10 postimet e fundit të Kurtit: Zero investime - veç përkujtime, deklarata e intervista - NACIONALE

10 postimet e fundit të Kurtit: Zero investime - veç përkujtime, deklarata e intervista

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kohët e fundit është mjaft i zënë për të kujtuar “arritjet e vitit 2022” në Facebook.

Në pothuajse dhjetë postimet e fundit, kreu i ekzekutivit ka vazhduar të reklamojë "sukseset" e qeverisë së tij në fushat përkatëse të qeverisjes.

Ai ka qenë tejet i angazhuar edhe në intervista të shpeshta gjatë të cilave ka folur kryesisht për tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, planin franko-gjerman dhe Asociacionin.

Çështjet politike që ndërlidhen kryesisht me tensionet në rritje mes Kosovës dhe Serbisë kanë qenë pasojë që kriza ekonomike të mbetet nën hijen e këtyre zhvillimeve.

Mungesa e një strategjie për përballimin e krizës ekonomike

Ndonëse në vazhdën e postimeve në Facebook, Kurti ka shkruar pak rreshta të cilët, sipas tij, përbëjnë të arriturat e vitit 2022 në aspektin e zhvillimit ekonomik, qeveria që ai drejton gjatë vitit të kaluar ka shënuar një nga dështimet më të mëdha sa i përket realizimit të projekteve kapitale dhe masave për frenimin e inflacionit sidomos tek produktet bazë të cilat preken 20 përqindshin.

Me titullin “2022: Qeveria për zhvillim ekonomik dhe ndërmarrësi”, Kurti ishte përpjekur të përmbledh “zhvillimin ekonomik” që sipas tij Kosova e përjetoi vetëm në pak rreshta.

Sa i përket zhvillimit ekonomik, kreu i qeverisë theksoi rritjen e eksporteve, e cila ndodh pothuajse çdo vit. Pavarësisht rritjes së eksporteve, importet e Kosovës ishin në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave në vitin 2022, duke rezultuar në një deficit masiv tregtar.

Kryeministri e kishte cilësuar si sukses edhe rritjen e të hyrave tatimore, të cilat janë rritur si pasojë e inflacionit. Ky fakt përmendet në raportin e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore në vitin 2022.

Nisur nga fakti se Kosova në vitin 2022 shënon një nga vitet më të errëta për sa i përket ngadalësimit të rritjes reale ekonomike, inflacionit, investimeve kapitale, kostos së jetesës për qytetarët, deficitit tregtar rekord, politikat ekonomike që synojnë rritjen e cilësisë së jetës për qytetarët kanë qenë të zbehta.

Raporte ndërkombëtare konstatuan se pavarësisht niveleve të larta të shpenzimeve përmes skemave të asistencës sociale të qeverisë, ato rezultuan të jenë jofleksibile dhe patën ndikim minimal tek familjet me të ardhura të vogla.

“Pavarësisht niveleve të larta të shpenzimeve për mbrojtjen sociale, skema e asistencës sociale është jofleksibile dhe mund të sigurojë vetëm mbrojtje të kufizuar për më të cenuarit. Rritja e inflacionit po ushtron gjithashtu presione në rritje të pagave. Vazhdimi i presioneve të çmimeve të energjisë dhe ushqimeve mund të gërryejë më tej të ardhurat e disponueshme dhe të dëmtojë më shumë ata më pak të pasurit që shpenzojnë një pjesë më të madhe të buxhetit të tyre për këto artikuj thelbësorë.” – thuhet në raportin e Bankës Botërore “Raporti i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore 2022”.

Fakti që qeveria Kurti ende nuk ka bërë të ditur ndonjë masë të qartë që synon të përballet me krizën reale ekonomike në të cilën ndodhet Kosova në mes të ngadalësimit të rritjes ekonomike nën 3 për qind dhe inflacionit mbi 11 për qind përbën lajm shqetësues.

Se Kosova po shkon drejt një të ardhme të pasigurt e thotë edhe raporti Global për Rrezikun i publikuar nga Forumi Ekonomik Botëror sipas të cilit Kosova rrezikohet nga probleme si dëmi mjedisor i shkaktuar, inflacioni i shpejtë, kriza e kostos së jetesës, konfrontimi gjeoekonomik, dështimi i masave të sigurisë kibernetike dhe pabarazia digjitale etj.

Lajme të ngjashme