Auditori gjen shkelje të mëdha me tenderë në ministrinë e Liburn Aliut - NACIONALE

Auditori gjen shkelje të mëdha me tenderë në ministrinë e Liburn Aliut

1 vit më parë

nga NACIONALE

Mangësi të mëdha në vlerësimin e kompanive konkuruese për tenderë. Realizim i shërbimeve jashtë kontratës. Tejkalim i pagesave për kontratat publike. Vonesa në realizimin e projekteve e dallavere në shpronësime. Këto janë vetëm disa nga gjetjet kryesore të Auditorit në Ministrinë e Infrastrukturës që drejtohet nga Liburn Aliu. Gazeta Nacionale sjell detaje.

Javë më parë gazeta Nacionale publikoi përgjime të cilat shfaqën dyshimet për një aferë korruptive në Ministrinë e Infrastrukturës. Kjo ndërlidhej me rrugën Dollc – Gjakovë, dhe zyrtari i kompanisë Infratek (ku kishte punuar këshilltari i Aliut, Florent Ramqaj) dëgjohej duke kërkuar ryshfet, në lidhje me kryerjen e disa punimeve shtesë. Por, me ose pa ryshfet, me punë shtesë apo jo, Zyra Kombëtare e Auditmit ka gjetur se realizimi i këtij projekti është vonuar tej mase. Madje, për rrugën e njëjtë janë gjetur edhe disa dallavere të tjera.

Në raportin e publikuar për vitin 2021 në ministrinë e Liburn Aliut, Auditori ka gjetur se deri në fundin e vitit të kaluar, janë kryer vetëm 29% e vlerës së kontraktuar, raporton gazeta Nacionale.

“Projekti “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N9.1 segmenti Dollc Gjakovë, pjesa 1, kontrata në vlerë 5,076,875€, ishte nënshkruar me dt. 11.03.2019, në kohëzgjatje tri vite .Vlera e punëve të realizuara deri në fund të vitit 2021 ishte 1,690,375€ ose 29% e vlerës së kontraktuar; Projekti “Dollc Gjakovë” pjesa 3, kontrata e nënshkruar me dt. 09.07.2019 në vlerë 5,343,111€, në kohëzgjatje tri vite . Vlera e punëve të realizuara deri në fund të vitit 2021 ishte 1,848,842€ apo 33% e vlerës së kontraktuar”, thuhet në raport.

Pikërisht në Rrugën Dollc – Gjakovë, Auditori ka gjetur se ishte detyruar të nënshkruheshin ankes-kontrata, ashtu siç kishte raportuar edhe Nacionale, pasi punët në terren nuk përfundonin ashtu siç ishin të kontraktuar.

Për punë shtesë në këtë rrugë dhe në disa projekte tjera, Ministria kishte paguar mbi 6 milionë euro.

“Kompania projektuese kishte pranuar gabimet/devijimet në projekt, mirëpo nuk kishte marrë ndonjë veprim shtesë në lidhje me verifikimin dhe përcaktimin e punëve shtesë, duke ja lënë përgjegjësinë menaxherit të projektit. Kjo ka ndodhur pasi që kompania projektuese kishte dorëzuar projektet duke mos përfillur kërkesat e përgjithshme të parametrave Teknik të kontratës, po ashtu komisioni i pranimit nuk ishte siguruar se projektet përmbushin të gjitha kushtet për pranim. Vlen të theksohet, sipas të dhënave të raportuara nga Ministria, në vitin 2021 ishin nënshkruar gjithsej 30 aneks kontrata, për punë shtesë me procedurë të negociuar në vlerë totale 6,513,491€. Kjo ishte rezultat I mangësive të identifikuara gjatë realizimit të projekteve ku gjendja në terren nuk përkonte me projektet ekzekutive”, theksohet në raportin e Auditorit.

Vonesa të tilla në kryerjen e punimeve, janë evidentuar edhe në shumë projekte të tjera të Ministrisë së Infrastrukturës.

Shumë shkelje të tjera për tenderë

Për një tender që ishte shpallur në lidhje me Autostradën Morinë – Merdarë për ndriçim, kompania fituese ishte zgjedhur njëra me ofertë prej 93 mijë eurosh më të shtrenjtë. Krejt kjo, sipas Auditorit, kishte ndodhur për një gabim në vendosjen e kritereve për rregullat e prokurimit.

“Lidhur me këtë procedurë, komisioni i vlerësimit kishte eliminuar një OE me çmimin më të ulët me arsyen se në një pozicion kishte ofertuar me çmim me më shumë se dy numra pas pikës dhjetore. Komisioni kishte vepruar duke u bazuar në udhëzimin e prokurimit dhe nuk kishte marrë për bazë kriterin e vendosur në dosje të tenderit. Kontrata ishte nënshkruar me datë 19.03.2021 në vlerë 417,167€, ndërsa çmimi i ofertës së OE të eliminuar ishte 323,915€ apo 93,122€ më i lirë se oferta fituese. Kjo kishte ndodhur si rezultat i vendosjes së kritereve jo në pajtim të plotë me rregullat e prokurimit, duke shkaktuar paqartësi edhe tek komisioni i vlerësimit”, thuhet në raportin e Auditorit.

Një tjetër gjetje nga Zyra Kombëtare e Auditimit është edhe përdorimi i kontratave joadekuate, e tejkalmi i pagesave për kontratat publike.

“Për projektin "Mirëmbajta Verore dhe Dimërore e Rrugëve Nacionale dhe Regjionale të Kosovës", të iniciuar në vitet paraprake ishte aplikuar dosja e tenderit për kontratën publike kornizë. Vlera e parashikuar për tri vite për 14 llote në dosje të tenderit por edhe në deklaratë të nevojave ishte 17,231,050€. Edhe pse ishte përcaktuar sasia indikative nga njësia kërkuese, kontratat ishin nënshkruar për çmim njësi pa përcaktuar peshën në bazë të rëndësisë së secilës kategori të shërbimeve ose secilit artikull. Testimi i mostrave tona për 6 kontrata (6 llote), ka vënë në dukje se vlera e realizuar për këto kontrata ishte më e lartë se vlera e parashikuar për 3,327,204€”, ka gjetur ZKA.

Auditori ka gjetur gjithashtu se në shumë raste, komisionet që merreshin me tenderët e Ministrisë së Infrastrukturës, nuk ishin kompetent.

“Për projektet ‘’Asfaltimi i rrugëve në Kamenicë’”, “Mbikalimi në Polluzhë dhe Tërstenik, “Ndërtimi i rreth rrotullimit në Rrugën Nacionale në Banullkë” dhe “Ndërtimi i rrugës te varrezat në Pejë” kemi identifikuar se përbërja e komisioneve për pranimin e punëve nuk ishte në përbërje nga anëtarët me kompetencë dhe njohuritë nga fusha e kërkuar. Pranimi teknik dhe vlerësimi i gjendjes së ndërtimit, ishte bërë nga komisionet në përbërje të një inxhinieri dhe anëtarët tjera si ekonomist, jurist, inxhinier elektroteknikës, si dhe zyrtar nga zyra e prokurimit”, thuhet në raport më tutje.

E në gjithë këta tenderë, ështe evidentuar edhe një problem. Ka pasur shumë shkelje në lidhje me procedimin e pagesave ndaj kompanive.

“Nga 107 mostra të testuara në 40 raste në fillim ishte pranuar fatura, pastaj ishte bërë zotimi i mjeteve dhe ishte lëshuar urdhërblerja. Kjo ka ndodhur si pasojë e mos zbatimit të procedurave për shpenzimin e parasë publike nga ana e zyrtarëve përgjegjës”

Pagesat për shpronësime

Auditori ka evidentuar disa shkelje edhe në shpronësimin e pronave, të cilat më pas do t’i hynin në punë Ministrisë.

“Në katër (4) raste të testuara, pagesat për shpronësime në vlerë 1,794,905€ ishin bërë 24-30 muaj pas aplikimit nga përfituesi dhe Ministria nuk kishte aplikuar interesin në shkallë prej 7% ashtu siç parashihet me ligj. Sipas zyrtarëve të ministrisë kjo ka ndodhur për shkak të paqartësive ligjore lidhur me këtë çështje”, ka gjetur Auditori.

Zyra Kombëtare e Auditimit, ka evidentuar edhe një numër punëtorësh të komunitetit serbë në kuadër të Ministrisë, të cilët paguhen por nuk dalin në punë.

“Me vendimin nr. 06/39 të datës 22.07.2015, Qeveria e Kosovës ka aprovuar konkluzionet e dakorduara të Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për realizimin e marrëveshjes së ashtuquajtur “Mbrojta Civile”. Në kuadër të kësaj marrëveshje për integrim, në MMPHI përmes aktemërimeve janë të punësuar 64 punonjës të komunitetit serb të cilët marrin paga të rregullta. Sipas konfirmimeve nga zyrtarët e Ministrisë këta të punësuar nuk kanë hapësira të përcaktuara të punës, nuk kanë objektiva të përcaktuara dhe nuk zhvillojnë asnjë aktivitet në Ministri. Buxheti I shpenzuar për pagat e tyre për vitin 2021 ishte 298,142€”, bëhet e ditur më tutje.

Pavarësisht kësaj, në emisionet televizive pushteti i ri në krye të Ministrisë së Infrastrukturës, ka qenë i zëshëm se gjendjen si e kanë gjetur ministrinë ka qenë skandaloze, duke thënë se ata po punojnë për ta kthyer ligjshmërinë në këtë dikaster qeveritare.

Lajme të ngjashme