Një qytet që ka grafiti është qytet i lirisë - Podcast me drejtuesin e Meeting of Styles - NACIONALE

Një qytet që ka grafiti është qytet i lirisë - Podcast me drejtuesin e Meeting of Styles

1 vit më parë

nga Vullnet Krasniqi

Jemi ulur në një tavolinë në fund të Rrugës B. Nja 500 metra më larg dëgjohet muzikë, ndërsa përballë tavolines është muri i gjatë i rrugës. Në të mbi 80 artistë të grafiteve po përfundonin punët e tyre. Muri i kësaj rruge të njohur në Prishtinë është bërë me muralet e reja, duke i zëvëndësuar ato të vitit 2017.

Grafitet janë fshirë për shkak se atë vit kemi pas punuar me një buxhet minimal, por mbi të gjitha janë fshirë për shkak se nuk janë punaur aq mirë. Uji rrjedh pa ndonjë grumbullim mbi to duke dëmtuar muralet”, thotë Agon Xhelili drejtor i “Meeting of Style Kosovo” një festival që çdo vit sjellë në Prishtinë afro 100 artistë të grafiteve.

Kësisoj puna e artit të grafitit përpos që zbukuron Prishtinën, po e qet në pah edhe faktin sesi punohet pa asnjë kriter në hapësirat publike. Sidomos në ato pjesë që i dedikohen të gjithëve. Megjithatë grafitet po i mbulojnë këto punë të këqija në muret e rrugëve, shtyllat e betonit në ura dhe hapësira të tjera.

Agoni është i lumtur që festivali i tij ka ndryshuar pamjen Prishtinës. Por mbi të gjitha që e ka bërë Prishtinën të jetë një qytet i lirë.

“Çdo qytet ku ka grafiti, jo ndoshta krejt, po ka njerz që e lexojnë që është një vend ku ka liri”, thotë Agoni në Podcast bisedë për Nacionale.

Qe për shembull në Shqipëri nuk është e njejta. Më saktësisht në Tiranë. Nuk ka grafiti sepse atje është një departament brenda bashkisë që e kontrollon çfarëdo vepre që bohet nëpër mure”, shton Agoni.

Ai në këtë podcast tregon sesi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kur ka qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës, në kohën kur vendosi t’i ngjyroste disa pjesë të qytetit, ka vendosur që kompaninë “Dekori” që ka egzistuar që nga koha e diktaktorit Enver Hoxha, ta mbajë të gjallë, si institucion që “vendos se çka duhet e çka jo të bëhet grafiti në Tiranë”.

Hala sot e mbanë, amo e mbanë edhe për dekorim ngjyrosje po edhe për cenzurë, kjo është keq. Kjo, sidomos për të huajt që e bojnë kët sen, kur vijnë e shohin që një qytet si Tirana është aq i kontrolluar ndjehen jo të lirë. E në Prishtinë, mund të vijnë dhe shohin këtë muri, dhe ua jep ndjesinë e njëfar lirie së paku në të shprehur”, thotë Agoni në Podcast Nacionale.

Agoni flet edhe për idenë e sivjetme të muraleve dhe për planet e tjera të “Meeting of Style Kosova”, dhe mbi të gjitha dëgjojeni një diskutim mbi atë se çka konsiderojmë si hapësirë publike dhe sa e zotërojmë këtë hapësirë.

Lajme të ngjashme