pseudoreferendumi në pjesën veriore të Kosovës, më 2012, ishte nismë lokale e serbëve të veriut, që nuk përftoi asnjë konsekuencë të vetme. Asnjë! Përveç qëndrimit të prerë të Prishtinës, të gjitha ambasadat perëndimore me një gojë e cilësuan ‘ilegal’ një referendum të tillë.

3. Thyerjen dhe heqjen e barrikadave serbe nëpër rrugët e veriut të Kosovës.

Nga marsi 2020 kur e mori mandatin Qeveria Kurti 1 e deri më sot, Policia e Kosovës dhe institucionet e sigurisë nuk janë përfshirë në heqjen e asnjë barrikade. Kushdo që i qaset me seriozitet historisë së këtyre viteve mund ta verifikojë fare lehtë se Kurti dhe Sveçla nuk kanë hequr asnjë barrikadë në veri. Në shtatorin e 2021-s, pjesa veriore u paralizua për 13 ditë me radhë nga barrikaduesit serbë. Edhe në dhjetorin e 2022-s, rrugët drejt veriut mbetën peng i barrikadave për 18 ditë me radhë. Në të dyja rastet, kryeministri Kurti dhe ministri i tij nuk patën zemër për të dhënë urdhër për heqjen e barrikadave. I vetmi rast kur ato u hoqën nga Policia e Kosovës ishte në maj të 2019-s në kohën e ish-presidentit Hashim Thaçi.

4. Ndalimin e qarkullimit të automjeteve me targa ilegale serbe si PR, KM, PE, PZ, UR, GL dhe DJ.

Qeveria e Kosovës nuk ka ndaluar kurrfarë targash ilegale. Që t’i mbesim besnik të vërtetës, ajo është sprapsur nga vendimi i vet paraprak për ndalim të targave të tilla kur situata precipitoi në krizë e tensione. Të dyja palët u morën vesh në Bruksel për një modus vivendi. Marrëveshja e arritur më 30 shtator qe e tillë ku Kurti e pranoi ekzistencën e targave të Serbisë në Kosovë. Kompromisi ishte që të dyja vendet të vendosnin ngjitësa sipër targave që të mbuloheshin simbolet shtetërore.

5. Ndalimin e punës së bankave komerciale serbe që operonin pa licencë në Kosovë.

Asnjë bankë e Serbisë nuk është lejuar zyrtarisht në Kosovë. Tagrin për të autorizuar ose licensuar banka e ka pasur përherë BQK-ja, dhe qysh në Marrëveshjen e Brukselit, më 2013, është zëruar prospekti i ndalimit të operatorëve të paautorizuar bankarë. Ngulmimi i Prishtinës ka siguruar përkrahje në Perëndim me kushtin që ky të jetë një proces shkallë-shkallë më tepër sesa një akt. Si për shumë elemente të sovranizimit të shkallëshkallshëm, Prishtinës i është kërkuar vetëm një qasje më e kujdesshme për të jashtësuar mundësinë e tensioneve në pika që ishin nevralgjike.

6. Ndalimin e përdorimit të dinarit serb si monedhë për pagesa.

Kjo e mbërrime do të ishte e tillë vetëm nëse e vetmja e vërtetë do të ishte ajo që jepet nga propaganda e regjimit albinkurtist. Ajo të cilën e fshehin me kast propagandistët është se vendimi për ndalimin e valutës serbe ka prodhuar një nga përplasjet më të forta me Perëndimin. Qëndrimi i vendeve mike të Kosovës në asnjë rast nuk del të ketë qenë refuzim për logjikën sovranizuese sa kërkesë për të manovruar me kujdes për të shmangur shpërthimin e animoziteteve të panevojshme. Në mars të vitit të kaluar, ish-emisari amerikan, Gabriel Escobar, e kishte cilësuar këtë gjë si “çështje emergjente humanitare” që duhej të adresohej menjëherë. Me shumë gjasë, vendimi i BQK-së u pasua me një sprapsje të qendrave perëndimore nga kërkesat e tyre të mëparshme që i kërkonin llogari Serbisë për përfshirjen e saj në rastin e Banjës. Dhe këtë e mundësoi politika e pamend e populizmit që vihet në lojë nga triumfet efemere.

7. Ndalimin e operimit pa licencë të postave serbe në Kosovë.

Të njëjat konsiderata, si ato të mësipërmet, do t’i përshkruheshin edhe këtij rasti. Efektet e atypëratyshme elektorale u konsideruan më të rëndësishme sesa pasojat largvajtëse diplomatike.

8. Mbylljen e 14 laboratoreve të drogës, 6 prej të cilave operonin në veri të Kosovës.

Mbyllje laboratorësh të drogës ka pasur në vijimësi nga ana e Policisë së Kosovës. Meqë propaganda e regjimit e shkëput çdo diskutim nga sensi diakronik (kohor), atëherë aksionet policore ndaj trafikantëve të lëndëve narkotike, madje edhe në veri, janë ndërmarrë edhe në vitet 2018 e 2019.

9. Mbylljen e lojërave me kriptovaluta të cilat shpenzonin energji elektrike nga 100.000 €uro në muaj e të cilat paguheshin me taksat e qytetarëve (njëra prej të cilave ishte e kryetarit aktual të PDK- së).

Propaganda albinkurtiste i ka për zemër tejthjeshtëzimet ashtu që regjimin ta portretojë si të mirin e çdo rrëfimi, kurse tjetrin si të keqin e pandreqshëm. Policia e Kosovës nuk ka rreshtur veprimet e saj kundër aseteve kriptovalutore; porse çështja që nuk e prek fare ligjërimi i propagandës është projektligji për tregtimin e kripto-aseteve nëpërmjet të cilit do të regjistroheshin pronarët përfitues. Në këtë rrafsh edhe presioni opozitar ka qenë për procedimin tutje të këtij projektligji duke tërhequr vërejtjen mbi rreziqet e shumta që vinin nëse kjo dukuri lihej e pafrenuar (shpërlarja e parave, ndër të tjerash).

10. Mbyllja e shumë rrugëve ilegale në veriun e Kosovës ku kriminelët ekonomikë serbë e shqiptarë (shumë prej tyre pushtetarë shqiptarë) kontrabandonin mallra serbe pa i paguar asnjë taksë shtetit.

Kufiri mes Kosovës dhe Serbisë ka një shtrirje të gjithëmbarshme prej 380 kilometrash dhe ai nuk është vetëm në veri. Mbyllja e rrugëve të kontrabandës është vetëm njëra anë e medaljes, dhe për fat të keq Ministria e Brendshme e Xhelal Sveçlës më tepër është mjaftuar me përfshirjen e mbylljeve të këtyre rrugëve në regjistrin e të arriturave, por jo edhe mbikëqyrjen e tyre. Pasojë e kësaj është rihapja e tyre pas një kohe ose hapja e të tjerave.

11. Mbylljen e komunave dhe shkapërderdhjen e strukturave paralele serbe që operonin në Kosovë duke shfrytëzuar mbylljen e syve nga Qeveritë e përbashkëta të PDK-së, LDK-së, AAK-së, NISMA-s, AKR-së dhe Listës serbe.

Asnjë qeveri nuk i ka mbyllur sytë përballë strukturave paralele. Fakti që çështja e tyre është vënë përherë në listën e kërkesave nga ana e Prishtinës, flet qartazi se problemi me to asnjëherë nuk është shpërfillur. Si gjithmonë, rrëfimi i Vetëvendosjes do të ishte i vërtetë vetëm me çmimin që fushëpamja të kufizohej e ngushtohej asisoj sa të mos duket tabloja si e tërë. Se çfarë fshihej pas veprimeve me gjasmë sovraniste të Qeverisë së Kurtit, Ambasada e Gjermanisë e kishte dhënë një përgjigjje fort domethënëse. Sipas diplomacisë së Berlinit, mbyllja e institucioneve paralele në veri, sidomos atyre financiare, është e lidhur me krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (ASMM). “Kosova u zotua që në vitin 2013 të zbatojë ASMM-në, e cila do të sigurojë kornizën e duhur ligjore dhe institucionale për funksionimin efektiv të këtyre institucioneve”, ishte thënë në afishimin e ambasadës së Gjermanisë. Pra, në sytë e Berlinit Kurti po e krijonte një imazh sovranisti sa për konsum të brendshëm përpara se të vihet në jetë zotimi i marrë më 2013.

12. Heqjen e Kosovës nga sistemi energjetik i Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi dhe futjen e saj në sistemin energjetik me Shqipërinë.

Në të vërtetë, pjesa më e palavdishme e Qeverisë së Kurtit ishte pikërisht fusha e energjetikës. Kosova është e fundit në rreth-e-përqarkun rajonal për politika që shestojnë qëndrueshmëri energjetike. Që nga ardhja në pushtet e Kurtit, projektet e dikurshme ambicioze, mes të cilëve edhe investimi amerikan i ‘Countor Global’, u dështuan me qëllim, ashtu siç ndodhi edhe me tërheqjen e Kosovës nga nismat rajonale për tubacione gazi natyror. Të dyja këto projekte, në prospekt largvajtës, do ta shënjonin vendin në hartën energjetike të rajonit. Përkundrazi, Kosova e vendimeve të Kurtit – ku edhe komisarja e partisë së tij, Dejona Mihajli, i rraste hundët në çështje ekspertësh – është ajo e rrëfimeve për varësi të frikshme nga importet e mpleksje me mafinë energjetike, ku i përfshirë është edhe i mikluari Martin Berishaj.

13. Detyrimin e serbëve të veriut të Kosovës të paguajnë energjinë e shpenzuar elektrike (e cila për 20 vjet ishte paguar nga buxheti i Kosovës me vendime të Qeverive parardhëse).

Qeveria e Kurtit deri më tani nuk ka bërë asnjëfarë ‘detyrimi’ që qytetarët në veri të paguajnë energjinë e shpenzuar. Vetëm në dy vitet e para të mandatit, më 2021 dhe 2022, Qeveria e Kurtit e zgjidhi qesen e vet dhe pagoi plot 113 milionë euro për harxhimet e serbëve të asaj pjese. Të dhënat e fundit, për shembull ato nga shtatori i vjetmë, nuk është se janë kushedi sa optimiste për pagesa të energjisë. Zyrtarisht thuhet se 23 mijë konsumatorë në veri furnizohen me energji elektrike nga Kosova, por vetëm një përqindje e vogël e paguajnë atë. Po ashtu, Elektroserveri, të cilin Kosova e kishte licensuar si autoritet për t’i shpërndarë faturat e rrymës në veri, nuk ka bërë shkyçje të borxhlinjve.

14. Ndjekjen, vrasjen dhe burgosjen e kriminelëve serbë të cilët më 24 shtator 2023 në Banjë provuan të nxisin një konflikt të gjerë për të aneksuar 17% të territorit të Kosovës.

Versionet e Qeverisë së Kosovës mbi ngjarjet në Bajë kanë ndryshuar jo pak herë. Raporti i saj preliminar ishte vlerësuar në kufijtë e skandalit për nga gjuha joprofesionale, përciptësia dhe pamjaftueshmëria. Së fundmi në një intervistë me Grida Dumën, ish-ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla nuk u shkëput nga kundërthënie të thikta. Sipas tij, institucionet e Kosovës kishin qenë në dijeni se në Serbi po bëheshin përgatitje për një sulm në veri, porse këto grupe paramilitare e kishin pasur epërsinë e befasisë. Si është e mundur kjo? Në të vërtetë, Qeveria e Kurtit asnjëherë nuk dha përgjigjje sesi Milan Radojiçiqit dhe grupit të tij iu mundësua liri tërheqje anipse kishte qenë nën rrethim nga të gjitha anët.

15. Konfiskoi armatimin në vlerë prej 5 milionë €urosh e prodhuar në Serbi e të grumbulluar në Banjë për të mobilizuar një numër të konsiderueshëm terroristësh për të realizuar qëllimin aneksues.

Cilado Qeveri, Ministri e Brendshme apo Polici, në një rast analog, do ta ndërmerrte një gjë të tillë. Konfiskimi i armatimit u bë i mundur post festum, pra vetëm kur dikush nga ana e Qeverisë bëri marrëveshje që Radojiçiqit t’i lejohej tërheqje e patrazuar. Sigurisht që armatimi i mbetur pas do të konfiskohej, porse aparatet efektive të sigurisë më shumë do të duhej ta quanin për mburrje parandalimin e jo trajtimin e pasojave. Një fjalëurtë e moçme sa bota flet për atë hallën që i vuri shulin derës pasi e bëri atë punën.

16. Në aspektin ekonomik realizoi rritje dyshifrore të brutoproduktit vendor.

Rritja dyshifrore e brutoproduktit duhet të lexohet e përkthyer me atë sesi është pasqyruar në rritjen e mirëqenies dhe shëndetit ekonomik të vendit. Të gjithë parametrat tregues flasin për lëngatë të përgjithshme të një ekonomie që po tkurret përballë rënies së fuqisë punëtore, inflacionit dhe mungesës së investimeve.

17. E rriti buxhetin e shtetit për 1 miliard €uro.

Shtesa një miliard euroshe e buxhetit gjithmonë duhet të lexohet nëpërmjet inflacionit dhe vlerës reale të tij.

18. E rriti buxhetin e ushtrisë në 1 miliard euro (projekt).

Buxheti i tashpërtashëm për FSK-në nuk është në një vlerë të tillë sa e japin Ragipët (një projeksion dëshiror). Ushtria për sivjet i ka pasur të ndara 208 milionë euro, një shifër kjo sigurisht më e lartë sesa në vitet e mëparshme. Sidoqoftë, gjërat duhen lexuar në perspektivë e në krahasim me rrethepërqarkun. Këtë vit edhe vendet në rajon, ashtu sikurse edhe vitin e kaluar, kanë pasur alokime më të mëdha për sektorin ushtarak. Sa për krahasim, ushtria e shtetit fqinj, Maqedonisë së Veriut, ka një buxhet prej 332 milionë eurosh.

19. Ndau 300 milionë €uro subvencione për bujqësinë dhe i furnizoi shumë fermerë individualë me mjete të punës dhe kopshte serash me sisteme pikë-pikë të ujitjes.

Çuditërisht, vetëm propaganda e regjimit është sipas sistemit pikë-pikë. Suksesi i bujqësisë nuk matet me alokim buxhetor, por me rritje të bereqetit bujqësor në përputhje me nevojat e brendshme dhe sa mbetet për eksport. Në një analizë të sivjetme, NACIONALE ka sipërfaqësuar faktin se gjithë buxheti i Ministrisë së Bujqësisë shkon në pagesa subvencionale, gjë që nga ekspertët e huaj shihet si mungesë e vizionit për politika të mbara bujqësore.

20. Ndau shtesat për 400 mijë fëmijë të Kosovës.

Propaganda e regjimit e pëlqen ta theksojë shifrën prej 400-mijë përfituesish, gjë që jep përshtypjen e një sistemi tejet bujar social në përkrahje të fëmijëve. Ah, fëmijët e lumtur, pjesa më e dëshiruar e idilit të secilit regjim! Prej 2021-s kur filloi ekzekutimi i skemës për shtesa mujore, vlera e kësaj shtese është 20 euro për fëmijët në familjet me dy fëmijë dhe 30 euro për ata në familjet me tre ose më shumë fëmijë. Në rrethanat shpërfytyruese të inflacionit, fuqia blerëse e shtesave në fjalë është thjesht e pamjaftueshme, madje fyerje përtej çdo kufiri.

21. Ndau buxhet gjashtëmujor për 70 mijë lehona kosovare.

Të njëjat konsiderata vlejnë edhe në këtë çështje si në përgjigjen e mësipërme.

22. Rriti buxhetin për të keqtrajtuarit.

Cilët të keqtrajtuar?

23. Herë pas here ndihmoi pensionistët.

Herë pas here? Kontigjenti i pensionistëve, që sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës është mbi 145 mijë vetë, nuk do ta ndante entuziazmin e krenarinë e autorit propagandist, i cili edhe vetë është pensionist. Prej 2021-s e deri më tani i bie që pensionet janë rritur me vetëm 10 euro (ose 2.5 euro në vit), rritje që është tallje e vërtetë në dritën e shtrenjtimit prej 30 për qind të artikujve themelorë.

24. Subvencionoi shpenzimet e energjisë elektrike për një numër të madh familjesh kosovare.

Në pamje të parë, subvencionimi i shpenzimeve të energjisë ngjan sikur rahmet i Qeverisë dhe ndjeshmëri për hallet e secilës shtresë. Por, subvencionimi i shpenzimeve të energjisë përkthehet në arkëtim parash për KEDS-in që rrymën e ka shtrenjtuar vazhdimisht.

25. Subvencionoi izolimin e shtëpive duke ua ndërruar dyert, dritaret dhe kulmet.

Në verën e vitit të kaluar u hap thirrja për subvencionime për efiçiencë të shtëpive. Kjo gjë ishte bërë edhe në vitin paraprak. Nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë me 5 milionë euro në dispozicion, pritjet ishin që të miratoheshin rreth 1300 aplikime. Në një rast të tillë, shteti merrte përsipër që qytetarëve t’ua hiqte shpenzimet 45 për qind nga investimi i gjithëmbarshëm. Sidoqoftë, deri më tani ende nuk është bërë ndonjë raport se si janë proceduar subvencionimet, numri i tyre dhe përmbushja e projektit. Propaganda është mjaftuar vetëm me pompozitetin e shpalljes së vjetshme, por jo edhe për rezultatet. Ankesat e qytetarëve ishin që subvencionimi vështirë se përbën lehtësim në kushtet e pagave të ulëta dhe shtrenjtimit të çmimit të materialeve ndërtimore.

26. Subvencionoi një numër të madh të familjeve në blerjen dhe instalimin e pompave termike.

Megjithëse është kërkuar vazhdimisht nga politikat ekologjike të BE-së, subvencionimi i pajisjeve efiçiente ndonjëherë di të jetë edhe me sherr. Pasoja e vërejtshme ishte rritja marramendëse e shpenzimit dhe konsumit të rrymës elektrike.

27. Ndërtoi dhe riparoi shumë rrugë regjionale, ura, ujësjellësa e kanalizime. Ndërtoi urën e re mbi Ibër.

Hmm, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës është ikona e dështimit të vajtueshëm të Qeverisë Kurti. Puna katërvjeçare e saj kaloi në një konflikt të heshtur por të thellë midis ish-ministrit Liburn Aliu dhe ish-kryeministrit Albin Kurti. MMPH-ja i la të zhgënjyer edhe strofujt me mbështetës të VV-së, si Llapi. Rruga Podujevë-Prishtinë ishte premtuar të përfundonte në fund të 2022-s, porse afatet ishin shtyrë për fund të 2024-s e më pas për pranverën e sivjetme. Muajin e kaluar, punimet u ndërprenë krejtësisht pasi Instituti Arkeologjik dhe Inspektoriati i Trashëgimisë Kulturore vlerësuan se mund të prekej hapësira dhe asetet e trashëgimisë kulturore në fshatin Teneshdoll. Me fat si të Rozafatit të legjendave, pra e nisur dhe e papërfunduar, ka mbetur Autostrada e shumëtrumpetuar e Gjilanit, kurse ajo e Dukagjinit as që është nisur. Edhe për rrugën Prizren-Tetovë ka veçse shpresë të vagullt se do të kryhet në një të ardhme të afërt.

28. Ndërtoi disa shkolla.

Njoftimet e gjertanishme të Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit fare pak e kanë çikur numrin e vërtetë të shkollave të reja. Ndonëse të etur për të shkëputur statistika pompoze, Qeveria Kurti zor që ka ndonjë të arritur në fushën e arsimit. Ndërtimi i objekteve të reja shkollore e universitare ka fare pak gjasë të krahasohet me ndërtimet marrafrymëse që ishin bërë në periudhën 2007-2014.

29. Ndërtoi shumë çerdhe fëmijësh.

Çerdhet e reja as që do të duhej të përmendëshin në paletën e propagandistit. Ato janë testamenti më i papërgënjështrueshëm i një Qeverie që nuk arriti t’iu dalë zot premtimeve të dhëna. Në programin e Vetëvendosjes në fillim të vitit 2021 ishin premtuar 160 çerdhe të reja. Në bazë të disa prononcimeve të ish-ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, në proces të ndërtimit janë 71 çerdhe, porse vetëm 22 sosh janë përuruar deri më tani.

30. Ndau bursa për qindra nxënës e studentë.

Cilado qeveri nga 1999-a e deri më sot, qendrore ose lokale qoftë, ka ndarë bursa për nxënës e studentë. Ku është e veçanta e Kurtit këtu?

31. Ndau 320 milionë €uro për ushtrinë dhe për vitin 2026 buxheti i ushtrisë do të jetë 1 miliard €uro.

O zoti propagandist, në mungesë të të arriturave të njëmendëta, shpesh po i përsërit të njëjtat mburrje. Në përgjigjen e 18-të është dhënë saktë buxheti aktual për FSK-në dhe një krahasim me vendet përreth.

32. Bleu raketa ‘Jovalin’, drona ‘Bajraktar’, një numër të konsiderueshëm pushkësh me snajperë dhe shumë autoblinda.

Pjesa më e madhe e pajimeve ushtarake, përfshirë raktetat, dronët e armët e tjera, janë të tilla që janë porositur shumë kohë më parë sesa të vinte Kurti në pushtet.

33. E çliroi 25% të territorit të Kosovës dhe e shtriu sovranitetin në krejt territorin e Kosovës i cili territor për 22 vjet me heshtjen e ish-pushtetatëve kishte mbetur i okupuar.

Çlirimi i vendit është pjesa ku Lëvizja Vetëvendosje e krerët e saj do të duhej ta mbanin gojën të kyçur. Vetë Albin Kurti, në maj të 1998-s, kishte deklaruar që “nuk do të rrok armët për të luftuar”, një refuzim i qartë për të veshur uniformën e UÇK-së. Veriu i vendit, me komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq, nuk përbën 25 për qind të vendit, por 9.24%. Ky 10 përqindësh ka qenë përherë i njohur si pjesë e Kosovës, madje edhe para se të pavarësohej. Nga korriku i 2011-s, kur Qeveria e asokohshme e Hashim Thaçit i nisi njësitë elitare të Policisë së Kosovës për t’i vënë pikat doganore nën kontroll, prania e shtetit është rritur e rritur si pjesë e një procesi të përkrahur nga ShBA e BE.

34. Ndërtoi disa stacione policore përgjatë kufirit me Serbinë.

Propaganda albinkurtiste e ka për zemër të shërbehet me përemrin e pacaktuar disa ashtu që të krijohet ideja e tymtë e diçkaje të papërcaktuar, mundësisht një sasie që tingëllon e kënaqshme kur dëgjohet. Në të vërtetë, për pesë vite të qeverisjes së Kurtit janë ndërtuar dy nënstacione policore. Njëri është në fshatin Izvor të Zveçanit dhe tjetri në Leshak të Leposaviqit. Për këdo që e ka kundruar shtrirjen e qilimit të sovranitetit në pjesën veriore të vendit si një proces i shtrirë në kohë, atëherë edhe ngritja e dy nënstacioneve është veçse pjesë e tij dhe jo një mrekulli e regjimit. Prania institucionale e shtetit të Kosovës u tokëzua tamam kur njësitë speciale të Policisë së Kosovës (asokohe njiheshin me akronimin ROSU) u vendosën në hapësirat e kampit ‘Belvedere’ në lagjen Bair të Mitrovicës, që paraprakisht ishte shfrytëzuar nga kontigjentet belge të KFOR-it (BELUKOS).

35. Pengoi ‘Open Ballkanin’ që nuk ishte asgjë tjetër veç përtritje e Serbo-Jugosllavisë.

Dikur vetëm heroi i Servantesit, Don Kishoti, si kalorës anakronik, i shpallte të mundur armiqtë imagjinarë. Tani edhe regjimi i Kurtit shpall fitore aty ku nuk ka pasur as betejë e as armiq. Nisma rajonale për ‘Ballkanin e hapur’ ishte më tepër rrethanore e shkaktuar prej moratoriumit që e kishte shpallur më 2014 Jean-Claude Juncker. Procesi i Berlinit ishte menduar si kompensim duke propozuar bashkëpunimin ndërqeveritar të vendeve të Ballkanit Perëndimor ashtu që të zihej hapi i humbur. ‘Ballkani i hapur’, ndërkohë, ishte një tjetër improvizim i çastit e jo qëllim në vete meqë të gjitha qeveritë në rajon kishin skepsat e tyre rreth projektit në fjalë. Nisma në fjalë, duke qenë vullnetare në natyrën e vet, nuk varej nga Kosova, dhe rrjedhimisht në realizimin ose mosrealizimin e saj nuk kishte dorë aspak qëndrimi i qeverisë në Prishtinë.

36. Pengoi realizimin e planit famëkeq Thaçi-Vuçiq-Rama mbi korigjimin e kufirit me kompromis të dhimbshëm, kompromis me të cilin do të jepte 9700 hektarët më vitalë të veriut e do të merrte 4800 hektarë nga Lugina e Preshevës (nëse do t’ia jepte Vuçiqi), me ç’ rast Kosova do të humbiste hiç më pak se 4900 hektarë.

Propaganda e regjimit albinkurtist nuk do të arrinte kurrë suksesin e dëshiruar nëse nuk do të apelonte në imagjinatën e njerëzve. Dhe që të bëhet një gjë e tillë, faktet për të nuk janë në plan të parë, por mistifikimet, keqinformimet dhe gjysmë të vërtetat. Nuk ka pasur ndonjëherë ‘plan famëkeq’, aq më tepër aranzhime për korigjim të kufirit me shkëmbime hektarësh. Ajo që në vitin 2018 bëri emër si ‘land swap’, duke gëzuar vëmendje edhe në Perëndim, ishte një diskutim mbi shumë nga modalitetet hipotetike për një zgjidhje largvajtëse mes Kosovës dhe Serbisë. Shkëmbimi i territoreve, në të vërtetë, ishte çikur si mundësi nga vetë elitat politike shqiptare në vitet ’90 – duke pasur si zërues edhe vetë ish-presidentin Ibrahim Rugova. Në zemër të idesë në fjalë ishte shkëmbimi i territoreve me shumicë serbe në luginën e Kolashinit me ato me shumicë shqiptare në Luginë të Preshevës dhe një pjesë të Jabllanicës (Medvegjë). Për shkak të ndërlikimeve, ideja mbeti në nivel diskutimi, si prospekt opcional, por nuk u shkoqit asnjëherë si plan. Rrjedhimisht, është falsifikim i rëndë cilido pohim që flet për dhënie a marrje të kaq e kaq hektarëve.

37. Vuri nën kontroll kushtetues gjithë teritorin e Republikës së Kosovës, 10,887 kilometra katrorë.

Një pasaktësi e zakontë kjo për nivelin mediokër të bartësve të propagandës së regjimit! Ata nuk arrijnë të verifikojnë as fakte thelbësore për Kosovën. Republika e Kosovës ka një gjithsejt territorial prej 10.905 kilometrash katrorë e jo shifra e vjetër e atlasëve jugosllavë që përmendte 10.887 kilometra katrorë. Kontrolli kushtetues filloi me bartës të tjerë procesesh historike dhe, me sa duket, edhe do të përmbyllet me bartës të tjerë. Edhe vetë mbështetës të huaj të Vetëvendosjes, si Josip Juratoviq, kanë vënë në pah faktin që ato veprime që maskoheshin si sovraniste nuk ishin gjë tjetër veçse prodhim artificial krizash mes Vuçiqit dhe Kurtit. /Nacionale/

Lajme të ngjashme