10 ditë nga vendosja e barrikadave në veri të Kosovës
Veriu i Kosovës vazhdon të jetë i bllokuar. Sot bëhen dhjetë ditë që nga vendosja e barrikadave në disa rrugë kryesore në tri komuna veriore të Kosovës, në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok. Deri më tani barrikadat po qëndrojnë pavarësisht kërkesave për largim të menjëhershëm të tyre.
Veriu i Kosovës ka hyrë në ditën e 10 që nga vendosja e barrikadave. Bllokimi i rrugëve dhe vendosja e barrikadave erdhi pas arrestimit të ish-policit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.
Pas tensioneve, Policia e Kosovës vendosi për mbylljen e vendkalimeve në Jarinje dhe Bërnjak.
Në anë tjetër mediat serbe raportojnë se nxënësit e shkollave fillore do të kthehen sot në mësim teksa ata të arsimit të lartë do të zhvillojnë mësimin online.
Ndërkaq dhjetra protestuesë nga Serbia u mblodhën pasditen e së dielës pranë kufirit me Kosovë, më konkretisht afër pikës kufitare në Jarinjë, nën pretendimet se duan “të zhbllokojnë kalimin për serbët”.
Ata dogjën pankarta, shanë misionin e KFOR-it, në prapavi u dëgjuan edhe shpërthime e madje tentuan edhe ta kalojnë kufirin.

Të njëjtit, mbanin në duar disa pankarta ku shkruante “Kosova është zemra e Serbisë” dhe “S’ka dorëzim të Kosovës”.
Pak më vonë, situata eskaloi. Protestuesit vrapuan për të kaluar kordonin e Policisë së Serbisë, për të kaluar andej kufirit, pra në Kosovë.
Kjo e tensionoi pak situatën, derisa pati edhe një përleshje mes protestuesëve dhe policisë serbe. Në prapavijë, sipas pamjeve direkte u dëgjua edhe një shpërthim, ndonëse nuk dihet se çfarë ndodhi konkretisht në atë pjesë.
Pas këtij eskalimi, një person u arrestua i cili u liru pas përfundimit të protestës.
Për këtë protestë, KFOR-i e ka pranuar se brenda protestuesve në Jarinjë mund të ketë pasur grupe të organizuara kriminale.
Gjithsesi, siç thuhet në komunikatën e KFOR-it, angazhimi i tyre në atë pjesë të Republikës së Kosovës është bërë për arsye parandaluese të sigurisë.
“Sot, pas koordinimit aktiv me të gjitha palët, Forca e Kosovës – KFOR-i, Komanda Rajonale e KFOR-it Lindje ka shtuar praninë e saj në Jarinjë për arsye parandaluese të sigurisë. Kjo rritje vjen si pasojë e prezencës së mundshme të grupeve të organizuara kriminale brenda protestuesve”, thuhet fillimisht.
Ndërkohë, për këtë protestë, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se “në anën serbe të pikëkalimit kufitar në Jarinjë, u shfaq një episod i nivelit të lartë të luftës hibride serbo-ruse ndaj Republikës së Kosovës.”
Tutje ai ka thënë se persona shtetërorë e joshtetërorë nga Serbia e Rusia kanë hyrë në Kosovë dhe po vazhdojnë të qëndrojnë me qëllim që të nxisin provokime.
“Të armatosurit e maskuar dhe të barrikaduar në rrugë, me mbështetjen edhe të qendrës së spiunazhit rus që gjendet në Nish të Serbisë, po përpiqen që ta cenojnë sovranitetin tonë, duke nxitur provokime agresive në mënyrë që ta largojnë vëmendjen nga agresioni në Ukrainë, ku siç po shihet Putini po e humb luftën.”, ka shkruar ai në Facebook.
“Ne do të vazhdojmë ta ekspozojmë qëllimin ruso-serb, duke ngulur këmbë që mos t’i nënshtrohemi në asnjë mënyrë mashtrimit të madh që po përpiqen t’ia bëjnë Serbia dhe Rusia një pjesë të qytetërimit evropian!”, paralajmëroi ministri Sveçla.
Serbia në anë tjetër ka dorëzuar kërkesë për kthimin e 1 mijë trupave serbe në veri të vendit. Nuk raportohet se Serbia ka marrë përgjigje për këtë kërkesë por ajo që dihet është se i dërguari i SHBA-ve, Gabriel Escobar e ka kundërshtuar kërkesën serbe.
Ndërkaq për kërkesën e Serbisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se “ai tren ka ikur”.
“Duket sikur Vuçiqi dëshiron ta vendos Serbinë në makinë kohe, ta kthejë në të shkuarën. Por, ai tren ka ikur. Vitet e rëndësishme janë prapa nesh. Statusi ligjor ndërkombëtar i Kosovës është qartësuar.”, ka thënë ai për gazetën Der Spiegel.
Ndonëse u tha se Qeveria është në pritje të KFOR-it për largimin e barrikadave, deri më tani barrikadat po vazhdojnë të qëndrojnë akoma.
Në anë tjetër SHBA dhe shtetet e BE-së kanë kërkuar që barrikadat të largohen dhe palët të gjejnë zgjidhje përmes rrugës së dialogut.
Kujtojmë se këto ditë mediat zvicrane kanë raportuar se delegacionet e Kosovës dhe Serbisë kanë zhvilluar takime sekret në Zvicër.
Deri më tani ky raportim nuk është konfirmuar nga asnjëra palë.




