Paralajmërohet janar i “nxehtë” në dialogun Kosovë - Serbi
Fundi i vitit 2022 ka sjell shtensionimin e situatës në veri të vendit. Largimi i barrikadave ia ka hapur rrugën vazhdimit të dialogut drejt marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës dh Serbisë.
Në ditët e fundit të vitit 2022 është paralajmëruar një valë e re e dialogut në ditët e parë të vitit të ri në Bruksel.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, kanë bërë me dije se presin një janar të “nxehtë” në procesin për arritjen e marrëveshjes finale.
I pari i Qeverisë së Kosovës ka pranuar se procesi i dialogut do të intensifikohet.
“Është e pritshme që në janar do të ketë nisma të reja për të përgatitur takimet në Bruksel. Me datën 18 gusht ka ndodhur një takim në procesin e bisedimeve le të themi historik, por me h të vogël, pasi për herë të parë agjenda e ka pasur rendin logjik të gjërave... Tri javë më vonë u bë propozimi që e kemi konsideruar si bazë e mirë për bisedime të mëtutjeshme nga emisarët specialë, të cilët erdhën edhe në Prishtinë me atë që është quajtur iniciativa franko-gjermane për marrëveshjen që i përngjanë dy Gjermanive me elemente dhe opsione të ndryshme”, ka thënë Kurti, në një intervistë për “Kosovapress”.
Megjithatë, ia ka deklaruar se Serbia nuk është e gatshme me marrëveshje me Kosovën.
“Unë besoj se aty thirrja që bëhet në vlera demokratike evropiane është pozitive, por procesi negociator do të tregojë si do të shkojë më tutje. Por është e qartë se Serbia nuk është e interesuar për marrëveshje dhe dialog. Ajo është e interesuar vetëm për shkaktim të krizave në të cilat mandej shfaqet vetë si faktor që i zgjidh ato”, është shprehur Kurti.
Edhe presidenti serb ka paralajmërua se do të këtë punë me njerëz të fuqishëm të Evropës dhe Amerikës për çështjen e dialogut me Kosovën.
Ai ka paralajmëruar se në këtë proces Serbinë e presin kohëra të vështira.
“Sot në mëngjes i thirra përfaqësuesit evropianë dhe u thashë: ‘Kini kujdes, situata është shumë më e rrezikshme dhe më e vështirë sesa mendoni! Në gjysmën e parë të janarit pres që njerëzit e mëdhenj dhe të mëdhenjtë nga bota të vijnë tek unë dhe të më thonë se duhet të arrijmë një marrëveshje. Na presin kohë të vështira, por ne do të luftojmë. Deri më tani ne kemi luftuar dhe kemi fituar, kemi ruajtur paqen dhe stabilitetin”, është shprehur Vuçiq, një ditë më parë.
Ndërmjetësit presin progres urgjent
Edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, që ndërmjetësojnë procesin e dialogut, kanë bërë me dije se largimi i barrikadave krijon një atmosferë të favorshme për arritjen e marrëveshjes.
Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë për “Politico”, se tani e rëndësishme është të mos lejohet të përsëriten tensionet në veri.
“Ajo që është me të vërtetë e rëndësishme tani është që të mos lejohet që situata të kthehet në një krizë tjetër dhe është e rëndësishme që liderët e Kosovës dhe Serbisë të fillojnë të krijojnë një atmosferë të favorshme për diskutime produktive për normalizimin e marrëdhënieve.”, ka thënë Lajçak.
Edhe shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borell, ka thënë se tani duhet progres urgjent në dialogun Kosovë-Serbi.
Në llogarinë e tij në “Tëitter”, ai është shprehur i kënaqur me shtensionimin e situatës në veri.
“Diplomacia mbizotëroi në shtensionimin e tensioneve në veri të Kosovës. Dhuna kurrë nuk mund të jetë zgjidhje. E mirëpresim lidershipin e përgjegjshëm të presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti. Punë e madhe ekipore e BE-së, ShBA-ve dhe KFOR-it. Falemnderit të gjithë të përfshirëve. Na duhet tash progres urgjent në dialog.”, ka shkruar Borrell.

