19 ditë: Barrikadat vendosen edhe në Serbi, mërgimtarët të bllokuar
Janë bërë 19 ditë që kur grupet kriminale serbe kanë vendosur në pjesën veriore të Kosovës dhjetëra barrikada, duke e pamundësuar kështu lëvizjen e lirë të qytetarëve në atë zonë. Sikur të mos mjaftonte kjo, të martën mbrëma, serbët vendosën barrikada rreth dy kilometra larg pikëkalimit kufitar në Merdare. Si rrjedhojë, ky pikëkalim është mbyllur. E me qindra bashkatdhetarë kanë mbetur të bllokuar, duke pritur në kolonë, pas këtij veprimi të serbëve. Nga institucionet kosovare u është bërë apel mërgimtarëve që t’i zgjedhin pikat e tjera kufitare për të ardhur në Kosovë.
Merdarja - një prej pikëkalimeve kufitare me Serbinë, e cila përdoret në masë të madhe nga diaspora kosovare - u mbyll të martën e 27 dhjetorit si pasojë e vendosjes së barrikadave nga serbët.
Ky veprim u bë për ta pamundësuar lëvizjen e lirë të bashkatdhetarëve që për festat e fundvitit vijnë në Kosovë.
Për situatën reaguan edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD). Përmes një postimi në rrjetin social "Facebook", kjo ministri tha se “grupet kriminale serbe e kanë bllokuar pikën kufitare në Merdare”.
“Njoftohen të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të shfrytëzojnë pika të tjera kufitare për qarkullim deri në një informim tjetër zyrtar nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës”- thuhet në njoftim.
MPJD-ja udhëzon qytetarët që tashmë kanë hyrë në Serbi, që t’i përdorin pikat kufitare në Mutivodë, te Dheu i Bardhë ose të marrin rrugë përmes Maqedonisë së Veriut -pikëkalimi kufitar i Preshevës - përmes Shkupit.
E kalimi u bllokua në Kurshumli, rreth 2 kilometra larg pikëkalimit kufitar. Qytetarët kanë vendosur në rrugë një kamion me rimorkio dhe traktorë.
Në videon që do ta shihni më poshtë, shihet se si serbët i fyejnë rëndë shqiptarët.
Barrikaduesit kanë thënë se pa u liruar Dejan Pantiqi, Miljan Axhiqi dhe Sllagjan Trajkoviqi, nuk do t'i largojnë barrikadat e vendosura në rrugë.
E në po të nj 137jtën ditë, këtë herë në brendësi të territorit të Kosovës, më 27 dhjetor, herët në mëngjes, u vendosën dy barrikada të reja, njëra nga to në afërsi të Lagjes së Boshnjakëve - vendbanim multietnik, ku jetojnë shqiptarë, serbë dhe boshnjakë. Rruga ku është vendosur barrikada, është njëra prej rrugëve që e lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut.
Ndërkohë barrikadat e tjera janë të vendosura kryesisht në rrugë magjistrale që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat e lidhin Kosovën dhe Serbinë.
Në anën tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, deklaroi me 27 dhjetor se ka vizituar disa njësi të Ushtrisë së Serbisë “diku midis Kralevës dhe Rashkës”, dhe paralajmëroi një takim me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, por pa dhënë më shumë detaje.
19 ditë me barrikada
Që kur janë ngritur barrikadat, në veri të Kosovës janë shënuar një numër incidentesh me armë zjarri, granata dore dhe shok-bomba.
Më 10 dhjetor, disa serbë lokalë në veri të Kosovës ngritën barrikada në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak. E gjithë kjo si përgjigje ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga autoritetet e rendit në Kosovë nën dyshimin se ai ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.
Megjithëkëtë, në veri të Kosovës vazhdimisht po raportohet për sulme ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), patrullave të KFOR-it dhe gazetarëve.
Sidoqoftë, institucionet kosovare vazhdojnë të theksojnë se janë duke e pritur KFOR-in për heqjen e këtyre barrikadave. E nëse KFOR-i nuk reagon, mbajtësit e rendit në Kosovë po thonë se barrikadat do t’i largojnë ata vetë.


