15-vjet nga përfundimi i bisedimeve për statusin e Kosovës, rruga dhe sfidat
Sot shënohet 15-vjetori i përfundimit të bisedimeve për statusin e Kosovës. Më 10 mars 2007, bisedimet e ndërmjetësuara në mes të palës serbe e asaj kosovare, të mbajtura në Vjenë, përfunduan pa marrëveshje. Kjo për shkak të shumë arsyeve, kryesorja duke qenë, mospranimi i kërkesave të Kosovës nga Serbia.
Si filloi përpjekja për definimin e statusit të Kosovës?
Kosova kurrë nuk reshti së kërkuari drejtësinë, pavarësisht se u përball me padrejtësi për një kohë të gjatë.
Në vitet e pasluftës, në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, Kosova kërkoi zgjidhje përfundimtare për statusin e saj. Kjo kërkesë, e bazuar në të drejtën për liri e pavarësi, filloi të merrte formë rreth vitit 2005.
Më 31 tetor 2005, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së njoftoi Këshillin e Sigurimit për planin e tij për të emëruar Marti Ahtisarin (Martti Ahtisaari), ish-president i Finlandës, si të dërguarin e tij të posaçëm për procesin e statusit të ardhshëm për Kosovën, si dhe Albert Rohan, një diplomat austriak, si zëvendës i të dërguarit special. Emërimet e tyre u mbështetën nga Këshilli i Sigurimit në një letër të datës 10 nëntor 2005, ku thuhej:
“Në cilësinë e të dërguarit special, z. Marti Ahtisari do të udhëheqë procesin politik për përcaktimin e statusit të ardhshëm të Kosovës në kontekstin e rezolutës 1244...”
Përse përfunduan bisedimet pa marrëveshje?
Në bisedimet që filluan në Vjenë në vitin 2006, të pranishëm nga delegacioni kosovar ishin Fatmir Sejdiu, Agim Çeku, Kolë Berisha dhe të tjerë. Kurse nga ai serb, Boris Tadiq, Vojisllav Koshtunica dhe të tjerë. I dërguari i OKB-së për statusin ishte Marti Ahtisari (Martti Ahtisaari).
Kërkesat e Kosovës konsideroheshin të papranueshme për Serbinë, si rrjedhojë, 14 muaj bisedime nuk sollën asnjë marrëveshje konktete mes palëve.
I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Marti Ahtisari (Martti Ahtisaari), atëkohë shprehu zhgënjimin e tij në lidhje me mënyrën se si përfundoi dialogu.
“Me gjithë këto përpjekje, unë kisha shpresuar dhe doja shumë që ky proces të çonte në një marrëveshje të negociuar. Por kjo më ka lënë pa dyshim se qëndrimet përkatëse të palëve për statusin e Kosovës nuk përmbajnë asnjë bazë të përbashkët për të arritur një marrëveshje të tillë”, kishte thënë ai.
Kosova po kërkonte me çdo kusht atë që i takonte, pavarësinë. Serbia, nuk e pranonte këtë kërkesë.
Mark Ueller (Marc Weller), profesor i së drejtës ndërkombëtare dhe studimeve kushtetuese ndërkombëtare në Universitetin e Kembrixhit, në një artikull kushtuar kësaj tematike, ka shpjeguar përpjekjen e bisedimeve të Vjenës për të arritur një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe arsyet e mosarritjes së kësaj.
Sipas tij, palët kanë mbajur pozicione diametrikisht të kundërta duke ditur se Kosova nuk do të pranonte zgjidhje tjetër pos pavarësisë, të cilën Serbia e konsideronte të papranueshme.
“Nuk ka qenë kurrë e lehtë përpjekja për të bërë të pamundurën. Megjithatë, negociatat e Vjenës për statusin përfundimtar të Kosovës dukej se përfaqësonin një përpjekje për të bërë pikërisht këtë. Dy palët në negociata, qeveria e Republikës së Serbisë dhe autoritetet e Kosovës së administruar nga ndërkombëtarët, mbajtën qëndrime diametralisht të kundërta. Dihej se Kosova mbante qëndrime diametralisht të kundërta. Dihej se Kosova nuk do të kënaqej me asgjë tjetër veç pavarësisë. Nga ana tjetër, pavarësia e Kosovës ishte krejtësisht e papranueshme për Serbinë. Çdo ndërmjetësues, sado me përvojë, do ta kishte shumë të vështirë të gjeneronte një proces negociues që do të ishte i aftë për të kapërcyer këtë pikënisje jo premtuese. Kjo dukej si një lojë shumë e vështirë nëse ka pasur ndonjëherë një të tillë.”, ka shkruar Ueller.
Pavarësia e fituar pas marrëveshjes së dështuar
Edhe pse këto bisedime nuk sollën marrëveshje konkrete, misioni i Kosovës për pavarësi nuk u ndal.
Në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, Kosova kërkoi zgjidhje dhe mori përkrahje.
Më 2 shkurt 2007, i dërguari i posaçëm Marti Ahtisari shkoi në Beograd dhe Prishtinë ku ua paraqiti draftin e tij të Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, Presidentit të Serbisë Boris Tadiq, Presidentit Fatmir Sejdiu dhe Ekipit të Unitetit. Propozimi pëfshinte një gamë të gjerë çështjesh në lidhje me të ardhmen e Kosovës me theks të veçantë në mbrojtjen e komuniteteve joshqiptare në Kosovë, veçanërisht të pakicës serbe.
Propozimi përfshinte dispozita që mbulonin:
Dispozitat kushtetuese, të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, decentralizimin e qeverisjes lokale, sistemin e drejtësisë, trashëgiminë fetare dhe kulturore, borxhin ndërkombëtar, pronat dhe arkivat, sektorin e sigurisë së Kosovës, etj.
Kjo konsiderohej edhe si nisma e krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës.
Ky dokument së pari iu dorëzua Beogradit, e pak orë më vonë Ahtisari mbërriti edhe në Kosovë.
Tashmë qasja e Perëndimit veçse dihej, përkrahja e tyre për pavarësinë e Kosovës ishte e qartë.
Pas zhvillimeve e negocimeve të vazhdueshme, më 17 shkurt të vitit 2008, Kosova u shpall shtet i pavarur. Deri me tani Kosova është njohur prej më shumë se 100 shteteve dhe është bërë anëtare e dhjetëra organizatave ndërkombëtare. /Nacionale/