Një djalë që vishet e performon një vajzë - qysh "mbretëreshat" e Prishtinës po bëhen të famshme - NACIONALE

Një djalë që vishet e performon një vajzë - qysh "mbretëreshat" e Prishtinës po bëhen të famshme

3 vjet më parë

nga Vullnet Krasniqi

A ju ka ndodhur të shkoni nëpër dasma, sidomos ato të viteve të ‘90-ta nëpër fshatrat e Kosovës, ku në njërën nga netët e dasmës, një burrë që në rrethin familjar njihej si “hajgarexhi”, vishej si grua dhe imitonte gratë e mëhallës e të ‘akrabasë’? Nëse jo, ja edhe një shembull tjetër, që me siguri e mbani në mend.

A e njihni personazhin e famshëm ‘Teta Gjyli’, të cilën e luan aktori Osman Azemi? Sigurisht që po. Eh, Teta Gjyli është drag queen - një term që përdoret për djemtë që vishen si gra me qëllim argëtimin e publikut. Nëse tash e keni të qartë, vazhdojmë me prezantimin e një nga 20 “drag queens” që ekzistojnë në Kosovë.

Po po, e lexuat shumë mirë. Në Kosovë, më saktësisht në Prishtinë, janë afro 20 djem që performojnë të veshur si gra me karaktere ose personazhe të ndryshme. Një nga to është Victoria. Ajo është një personazh i frymëzuar nga seriali i famshëm “Hot in Cleveland”. Victoria në këtë serial është një aktore në mesomoshë që kërkon me çdo kusht të jetë në qendër të vemendjes, e famshme dhe e pasur.

Victoria që luhet nga Edoni, është pak a shumë Victoria e “Hot in Cleveland”, por që jeton në një realitet krejt tjetër, në Prishtinë. Edoni është aktor me profesion. Ai është duke përfunduar studimet në Fakultetin e Aktrimit në Universitetin e Prishtinës, dhe është këngëtar që eksperimenton me forma të ndryshme muzikale.

“Por ma së shumti hairin ia kam pa Victorias. Ajo më ka sjellë më shumë para sesa aktrimi dhe kënga. Bile për këngë, veç kam shpenzu, se kurrë s’kam fitu”, thotë Edoni në Podcast Nacionale. Në një bisedë të cilën e rekomandojmë të dëgjohet vetëm nga personat mbi 18 vjeç, Edoni shpjegon gjerë e gjatë lidhjen e tij me “drags”, dhe perceptimin e publikut dhe kosovarëve në përgjithësi ndaj kulturës së “drag queens” në Prishtinë.

Performancat e Victorias janë të mbushura me plot vallëzime dramatike, me shumë vetëbesim dhe mimika ngucakeqe ndaj të tjerëve. Por prapa Victorias qëndron një histori përplot me ngacmime ndaj Edonit kur ka qenë fëmijë.

“Victoria në fakt është një lloj mllefi prej fëmijërisë. Kam qenë i trashë e feminin, dhe konstant në shkollë më kanë gjyku. Krejt fëmijërinë time e mbaj mend tu kajtë, dhe kur kam bo për herë të parë ‘drag’, e kam pa që krejt mllefin po muj me qitë. Dragu më ndihmon me jetu si Edon. Çkado që mblidhet në mua si person, komplet shfryhna si drag. Kështu që është njëfarë terapie, si me shku te psikologu”, thotë Edoni.

Ai thotë se ngacmimet dhe paragjykimet ndaj tij ende vazhdojnë edhe sot. Por jo aq shumë ndaj Victorias. Në fakt, Victoria në Instagram ka bajagi fansa. Bile asi të zjarrtë.

“Ka shumë djem e burra heteroseksualë që më shkruajnë te Victoria. Edhe e dinë që jam drag, por prapë më ftojnë me dalë me mu, pastaj ka që kërkojnë me i dominu, e turli fetishi”, tregon Victoria.

Ka shumë gjasa që shumë nga ta të jenë homofobë.

“Drags definitivisht janë duke i ndihmu njerëzit në Kosovë që të flasin për seksin më lirshëm. Edhe njerëzit që s’e kanë idenë për drag ose edhe ata që i urrejnë ato, nëse veç një herë vijnë në një spektakël, kanë me kuptu sa shumë kënaqen”, thotë Victoria.

E ajo ka shumë performanca të planifikuara për këtë vit. Do të jetë në Prishtinë e Tiranë me disa performanca. Ato mund të jenë të ndryshme për nga forma, por të gjitha kanë tri karakteristika kryesore.

“Karizma, nervi dhe origjinaliteti, janë tri sene kryesore që unë i kam parasysh”, thotë Edoni, teksa flet për personazhin e Victorias.

Kështu që: let's podcast.

Lajme të ngjashme