3.3 miliardë euro importe vetëm në gjysmën e parë të 2025-ës, eksportet nën vlerën e periudhës paraprake
Teksa përpjekjet për të sabotuar jetësimin e legjislaturës e futën në muajin e pestë, deputeti i Vetëvndosjes, Albin Kurti vëzhgon – nga karriga e kryeministrit – numrat që i çjerrin një tjetër narrativë, të cilën nisi ta ndërtonte duke mbledhur meritë nga ajo çka gjeti kur mori pushtetin; orientimin e vendit drejt eksporteve.
Por, ajo që ndodhi në praktikë ishte një rreth vicioz: "orientimi" që ai premtoi për vendin u materializua, por me një ndërrim vendesh – 'eksporti' u zëvëndësua me vlera astronomike të importit.
Në gjysmën e parë të vitit 2025, importet arritën vlerën e 3 miliardë e 328 milionë euro, një rritje masive krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, ku importet shënuan vlerë e 2 miliardë e 879 milionë eurove.
| Viti | Importet (janar-qershor) | Eksportet (janar-qershor) |
|---|---|---|
| 2025 | 3 miliardë e 328 milionë | 415 milionë e 792 mijë |
| 2024 | 2 miliardë e 879 milionë | 422 milionë e 249 mijë |
Në anën tjetër, eksportet për periudhën janar-qershor 2025 arritën në 415 milionë e 792 mijë euro, duke shënuar madje një rënie nga viti 2024, ku eksportet ishin 422 milionë e 249 mijë euro.
Top produktet e eksportuara– si dyer dhe dritare, dyshekë, mobile, energji elektrike dhe pije, përfaqësojnë pjesën më të madhe të eksporteve gjatë gjysmës së parë të vitit 2025:
| # | Produkti | Vlera (në milionë €) |
|---|---|---|
| 1 | Dyer, dritare dhe skelete të tyre, dhe pragje për dyert | 24.268 |
| 2 | Pije freskuese (ujë me shtesa ëmbëlsuese dhe aromatizuese) | 23.140 |
| 3 | Energji elektrike | €13,741 |
| 4 | Mobilie të tjera prej druri | €12,363 |
| 5 | Dyshekë prej materialesh të ndryshme | €8,774 |
Në anën tjetër, importet janë dominueshëm të orientuara rreth mallrave të energjisë dhe industrisë së automobilave, nderimit dhe prodhimit te makinerive.
Kosova ka importuar energji elektrike me një vlerë prej 160 milionë eurosh për gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, ndërkohë që importet e energjisë gjatë të njëjtës periudhë në vitin 2024 arritën vlerën e 52.25 milionë euro.
| # | Produkti | Vlera (në milionë €) |
|---|---|---|
| 1 | Energji elektrike | €160,717 |
| 2 | Shufra çeliku jo të lidhur, të fraketuara [...] | €76,366 |
| 3 | Autoveturë, me motor me djegje të brendshme [...] | €68,721 |
| 4 | Cigare që përmbajnë duhan | €67,733 |
| 5 | Medikamente, të dozuara për shitje... | €54,883 |
Importet Serbia
Sipas të dhënave, importet nga Serbia për gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 arritën në 110.53 milionë euro. Gjatë së njëjtës periudhë të vitit paraprak, importet nga Serbia ishin 50.64 millionë.
Rikthimi masiv i importeve nga Serbia pasoi nga dorëzimi i Kurtit përballë masës kufizuese ndaj mallrave serbe, vendim i marrë në tetor 2024.
“Marrëdhënia e re e gjithsesi shumë e vjetër që po na imponohet, “Tregtia e Lirë” midis nesh dhe Serbisë, vendit që nuk na njeh as të drejtën për të ekzistuar, është e dëmshme dhe e gabuar.” – thoshte Vetëvendosje në vitin 2011, kur ndërmerrte aksione kundër maunave me mallra serbe.
| Periudha | Importi nga Serbia (në milionë €) |
|---|---|
| 6 mujori i parë 2024 | 50.64 |
| 6 mujori i parë 2025 | 110.53 |