1 Maji: Vetëm një në tre kosovarë të punësuar, mbi 100 mijë punëtorë të sektorit privat me pagë minimale - NACIONALE

1 Maji: Vetëm një në tre kosovarë të punësuar, mbi 100 mijë punëtorë të sektorit privat me pagë minimale

3 vjet më parë

nga Flakon Demaku

Dita ndërkombëtare e punës e gjen Kosovën si një ndër vendet me papunësinë më të lartë në Evropë. Ndonëse krahasuar me vitet paraprake shifrat tregojnë rezultate më pozitive, shkalla e papunësisë vazhdon të mbetet e lartë. Ku e gjen 1 maji Kosovën?

Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore “Përditësimi ekonomik i Evropës dhe Azisë Qendrore”, rritja e punësimit gjatë vitit 2022 në Kosovë është inkurajues, por tregu i punës ende karakterizohet me dobësi dhe pabarazi gjinore.

Vetëm një në tre kosovarë është i punësuar dhe afërsisht 60 përqind e popullsisë klasifikohet si joaktive. Përveç kësaj, arsimi dhe shëndetësia në Kosovë janë duke mbetur prapa vendeve të tjera, duke kufizuar kontributin e kapitalit njerëzor në rritjen gjithëpërfshirëse, vlerëson raporti.

“Rritja e punësimit gjatë vitit 2021 dhe fitimet e formalizimit në vitin 2022 janë inkurajuese; megjithatë, tregu i punës vazhdon të pasqyrojë dobësitë dhe pabarazitë gjinore, me vetëm një në tre kosovarë të punësuar dhe afërsisht 60 për qind të klasifikuar si joaktivë.” - thuhet në raport.

Papunësia dyshifrore

Krahasuar me vendet tjera, Kosova vazhdon të karakterizohet me një shkallë të lartë të papunësisë. Papunësia në BE në shkurt 2023 vlerësohet të jetë rreth 6.6 për qind. Kosova, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës ka një shkallë papunësia që është më shumë se dyfishi i eurozonës.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovë, në tremujorin e parë të vitit 2022 shkalla e papunësisë në Kosovë ishte 16.6 për qind. Numri, ndonëse ende i lartë në krahasim me vendet e tjera, është një rënie nga tremujori i parë i vitit 2021, kur shkalla e papunësisë ishte 25.8 për qind.

Gratë vazhdojnë të kenë shkallën më të lartë të papunësisë (18.9 për qind) krahasuar me meshkujt (15.6 për qind). Nga ana tjetër, grupmosha 15-24 vjeç ka përqindjen më të lartë të papunësisë me 31.4 përqind.

Kosova me pagën më të ulët minimale

Nga 1 prilli i këtij viti, Shqipëria ka bërë një rritje të pagës minimale nga 34 mijë lekë në 40 mijë lekë, që e bën atë rreth 350 euro. Ndërkohë, në Kosovë, situata është ndryshe, pasi paga minimale nuk është rritur që nga viti 2011 duke mbetur më e ulëta në rajon. Një projektligj që do të mundësonte rritjen e pagës minimale në Kosovë ka mbetur "në sirtarë" që nga mesi i vitit 2022, dhe asgjë nuk është bërë për të ndryshuar këtë gjendje.

Projektlogji, i miratuar në lëxim të parë, duhet të kalojë leximin e dytë dhe të tretë të Kuvendit të Kosovës dhe të nënshkruhet nga presidenti i vendit për të hyrë në fuqi. Në përputhje me rregulloren e Kuvendit, projektligji duhej të procedohej në lexim të dytë brenda dy ose tre muajve nga miratimi në leximin e parë, por kjo nuk ka ndodhur.

Bazuar në të dhënat e Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat, paga mesatare në Kosovë mbetet më e vogla, duke madje shumë prapa edhe në krahasim me disa nga vendet fqinje siç janë Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Paga minimale në Mali të Zi është rreth 362 euro më e lartë (532.5 euro), Serbia rreth 290 euro më e lartë dhe Shqipëria, bazuar në rritjen e muajit prill të këtij viti, rreth 180 euro më e lartë.

Nisma pë rritjen e pagës minimale në Kosovë në vitin 2022 – e cili nuk ka ndryshuar që nga viti 2011 – lidhet me një kohë kur çmimet e mallrave bazë janë rritur ndjeshëm.

Në anën tjetër, sipas një hulumtimi të Institutit për Kërkime të Avancuara GAP, mbi 100 mijë punëtorë në Kosovë paguhen me pagë minimale dhe 94% e të prekurve nga rritja e pagës minimale janë punonjës të sektorit privat.

Vendi më i varfër në Evropë

Sipas të dhënave të Perspektivës Ekonomike Botërore, të përpunuara nga Gazeta Nacionale, Kosova renditet si shteti më i varfër në Evropë për vitin 2023 në këtë tregues, me një Produkt të Brendshëm Bruto për frymë prej 15 mijë e 619 dollarë ndërkombëtarë. Shqipëria renditet pas Kosovës me 19 mijë dollarë ndërkombëtarë.

Kujtojmë se gjatë vitit 2022 Kosova është përballur me një inflacion që i ka tejkaluar nivelet disa dekadash me çmimet e produkteve esenciale që shënuan rritje pothuajse të pakontrolluar si pasojë e presioneve të mëdha inflacioniste të shkaktuara nga prishja e zinxhirëve të furnizimit të shkaktuara nga në masë të madhe nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Si një ekonomi e euroizuar me vlera importi stratosferike, Kosova ishte drejtpërdrejt e ekspozuar ndaj krizës globale.

Raporti i Bankës Botërore vitin e kaluar gjithashtu vlerësoi se pakot sociale të qeverisë ishin shumë të “varfra” dhe të pafuqishme për të zbutur krizën ekonomike me të cilën po përballet Kosova, me inflacionin që mbetet problemi kryesor.

Lajme të ngjashme