"Shterpë" - Takimet e fshehta mes Kurtit e serbëve lokalë po konsiderohen joproduktive
Dialogu me serbët lokalë ka qenë premtim i kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit, që nga fushata zgjedhore e 2019-ës.
Jo vetëm kaq. Ndërkombëtarët në përgjithësi, e përfaqësuesit amerikanë në veçanti, kanë kërkuar vazhdimisht nga shefi i ekzekutivit që të fillojë dialogun me serbët e vendit tonë.
Sipas ndërkombëtarëve, kjo shihet si zgjidhja e vetme për integrimin e serbëve, të paktën atyre që duan.
Albin Kurti e kishte pranuar se tashmë e ka filluar dialogun me ta, por që nuk po e bën publik, për një arsye: frikën e serbëve lokalë.
Por, në anën tjetër, disa anëtarë serbë të shoqërive civile kanë kritikuar joproduktivitetin nga këto takime.
Miodrag Miliçeviq nga OJQ “Aktiv” për RTV Dukagjinin ka thënë se ”Fatkeqësisht kemi parë pak ose aspak takime konstruktive dhe produktive, që duhet të jenë qenësore në procesin e dialogut me komunitetin serb në Kosovë”.
Veç kësaj, Milicevic ka shtuar se nuk ka gatishmëri nga asnjëra anë që të angazhohen në procesin e dialogut.
Sipas tij, edhe Qeveria, edhe përfaqësuesit serbë nuk shihen entuziastë për të vazhduar tutje.
“Fatkeqësisht nuk ka gatishmëri nga asnjëra anë që të angazhohen në procesin e dialogut, as nga përfaqësuesit e serbëve, e as nga Qeveria e Kosovës. Për shkak të këtyre dy arsyeve po vazhdojmë të shohim kriza politike në veri të Kosovës, por edhe në pjesë të tjera të Kosovës dhe potencialisht edhe më gjerë në regjion”.
Gjithashtu, Belgzim Kamberi nga Instituti “Musine Kokalari” ka kritikuar kryeministrin Kurti.
Ai ka dhënë se një tjetër variant që është dashur të provohej, ka qenë diskutimi me serbët në jug.
Sipas Kamberit, ata nuk do të kishin frikë që të ekspozoheshin, ndërsa qeveria do të tregonte se Kosova është Republikë e të gjithëve.
“Në këtë situatë, kryeministri ka pasur hapësira dhe do të duhej të gjente hapësira në zonat ku jetojnë serbët të cilët janë më të gatshëm dhe kanë njëfarë gatishmërie për të bashkëpunuar edhe me qeverinë e Kosovës dhe për të qenë më lojal ndaj Republikës së Kosovës. Në këtë drejtim ka zona edhe në jug të Kosovës, ku faktikisht aty do të mund të ishte më lehtë që edhe në hapësirë publike kryeministri faktikisht të tregoj që qeveria e Kosovës dhe Republika e Kosovës është Republikë e të gjithëve”, tha ai për mediumin respektiv.
Dialogu
Kryeministri Kurti, në një deklarim në Kuvend, me datën 24 nëntor, e kishte pranuar se ka diskutuar me serbë lokalë, me disa prej tyre që edhe udhëheqin organizata të ndryshme, por kishte shtuar se ai nuk mund t'i mbrojë ende dhe se e kupton faktin që nuk po pranojnë të fotografohen.
“Sa i përket dialogut me serbët lokal dhjetë serbë të Kosovës që udhëheqin organizata të ndryshme i kam takuar dje, por duhet ta kuptoni një gjë nuk duan fotografi prej takimit, po ndodh dialogu me serbët lokal por unë nuk mundem t’i mbroj ende ata.
Mua më vjen shumë keq që gjashtë vetura të serbëve janë djegur e unë s’kam arritë me i mbrojtë, më vjen shumë keq për këtë punë. Edhe serbët kur vijnë në takim me mua nuk duan të bëjnë fotografi, një orë e gjysmë kemi diskutuar por nuk duan të bëjnë fotografi sepse ju hakmerren”, kishte thënë ai.

