2023-shi i dialogut - NACIONALE

2023-shi i dialogut

3 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Dialogu. Tavolina e negociatave. Brukseli. De-përshkallëzimi. Shtensionimi. Këto mbase ishin fjalët më të përdorura nga diplomatët ndërkombëtarë sa u përket zhvillimeve të fundit në veri të vendit, dhe jo vetëm.

Duke u bazuar në planin franko-gjerman dhe diskutimeve të shumta mbi të, parashihej që në mars të këtij viti të regjistrohej ajo "marrëveshja finale" mes Kosovës e Serbisë, marrëveshje kjo e shumëpërfolur, por që nuk precizonte saktë fundin eksplicit.

Megjithatë, ky vit pritet totalisht t'i kushtohet dialogut. Pas zhvillimeve në muajin dhjetor, ku u vendosën e ku u hoqën pas afër 20 ditësh.

Brukseli

Kryeqendra evropiane shumë shpejt pritet të jetë nikoqire e krerëve shtetërorë, kosovarë e atyre serbë.

Këtë veçse e kanë konfirmuar të dyja palët. Fillimisht kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë të pak ditëve më parë dhënë Agjencisë së Lajmeve, KosovaPress, ka thënë se procesi i dialogut do të intensifikohet, por pa shtuar detajet shtesë, nëse ky intensifikim pritet të tremujorin e parë të vitit apo jo.

“Është e pritshme që në janar do të ketë nisma të reja për të përgatitur takimet në Bruksel. Me datën 18 gusht ka ndodhur një takim në procesin e bisedimeve le të themi historik, por me h të vogël, pasi për herë të parë agjenda e ka pasur rendin logjik të gjërave...

Tri javë më vonë u bë propozimi që e kemi konsideruar si bazë e mirë për bisedime të mëtutjeshme nga emisarët specialë, të cilët erdhën edhe në Prishtinë me atë që është quajtur iniciativa franko-gjermane për marrëveshjen që i përngjanë dy Gjermanive me elemente dhe opsione të ndryshme”, kishte thënë ndër të tjerash Kurti për mediumin respektiv.

Në anën tjetër, i pari i serbëve, Aleksandar Vuçiq, ditë më parë pohoi se u kishte thënë përfaqësuesve evropianë që situata është më e rrezikshme sesa ata mendojnë. Në anën tjetër, ai shtoi se vendin që ai e drejton, e presin ditë të vështira, pasi do të ketë vizitat të shumta nga ndërkombëtarët, duke filluar që nga muaji i parë i vitit.

Sot në mëngjes i thirra përfaqësuesit evropianë dhe u thashë: ‘Kini kujdes, situata është shumë më e rrezikshme dhe më e vështirë sesa mendoni! Në gjysmën e parë të janarit pres që njerëzit e mëdhenj dhe të mëdhenjtë nga bota të vijnë tek unë dhe të më thonë se duhet të arrijmë një marrëveshje. Na presin kohë të vështira, por ne do të luftojmë. Deri më tani ne kemi luftuar dhe kemi fituar, kemi ruajtur paqen dhe stabilitetin”, ka thënë ndër tjerash ai.

Franca

Ministria e Punëve të Jashtme të Francës pak ditë para heqjes së postblloqeve, e kishte mirëpritur njoftimin për largimin e tyre, ndërsa kishte thënë se dialogu është e vetmja rrugë, ku në fund fare ftoi edhe palët që t'i zbatojnë detyrat.

Përmes një komunikate për media, u ka bërë thirrje autoriteteve të të dyja vendeve që të punojnë për t’i zbutur tensionet dhe për të ecur drejt një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.

“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve serbe dhe kosovare që të vazhdojnë të punojnë në mënyrë konstruktive për të zbutur tensionet në terren dhe për të ecur drejt një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE.” – thuhej në komunikatën e pak ditëve më parë.

“Të gjitha angazhimet e marra si rezultat i këtij dialogu duhet të zbatohen”, thuhej në pjesën e fundit.

Gjermania

Zëvendës-zëdhënësja e qeverisë gjermane, Christiane Hoffmann ka mirëpritur uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

Përkundër faktit se nuk pranoi të komentojë kërkesën e Kosovës për shtimin e trupave të NATO-s në rajon, ka thënë se heqja e barrikadave është shenjë e mirë e përafrimit të palëve.

Kjo është një shenjë e mirë, që të dy palët janë afruar me njëra-tjetrën dhe se pakica serbe në veri të Kosovës i ka hequr barrikadat”, tha ndër tjerash Christiane Hoffmann në Berlin.

Kujtojmë se diplomatët gjermanë, duke filluar nga Ministrja e Jashtme, Baerbock e edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, kanë qenë më të zëshmit ndaj strukturave kriminale në veri të vendit, ata që edhe vendosën barrikadat, me dirigjim të plotëfuqishëm nga Beogradi.

Lajme të ngjashme