Tharja e Kënetës së Maliqit dhe Moçali korruptiv i Vetëvendosjes - NACIONALE

Tharja e Kënetës së Maliqit dhe Moçali korruptiv i Vetëvendosjes

4 vjet më parë

nga Vullnet Krasniqi

Më 5 maj 1946, me anë të një ceremonie, kishin filluar punimet për tharjen e kënetës së Maliqit. Regjimi i Enver Hoxhës që kishte vetëm 5 vjet në pushtet, kërkonte të promovohej si rendi që bënte punime të mëdha. Këneta e Maliqit ishte një sipërfaqe tejet e madhe, e cila nuk mund të thahej për disa muaj. Normalisht, kjo gjë nuk u arrit. Në procesin e famshëm të gjyqit të nëntorit 1946, u pushkatuan me skena makabre mesjetare, teknikët më të mirë të asaj kohe në Shqipëri. Por nuk u ndal me kaq. Ky dështim i saj, ishte përdorur si sebep për largimin e misionit amerikan nga Shqipëria.

Kjo ishte e vërteta e kësaj tragjedie që ka dalë në dritë te “dosjet sekrete” që janë publikuar tash së voni. Por deri tash, kjo histori ka mbijetuar përmes një filmi, që titullohet “Vitet e para” e që trajton pikërisht “tharjen e kënetës së Maliqit” por në versionin e regjimit të Enver Hoxhës, normalisht, krejt kjo ngjarje ishte njëmend pasojë e “sabotuesve” të projektit të madh të partisë. Tamam puna me dalë fajtore Partia. S’ka lidhje pse këneta e Maliqit ishte një liqe i madh që donte super-forcë për ta tharë. Partia e kërkonte. Ata që dështojnë ta bëjnë këtë, janë “organizatë tekniko-sabotatore”. Por të ndalemi edhe pak tek filmi “Vitet e para” dhe personazhi kryesor aty, sekretari i Partisë, Stavri Lara, të ngjason sot me shumë personazhe të politikës së Qeverisë së re e cila i ka “vitet e para”.

Është një sekuencë e filmit në minutën e 70-të, të cilën keni shans ta shihni edhe këtu të shkëputur, në të cilën sekretari thërret një mbledhje të Partisë në të cilën është i ftuar edhe një zëvendësministër. Aty sekretari Stavri Lara thotë se “krahas vështirësive të ndërtimit, këtu fshihet edhe një dorë që saboton, ndryshe nuk mund të shpjegohet ky shkëmb i papritur”, teksa zëvendësministri dhe të gjithë të tjerët në takim pajtohen se prapa këtij dështimi “fshihet një armik”. Kjo skenë e filmit, tash nga viti 2022, është shpërfaqja më brutale e një sistemi politik që nuk e pranonte dështimin por gjente fajtor. Por, pse e lexuat deri tash një histori të tillë që është e ditur publikisht? Erdhi momenti.

Më 4 qershor, 2022, ministri më i rëndësishëm në Qeverinë e Albin Kurtit e cila nuk ka as një vit në qeverisje, doli në televizion dhe dha një sqarim të tijin për aferën korruptive që e kishte publikuar Nacionale para disa ditësh, në emisionin “Ditari i Buzhalës” me autor Berat Buzhalën. Të gjithë ju që e keni parë intervistën e Liburnit, mund ta keni kuptuar tashmë edhe arsyen përse lexuat deri më tash për tharjen e kënetës së Maliqit. Në krejt arsyetimin, për aferën që e lidhte këshilltarin e tij që e quante “më të mirin të mundshëm”, Liburn Aliu del të jetë asgjë më pak e as më shumë se sekretari i partisë në filmin “Vitet e para”. Për Liburn Aliun, të gjitha faktet e prezantuara nuk janë asgjë më shumë sesa një sabotim i mediave për punën e palodhshme që është duke u bërë.

Kur Liburni flet për një “armik” të jashtëm, që në këtë rast janë mediat dhe gazetarët të cilët sipas tij po tentojnë që ta prishin punën e madhe të partisë së tij në Qeveri, ai nuk është duke folur ose duke dhënë vetëm një mendim të tijin mbi prapaskenat e një përgjimi. Në mungesë të një videoje të mbledhjes brenda partisë, në këtë rast, dalja e Liburn Aliut në televizion, është ajo çfarë partia (Vetëvendosje) dëshiron të na rrëfejë neve. Dhe rrëfimi, nuk është se dallon shumë prej narracionit që e ka përdorur partia prej që ka ardhur në pushtet. Madje edhe para pushtetit. Ashtu sikurse në takimin e parisë së partisë në filmin “Vitet e para” ku të gjithë pajtohen se ekziston një armik që dëshiron ta sabotojë punën, pa u ndalur të mendojnë në asnjë moment, nëse puna nuk po shkonte mirë për arsye të tjera, edhe në rastin e partisë së Liburn Aliut, nuk ka asnjë moment për t’u ndalur e për të menduar nëse punët që po bën Qeveria nuk janë duke shkuar mirë.

Në asnjë nga skandalet ose lajmet e këqija që tregojnë se kjo Qeveri po çalon në shumë dikastere e ministri, nuk janë trajtuar si diçka që mund të ndryshohet. JO. Në të gjitha rastet, për Qeverinë dhe njerëzit e saj, janë përfolur për afera e për punë që nuk po shkojnë si duhet, gjithmonë fajtori është i jashtëm. Gjithçka po shkon mirë, por mediat janë fajtori. Shkëmbi që tek filmi i “tharjes së kënetave” shndërrohet në diçka që nuk e ka bërë natyra, por është prodhim i sabotuesve, te partia e Vetëvendosjes, lajmet që publikohen për ta, nuk janë të vërteta, por janë prodhime e trillime të mediave e gazetarëve. Aq shumë është përdorur kjo narrativë nga Lëvizja Vetëvendosje sa më nuk ka as nevojë që t’ju sjell ndonjë shembull. Të gjithë tashmë e dimë se cili është dhe cili do të jetë arsyetimi për secilin skandal që ndodh në Qeverinë e Kosovës: mediat dhe gazetarët janë sabotuesit.

Por, ajo që duhet të thuhet krejt në fund të këtij teksti, është një e vërtetë e madhe, e kohës. Qeverisja e partisë së Vetëvendosjes nuk e ka luksin e partisë së Punës për të kamufluar dështimet e as për të pritur me dekada që dështimet të dalin në dritën e së vërtetës.

Qeveria e Vetëvendosjes, nuk e ka këtë luks, që dështimin për tharjen e kënetës (lexo: korrupsionit) t’ia mveshë një armiku. Ata po e kuptojnë shumë shpejt, se dështimi i tharjes së kënetës së korrupsionit është i pamundur përderisa njerëz me poste të larta në Qeveri, kanë krijuar një moçal të korrupsionit. Pa u futur në moçalin që e kanë krijuar vetë, nuk mund ta thajnë kënetën e vjetër të korrupsionit. Pra nëse partia në këtë rast dështon ta thajë kënetën e korrupsionit të formuar deri më tani, ajo duhet fillimisht të pastrojë veten. E pastaj ta thajë kënetën e "Maliqit".

Lajme të ngjashme