Alarm i rrejshëm. Nuk ka bombë në Aeroportin e Prishtinës.
Alarmi që detyroi aeroplanin e linjës Mynih - Prishtinë të aterojë urgjentisht në Shkup, doli të jetë i rremë.
Këtë sapo e konfirmoi edhe zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Valentina Gara.
Përmes një postimi në rrjetin social "Facebook", Gara tha se ekipet relevante kanë kontrolluar të gjitha hapësirat e dyshuara, me ç'rast ka rezultuar se nuk ka bombë.
Përveç kësaj, Gara shtoi se ANP "Adem Jashari" është i hapur për fluturime dhe se këto të fundit po procesohen si zakonisht.
"Njoftim zyrtar. Ju njoftojmë se janë ndërmarrë të gjitha veprimet operative dhe hetimore nga organet kompetente të Republikës së Kosovës. Kjo ka rezultuar se kërcënimi me bombë ka qenë alarm i rrejshëm. ANP 'Adem Jashari' është i hapur për fluturime, dhe të gjitha fluturimet do të procesohen si zakonisht!", shkroi mes tjerash ajo.
Në anën tjetër, nuk vonoi shumë dhe erdhi reagimi i Policisë së Kosovës.
Përmes një komunikate të para pak çasteve u konfirmua lajmi i zëdhënëses Gara.
"Policia e Kosovës, pas verifikimit dhe ushtrimit të kontrollit në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, ku ishte raportuar për vendosjen e mjeteve shpërthyese, ka vërtetuar se këto informacione kanë rezultuat të jenë të rrejshme.
Puna në aerport i është kthyer normalitetit dhe qytetarët/udhëtarët kanë vazhduar me udhëtimet e tyre.Policia e Kosovës, do të vazhdojë angazhimin e saj në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike", u tha në njoftim.
Në mesin e udhëtarëve që gjendeshin në aeroplanin e kësaj linje ishte edhe gazetari Adriatik Kelmendi.
Ky i fundit raportonte drejtpërdrejt përmes rrjetit social "Twitter".
Ndër të tjerash, kishte konfirmuar se askush nuk lejohej ta lëshonte aeroplanin, deri në momentin kur u mësua se gjithçka ishte e rreme.
Kujtojmë se javëve të fundit janë shpeshtuar goxha alarmet e rrejshme.
Një i tillë ishte saktësisht sot dy javë më parë. Të enjten e 2 Qershorit 2022, u raportua për një alarm për bombë në të njëjtin vend, por që ashtu si ai sot, u shpall identik.
Numër më i madh i këtyre alarmeve u regjistrua në Stacion të Autobusëve. Përveç stacionit, alarm pati edhe në rektoratin e Universitetit të Prishtinës.
Deri më tani nuk është raportuar për ndonjë masë rreth këtyre kërcënimeve me mjete shpërthyese, ani pse jozyrtarisht dyshohet që të njëjtat janë duke ardhur nga hakerët rusë.
I këtij mendimi ishte edhe eksperti i sigurisë, Sinan Kajtazi. Pak kohë më parë, Kajtazi tha për Nacionalen se kjo është pjesë e një lufte hibride, që po ndodh jo vetëm në Kosovë.
“Në kaosin ballkanik, të kombinuar me efektet e agresionit rus në Ukrainë, mendja së pari të shkon te lufta hibride, e cila mes tjerash synon krijimin e pasigurisë te qytetarët, ku shkollat si vende të grumbullimit masiv e bartin ketë pasiguri në masë të madhe.
Para disa ditësh kjo ishte dukuri në Serbi dhe në Mal të Zi, ku kryeministrja serbe e cilësoi si një “akt të armiqve të Serbisë nga shkaku se Serbia nuk i kishe vendosur sanksione Rusisë”. Pas kësaj doli se organet serbe të sigurisë kishin identifikuar sinjalin e emailit të ardhur nga Rusia gjë që komplikoi edhe më shumë situatën”, përfundoi Kajtazi.