100 mijë euro më shtrenjtë: Kompania e afërt me këshilltarin e Kurtit fiton tender nga ministria e Liburn Aliut
Shtatë kompani ishin ofertuese në tenderin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në lidhje me mirëmbajtjen e aplikacioneve për cilësinë e ajrit dhe informimin e publikut për parashikimin treditor. Sidoqoftë, tenderin nuk e fitoi kompania me vlerën më të ulët, por njëra që kishte dhënë ofertë me çmim shumë më të lartë se sa tri kompani të tjera. Bëhet fjalë për “Cacttus”, e cila qëllon të jetë edhe një prej kompanive ku dikur drejtor ishte Lulëzon Jagxhiu, tani, këshilltari i kryeministrit Albin Kurti.
Plot 252 mijë e 756 euro pritet t’i kushtojë ministrisë që udhëhiqet nga Liburn Aliu dhënia e një tenderi për mirëmbajtjen e aplikacioneve për cilësinë e ajrit dhe informimin e publikut për parashikimin treditor të cilësisë së ajrit.
Me këtë kontratë, është shpërblyer Grupi i Operatorëve Ekonomik “Cactus”, kompani kjo që ka ofruar çmim më të lartë se tri kompani të tjera.

Kompania që ofroi vlerën më të ulët për të mirëmbajtur këtë aplikacion është “Eramed” e cila kishte dhënë si çmim 151 mijë e 200 euro.
Në bazë të llogaritjeve, del se MMPHI do t’i japë 101 mijë e 556 euro më shumë fituesit të tenderit, se sa çmimi më i ulët i ofruar nga kompania e lartëpërmendur.
“Cacttus” dhe lidhja me këshilltarin e Kurtit
Kompania “Cacttus”, për drejtor dikur kishte Lulëzon Jagxhiun, i cili tani është këshilltar politik i kryeministrit Albin Kurti.
Burime të ndryshme të gazetës Nacionale kanë pretenduar se Jagxhiu ende ka lidhje me këtë kompani, ndonëse ka qenë e pamundur që t’i konfirmojmë zyrtarisht.
Ky burim i cili është i njohur me procesin e këtij tenderi, i tha Nacionales se dyshohet për ndikim të të njëjtit në këtë tender.

Nacionale e ka kontaktuar Jagxhiun, po ashtu edhe kompaninë që ka fituar tenderin, por deri në momentin e publikimit të këtij teksti asnjëra palë nuk ka kthyer përgjigje.
Jagxhiu, i cili duket se nuk është përdorues i rrjeteve sociale, ka një llogari në Linkedin ku shihet se ka punuar në “Cactus” deri në vitin 2021, periudhë kjo edhe kur e mori pozitën si këshilltar i kryeministrit Kurti.

Ministria e Infrastrukturës mohon ndikimin
Nacionale ka kontaktuar Ministrinë e Infrastrukturës për të kuptuar se mbi cilat kritere është dhënë kjo kontratë. Nga ky dikaster, po pretendojnë se rekomandimi është bërë në bazë të kriterit të “çmimit më të ulët të përgjegjshëm”.
“Sa i përket pyetjes së pare ju njoftojmë se, rekomandimi për dhënie të kontratës për ”Grupin e Operatorëve Ekonomik Cacttus Sh.a.; HARRISIA SH.P.K” , është bërë në bazë të kriterit te çmimit më te ulët i përgjegjshëm dhe në bazë të kërkesave të caktuara në njoftimin për kontratë dhe dosjen e tenderit”, kanë thënë nga ministria.
Nacionale ka pyetur këtë institucion edhe nëse afërsia e këshilltarit të kryeministrit me kompaninë ka ndikuar në dhënien e kontratës, por këta, siç pritej mohuan një gjë të tillë.
“Ndërsa, lidhur me pyetjen e dytë, ju sigurojë se sa i përket këtij aktiviteti i gjithë procesi i Prokurimit ka shkuar sipas LPP-së, duke u vlerësuar nga një komision profesional, dhe me procedure të hapur për të gjithë OE të interesuar dhe, nuk ka pasur as edhe ndikimin më të vogël askush nga zyrtarët brenda Ministrisë e aq më pak nga personi në fjalë për të cilin ne si zyrë e Prokurimit nuk kemi pasur ndonjë ndikim nga i lartë përmenduri”, na thanë nga MMPHI.
Kompanive u refuzohet ankesa – vazhdojnë në OSHP
Tri kompani që morën pjesë për të fituar këtë tender, janë ankuar rreth vendimit të Autoritetit Kontraktues i cili u bë publik më 17 tetor 2022.
Kompanitë “Dooel”, “Rener” dhe “Vitech” kanë marrë përgjigje të martën më 25 tetor në lidhje me ankesat e tyre, ku të gjitha janë refuzuar.
Brenda 10 ditëve, ato do të kenë mundësi që të dërgojnë ankesat e tyre edhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Nga kompania “Rener”, i folën Nacionales mbi arsyet se pse janë ankuar, duke përmendur këtu edhe çmimin prej mbi 50 mijë euro më të ulët se sa kompania fituese.
“Oferta jonë është e përgjegjshme dhe i plotëson të gjitha kërkesat e dosjes së tënderit. Mbi të gjitha, kemi ofruar një çmim prej 53.316 euro më të ulët sesa oferta e përzgjedhur. Andaj, konsiderojmë se AK ka dëmtuar interesat tona dhe buxhetin publik", na thanë nga kjo kompani.
Pyetur nga Nacionale nëse do të ankohen në OSHP, të njëjtit konfirmuan se do t’i ndjekin edhe këto procedura.
“Po gjithsesi”, thanë shkurt nga kompania “Rener”.
Cilat janë kriteret për dhënien e kontratës dhe si veproi ministria?
Kriteret për dhënien e kontratës theksohen qartë në Ligjin për Prokurorim Publik. Sipas nenit 60, autoriteti kontraktues duhet t’i japë kontratën operatorit ekonomik që ka dorëzuar ose:
1.1 Tenderin e përgjegjshëm me çmimin më të ulët; 1.2 tenderin ekonomikisht më të favorshëm në bazë të kritereve dhe peshën që është specifikuar në dosjen e tenderit sipas nenit paragrafit 3. të nenit 52 te këtij ligji.
2. Nëse autoriteti kontraktues ka përcaktuar në dosjen e tenderit se kontrata publike do ti jepet operatorit ekonomik që dorëzon tenderin e përgjegjshëm ekonomikisht më të favorshëm, dhënia e kësaj kontrate do të bëhet vetëm në bazë të kritereve dhe peshës së tyre përkatëse të përcaktuar në dosjen e tenderit në pajtim me paragrafët 2. dhe 3. të nenit 52 të këtij ligji.
Ndërkaq, në njoftimin për dhënie të kontratës që e ka parë Nacionale, shihet se Ministria kishte vendosur si kriter çmimin më të ulët.
Sipas nenit 69, pikës 4, autoriteti kontraktues, në ktë rast Ministria e Infrastrukturës, mund të kërkojë nga operatorët ekonomik të sigurojnë të dhëna të tjera, për të fituar tenderin.
4. Në procedurat që shpien në dhënien e kontratës publike në të cilën përfshihet sigurimi i shërbimeve, autoriteti kontraktues mund të kërkojë nga operatorët ekonomik të sigurojnë të dhënat me të cilat dëshmohet aftësia e tyre për sigurimin e këtyre shërbimeve; në veçanti, të dhënat mund të kërkohen lidhur me shkathtësitë, efikasitetin, kapacitetin, përvojën dhe besueshmërinë.
MMPHI në këtë rast, ka kërkuar nga operatori ekonomik që të ofrojë dëshmi se gjatë tri viteve të fundit ka pasur qarkullim jo më pak se 600 mijë euro.
Operatori, sipas njoftimit për kontratë, duhet të ofrojë dëshmi se ka përfunduar me sukses shërbime të ngjashme, si ato që kërkohen, deri në 450 mijë euro.
Tutje, thuhet se operatori duhet të posedojë certifikatë të trajnimit të stafit dhe ceritifkata të inxhinierëve të kompanisë bashkëpunuese. Po ashtu, operatori duhet të ketë të paktën një inxhinier të elektronikës apo baxhelor i shkencave kompjuterike si staf i kompanisë.


