27 shkurti, shefi i BE-së në Serbi: Takim i rëndësishëm në Bruksel
Shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Emanuele Giaufret ka shpalosur qëndrimin e tij mbi takimin e ardhshëm në Bruksel mes kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe të parit të serbëve, Aleksandar Vuçiq.
Giaufret, siç raportojnë mediat serbe ka thënë se ky është një rast historik që palët të arrijnë marrëveshje dhe kjo është arsyeja pse BE ka pritshmëri të mëdha që mund të përparohet në procesin e normalizimit të marrëdhënieve.
“Të gjithë liderët e Bashkimit Evropian (BE) kanë dërguar një mesazh shumë të fortë ditët e fundit se kjo është një mundësi historike dhe kjo është arsyeja pse ne kemi pritshmëri të mëdha që të mund të përparojmë në procesin e normalizimit dhe presim rezultatet e atij takimi".
Kujtojmë se takimi në fjalë tashmë është konfirmuar edhe nga zyrtarët e BE-së.
“Në takim do të diskutohet për Propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, u tha ditë më parë në njoftimin për takim të BE-së.

