Pse ka kaq shumë interpretime agresive Kurani në Kosovë? - Podcast me Shejhun nga Bashkësia e Tarikateve të Kosovës
“Ne inspirohemi prej librit të njëjtë, por nuk e lexojmë në mënyrë të njëjtë”, thotë Shejh Lulzim Shehu, sekretar i përgjithshëm i Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës, kur lutet të bëjë dallimin me një fjali me Bashkësinë Islame të Kosovës.
Kjo bisedë me të është një podcast antropologjik mbi islamin në Kosovë si festim i formave dhe ritualeve të një rrugëtimi shpirtëror, sikurse muaji i Ramazanit.
"Ne në Bashkësi i kemi 12 tarikate që i bie të jenë mbi 12 rrugë shpirtërore se si të jesh më afër me Zotin”, shpjegon Shehu, në fillim të bisedës që vazhdon të fokusohet në fenomenimin e interpretimeve të shumta politike dhe agresive të librit të Kuranit në Kosovë.
Shejh Shehu u bë kryepresonazh i dy javëve të fundit të prillit pasi media të shumta e thirrën që të shpjegonte më shumë e më gjatë për një detaj të një deklarate për publikun që Bashkësia e Tarikateve të Kosovës e lëshoi pas Kuvendit që e mbajti një muaj më herët.
Si traumë nga diskutimi brutal në seancën ku dështoi ndryshimi i Kodit Civil, thirrja e Bashkësisë që të ndalet edhe “homofobia” u bë të duket se ishte kryetema e një Bashkësie Fetare në Kosovë.
“I kanë shqetësu shumë njerëzit e tarikateve qeto lajmet në media se u dok që na jena mbledhë veç për qat temë”, thotë Shehu teksa shpjegon ndikimin që pati “thirrja kundër homofobisë”.
“Të bëhemi të sinqertë, njerëzit në Tarikate nuk jena liberalë, na jena konservativë. Me u bo realë, jena tradiconalë, jena njerëz të familjes, por kur vjen puna te urrejtja, jemi kundër”, thotë Shehu, teksa shpjegon irritimin që ndjen kur dëgjon teksa përmendet islami e libri i shenjtë i myslimanëve, Kurani, për të përhapur urrejte.
"Ka interpretime bizare, edhe të gërditshme”, thotë ai duke shtuar se për dallim prej Bashkësive të tjera Fetare në Kosovë që u bënë bashkë kundër ndryshimeve të Kodit Civil, Tarikatet e kanë pranuar shtetin demokratik të Kosovës.
“Shumë është me rëndësi, që nëse jeton në një shtet demokratik me këtë Kushtetutë, duhet me e pranu edhe realitetin e ndryshimeve të ligjeve që i bijnë deputetët që na i kena zgjedhë. S’kemi çka përzihemi fetë, e kriteret e traditat e shteteve tjera”, thotë Shehu për Podcast Nacionale.
Në këtë bisedë Shejh Shehu diskuton për interpretimet dashakeqe të Kuranit dhe përdorimit të besimit për të krijuar një shoqëri, standardi i së cilës është urrejtja dhe ku normalizohet përjashtimi.
“Nuk dojmë na shtet ku urrejta është standard. U bo standard, për fat të keq. Dojmë shtet transparent. Na jena lodhë prej përjashtimit të shoqërisë. Jo prej moshës, jo për shkak të gjnisë, jo për fe; na jemi konë njerëz të përjashtuar edhe për shkak të nacionalitetit, e tash me u çu me përjashtu dikë nga një e drejtë në emër të fesë?”, thotë Shehu, teksa i referohet thirrjes së Bashkësive të tjera fetare në Kosovë kundër lejimit të martesave mes seksit të njejtë, duke e përmendur Kuranin e Islamin.
“Zotin që ata ia ofrojnë njerëzve është Zoti surrogat i Zotit të vërtetë”, thotë Shehu.
“Parimi një dhe i vetmi i islamit është me qenë njeri i mirë. Rruga që e arrin atë proces nuk ka rëndësi”, shton ai.
Deklarimet e krerëve të tjerë fetarë për çështje sikurse orientimi seksual sipas tij është shpërfaqje e një fenomeni që po vuan islami në Kosovë: shumë rregulla për shumë detaje të parëndësishme në jetë.
“Hajde, qe... s’po i lajmë homoseksualët me u martu. Çka po bajmë me ta? A ka zotëri Naim Tërnava me çelë ndonjë llogore për ta, a ka me organizu stacione të tredhjes: qe po e ftoj publikisht le të më përgjigjet. Duhet me pasë kujdes se çka po flasim kur po e përmendim fenë. Urdhno zotëri Ternava: ça po dojmë me bo me homoseksuaët? Simbas fesë që ai e prezanton, duhet me hypë në maje të stamit edhe me i gjujtë në humnerë. E kanë thanë edhe shumë imamë që janë hala në Bashkësi. Jo një farë hadithi, e rrena - rrena kishe po thotë homoseksualin duhet me dënu qashtu që e gjun' në një humnerë. Kjo është absurde”, thotë Shehu në një moment kur biseda nxehet shumë për nga intonacioni.
Dëgjojeni me veshët tuaj: