Një vit e ca me Kurtin - podcast analizë me 5 biseda
Qeveria e proklamuar si e ndryshimit të madh, e drejtuar nga Albin Kurti, i mbushi 1 vit me 22 mars 2022. Ekipi i gazetarëve në Nacionale ka analizuar gjithë punën e Qeverisë Kurti gjatë këtyre 365 ditëve të para dhe ka veçuar disa prej temave më të rëndësishme që meritojnë të diskutohen dhe analizohen për të kuptuar më mirë Qeverinë Kurti. Në këtë seri të podcast, Nacionale ju sjellë bisedat me disa prej figurave më të rëndësishme në fushat e caktuara.
Qëndrimi i kryeredaktorit në Nacionale
Fillimisht, para se të dëgjoni seritë e bisedave, ju ftojmë që të dëgjoni një përmbledhje të kryeredaktorit në Nacionale, Jetlir Buja. Ai në këtë analizë vë në pikëpyetje “ndryshimin e madh” të Qeverisë Kurti apo thënë më mirë: Çka nëse ka diçka të fshehur diku që heshturazi shpreh ndryshimin e madh, ose të paktën fillimin e ndryshimit të madh?
DIPLOMACIA
Gazetari i Nacionales Muhamet Koci diskuton me ish-ambasadoren e Kosovës në Washington, dhe tash nënkryetaren e partisë opozitare PDK, Vlora Çitaku, me të cilën diskutojnë mbi vitin e diplomacisë kosovare dhe mbi të gjitha sesi na shohin bota, më saktësisht Amerika me këtë Qeveri.
(MIRË) QEVERISJA (E KEQE)
Gazetarja e Nacionale, Gentiana Hasani analizon me Gazmir Racin punën një vjeçare të Qeverisë Kurti. Raci është i diplomuar në Fakultetin e Shkencave Politike dhe Administratës Publike në Prishtinë dhe në këtë podcast analizon punën e Qeverisë gjatë këtij viti.
POLITIKAT SOCIALE
Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ulet me redaktorin e Nacionale, Festim Gërguri për të diskutuar mbi Qeverinë e Albin Kurtit me një muhabet që lidhet kryekëput me idenë e një qeverisje kinse socialdemokratike.
DIALOGU
Diskutimin me Visar Ymerin e vazhdon kryeredaktori i Nacionales, Jetlir Buja, i cili flet më gjatë për një nga proceset më të vështira të Qeverisë Kurti, dialogu me Serbinë.
SIGURIA/DREJTËSIA
Gazetari i sigurisë në Nacionale, Besian Beha diskuton gjerë e gjatë mbi procesin e vettingut dhe reformës në prokurori me avokatin Selim Selimi i cili ka qenë ish-ministër i Drejtësisë dhe këshilltar i ish-presidentes Atifete Jahjaga
KULTURA
Ish-drejtori i Qendres Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku diskuton me Vullnet Krasniqin, për vitin më të sukseshëm të kinematogafisë kosovare, por mbi të gjitha diskutohet mbi atë sesi "politika" mund ta shuaj dhe ti jap fund momentumit fantastik të kinematografisë dhe kulturës.