250 euro zgjidhin problemin: Deputet Dimal Basha i 'kopjoi' fjalët kontroverse për ikjen e të rinjve - NACIONALE

250 euro zgjidhin problemin: Deputet Dimal Basha i 'kopjoi' fjalët kontroverse për ikjen e të rinjve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Përsëri rrjetet sociale u çaraveshën nga Dimal Basha. Dhe përsëri, me disa fjalë të mëdha të tij që... nuk janë të tijat. Çka tha Basha dhe çka tha shefi i tij?

Në një dokumentar të përgatitur nga Gazeta Blic në lidhje me ikjen e qytetarëve nga Kosova – një problem shumë serioz mbi të cilin mungon ligjërimi nga pushteti (VV) – deputeti Dimal Bsaha u shpreh pak-a-shumë se problemi i ikjes do të zgjidhej përmes Ligjit të Pagës Minimale. Pra, kur qytetarët të merrnin 250 euro në muaj nuk do të iknin më. Përkundër që logjika është fyese dhe moskuptuese ndaj situatës socio-ekonomike në Kosovë, ajo është bartur te Basha nga vetë kryeministri i Kosovës.

“Ne po synojmë edhe rritjen e pagës, për shkak se arsyja kryesore që ikin (qytetarët) janë pagat e vogla; nuk duhet të harrojmë që në leximin e parë ka kaluar Ligji për Pagën Minimale... aty përfshihen mbi 105 mijë qytetarë që marrin më pak se 250 euro neto dhe me pagën minimale zgjidhet ky problem, për shkak se 105 mijë qytetarë marrin më pak se 170 euro dhe kjo do të jetë një ndihmesë shtesë...” - u shpreh z. Basha.

Të gjitha këto fjalët e mësipërme janë thënë nga kryeministri i vendit, Albin Kurti paraprakisht. Natyrisht, përveç ndërlidhjes së këtyre shifrave - vërtetësia e të cilave është e kontestueshme - me problemin e ikjes së qytetarëve nga vendi.

Basha në atë dokumentar përmendi edhe shifra tjera që i kemi dëgjuar edhe në të kaluarën.

“Unë mendoj që, fakti që vitin e kalumë kemi pasë mbi 10 për qind rritje ekonomike flet shumë për rrugëtimin që jemi tu shku na. Për shkak se siç e dini qeveritë e kalume kanë pasë rritje 2 deri në 3 për qind edhe e kanë shitë si sukses. E para. E dyta, përkundër krizës që jemi tu e kalu prapë parashihet rritje ekonomike (për 2022) prej diku 3.9 për qind. Do të thotë, kjo është rritja reale tu e hjekë inflacioin. Unë mendoj që është sukses në vetëvete, shto këtu faktin që masat e mëtutjeshme kanë me ndihmu. Kjo qeveri është duke punu dhe mendoj se do ta ndalojmë (ikjen) me masa,” – u shpreh z. Basha.

Siç mund ta vëreni, sërish asnjë prej fjalëve të z. Basha nuk i takon z. Basha. Ato janë përsëritur e përsëritur pa pushim nga kryeministri Albin Kurti.

Megjithatë, Kurtit i ka munguar shpjegimi mbi ikjen e qytetarëve nga vendi, ashtu siç i ka munguar edhe mbi protestën e shumë kategorive për kushtet e vështirësuara ekonomike (siç ishte rasti me mësimdhënësit).

Megjithatë, para se të vinte në pushtet Kurtit nuk i mungonin fjalët mbi këtë problem madhor.

“Njerëzit më shumë po ikin (nga Kosova) se sa që po shkojnë. Kur shkon është e rëndësishme se ku po shkon. Kur ikë, është e rëndësishme se prej nga po ikë. Këtu më shumë kemi të bëjmë me ata që po ikin prej Kosovës se sa me ata që po shkojnë në një vend të caktuar. Njerëzit po ikin nga ky shtet, sepse iku prokurori Elez Blakaj. Kosova është vend prej të cilit nuk po ikin kriminelët, por po ikin prokurorët... Për t’i kthyer njerëzit, duhet ta kthejmë një herë Elez Blakajn.” – kishte thënë z. Kurti në një seancë në Kuvendin e Kosovës në prill të vitit 2019.

Duhet të kujtojmë se edhe një vit e gjysmë pas ardhjes së Kurtit në pushtet, ish prokurori Elez Blakaj nuk është kthyer në Kosovë.

Ndërkohë, në të njëjtën seancë duke folur mbi shkaktarët ekonomikë Kurti si opozitar kishte disa fjalë më serioze.

“Emigrimi që ndodh te ne natyrisht që ka shkaqe të forta ekonomike. Neve na ka ikur paraja... Orientimi i gabuar socio-ekonomik natyrisht se shkakton edhe këtë krizë të madhe për shoqërinë dhe vendit. Këtu dua të theksoj diçka të ndërlidhur... është hendeku i shkathtësive. Është lidhja e arsimit me ekonominë. Ky mbase është shkaku kryesor i ikjes së të rinjve.”

Në të njëjtin fjalim, Kurti përmendte edhe mungesën e banesave për çifte të reja – po ashtu, zotim i tij elektoral.

“Mungesa e banesave e çifteve të reja. Të gjithë jemi dëshmitarë se të rinjtë e të rejat tona në të 20-at fejohen, dhe kalojnë vite të tëra e nuk martohen. Sepse s’kanë ku të martohen. Janë të panumërta rastet kur çiftet e reja dalin të banojnë me qira dhe detyrohen të kthehen te prindërit. E ndoshta një ditë edhe ikin nga vendi. Banesat për çiftet e reja janë tepër të rëndësishme në mënyrë që të mos ikin rinia. Ne kemi nevojë për një Konferencë Kombëtare të Investitorëve, ku theksi është te diaspora...” - argumentonte Kurti.

Përkundër që kanë kaluar gati 19 muaj që nga ardhja e Kurtit në pushtet, ende nuk dihet se a po shkon drejt realizimit premtimi për banim social.

Natyrisht, Dimal Basha nuk mund t’i dinte fjalët e Kurtit si opozitar por vetëm ato si pushtet. Basha ka aderuar në Vetëvendosje në prag të zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit 2019, ndërkohë që dikur kishte qenë edhe kritik i ashpër i saj.

Lajme të ngjashme