Pse lajmet me kunata dhe vjehrra "dhezin" kaq shumë në Kosovë?
Ka vite që në faqet e telvizioneve kosovare në rrjetet sociale sikurse Facebook mbizotërojnë videot të cilat në të vërtetë nuk janë lajme tradicionale të televizioneve. Video storiet tradicionale të televizioneve që kanë pasur si kryetemë fenomenet shoqërore, janë zëvëndësuar me rrëfime të cilat kanë histori personale e intime brenda raporteve familjare.
Kësisoj, tashmë është bërë e zakonshme, që videot e tilla të kenë edhe miliona shikime.
Por pse historitë personale të konstrukteve sociale brenda familjeve sesi “dy kunata e qojnë mirë me njëra-tjetrën” ose “vjehrra që i don rejat sikur qikat e saj” e deri tek “kush u martua më interesanti” kanë kaq shumë shikueshmëri dhe ngjallin kaq shumë komente, ka qenë një pikëpyetje e madhe. Që ka prodhuar shumë teori, si përgjigje ose arsyetim të këtij trendi.
Televizionet po ofrojnë storje të tilla për të mbushur minutazhen dhe janë më lehtë që të përgaditen? Njerëzit janë të lodhur me faktin se programi i televizioneve ka qenë i mbizotëruar me rrëfimet e figurave publike? Apo ka ndodhur diçka në ndërkohë që ka pamundësuar të kuptuarit mes televizioneve dhe publikut, e ne se kemi kuptuar?
Këto janë vetëm disa nga teoritë që prodhon pyetja e madhe për këtë temë, dhe mënyra më e mirë për të kuptuar se cila prej tyre qëndron, ose është krejt një tjetër arsye, është nëse nisim një diskutim me njerëzit që prodhojnë këtë përmbajtje televizive.
Prej “mos t’del prej neve” direkt në televizion
Adelina Hasani, një gazetare me përvojë në disa media sikurse KTV e T7, tash është producente ekzekutive në ATV, televizioni i cili në rrjetin sociale Facebook, dominon me shikueshmëri, pikërisht për shkak të videove me histori personale brenda familjes.
Në emisionin e saj “N’nejë” rrëfimet e fundit që kanë dhezë, janë storiet sikurse “raporti shok-shoqe mes babait dhe vajzës së tij” , “sesi një burrë nuk e ka problem ta shpreh dashurinë publikisht të dashures” ose “dy motrat që e kallin dasmen”.
Adelina në këtë podcast intervistë për Nacionalen thotë se histori të tilla, që shpërfaqin momente ose raporte që nuk janë të zakonshme për formatin e familjes tradicionale në Kosovë, sikurse fakti që vajzat të flasin hapur me baballarët, kunatat të duhen mes vete dhe vjehrra të mos jetë “shtrigë për rejat” ngjallin shumë interesim, sepse njerëzit nuk janë mësuar të flitet për këto raporte publikisht.
“Njerëzit janë mësu me pa në televizione rrefimin për familjen perfekte, për raporte tradicionale mes anëtarëve të familjes. Të flasësh për raporte intime ose tepër personale brenda familjes, ka qenë tabu. Tash kjo është thyer”, thotë Adelina në Podcast Nacionale
Ajo në këtë bisedë rrëfen edhe mbi një industri televizive në Kosovë që po shkon drejt etablimit duke kopjuar ose ndjekur hapat e televizioneve në Shqipëri. Për komentet që merr në videot në të cilat është ajo duke intervistuar dikë e deri tek sfidat me personazhe të videove që nuk mund t’i përballojnë komentet e të tjerëve.
“Është e tmerrshme se çka shkruhet në komente. Nganjëherë aq vullgare janë sa të bëjnë të mos e njofësh as vetën. Për mua tashmë janë bërë të zakonshme, por për të tjerët që nuk janë pjesë e mediave kjo është shumë rëndë”, thotë Adelina.
Dëgjojeni podcast bisedën për të kuptuar sesi ndodhi ky transformim i përmbajtjes televizive në Kosovë.