Historitë e grave anti-fashiste në Kosovë që kanë humbur nëpër arkiva - NACIONALE

Historitë e grave anti-fashiste në Kosovë që kanë humbur nëpër arkiva

2 vjet më parë

nga Vullnet Krasniqi

Blerta Haziraj është një hulumtuese e arkivave që më pas i dokumenton ato në formën artistike. Në këtë episodë të podcastit në Nacionale, ajo vjen për të rrëfyer për hulumtimin që ka bërë për dy revistat e pas Luftës së Dytë Botëore “Agimi” dhe “Buletini”. Ajo tregon sesi ka ndodhur organizimi i grave në atë kohë dhe diskutojmë nëse ajo mund të quhet si fillesë e feminizmit.

Me Blertën flasim për filmin e saj dokumentues me titull “ATO: SYTË E DUERT E JUEJA DUHET TË SHIFEN KUDO” në të cilin ajo udhëton nëpër fshatra të Kosovës së tanishme dhe takohet me gratë të cilat teksa exojnë revistat “Buletini” dhe “Agimi” - të botuara nga Fronti Antifashist i Grave të Kosovës - fragmentet e tyre u japin jetë tregimit dhe reflektimit të regjisores mbi hulumtimin e saj në arkivë.

Projekti ATO është nismë hulumtuese arkivore e aktivizmit letrar të Frontit Antifashist të Grave të Kosovës (1945-1954), lëvizjes së gjerë që u zhvillua gjatë dhe pas luftës së dytë botërore në të gjithë Jugosllavinë, e që synim kishte mobilizimin dhe ngritjen kulturore, shoqërore dhe arsimore të gruas.

Përmes këtij projekti, faqet e revistës Buletini (1946-1949) që doli në shtyp në Prizren dhe Agimi (1949) që u botua në Prishtinë, kanë filluar të anotohen në publikimin i cili tashmë është në zhvillim e sipër. Ato po lexohen bashkë me materialet e tjera të gazetës Rilindja, të librave e artikujve të ndryshëm të botuar në periudhën socialiste, memoareve, biografive, e shkrimeve të tjera të cilat janë burime të analizës së jetës së grave kosovare në kohën e Jugosllavisë Socialiste.

Krahas filmit do të mund t’i shihni të ekspozuara edhe disa nga materialet e Buletinit dhe Agimit si dhe tekste e fotografi të mbledhura gjatë hulumtimit. Poashtu, një ilustrim i krijuar në bashkëpunim me artisten Bilge Emir, i inspiruar nga përmbajtja e artikullit ‘Zhvillimi dhe Masovizimi i Frontit Antifashist të Grave të Kosovës (1941-1945)’ nga Sulltane Ukaj, i botuar në revistën shkencore Kosova (1977) do të jetë në shitje gjatë ngjarjes. Të hollat e mbledhura do të mbështesin realizimin e mëtutjeshëm të publikimit ATO.

Lajme të ngjashme