“Një grua 30-vjeçare e pamartuar në shpi këqyret si barrë” - Martesa si instrument dhune
Pjesë e Podcast-diskutimeve të serisë “Para Martese” të publikuara në Nacionale janë rrëfime të grave, viktima të dhunës në familje, të cilat tregonin historinë e tyre të jetës, me fokus periudhën para martese, duke qitur në pah faktin se shumica e grave që janë vitimë e dhunës, dhunën nisin ta përjetojnë kur martohen.
Secili prej këtyre rrëfimeve tregon se si martesa në shumë raste në familjet shqiptare në Kosovë është një instrument dhune.
“Kur jeton në një shoqëri që je barrë edhe këqyrin me të hjekë qafe, me të rahatu, pra me të martu, grusë i krijohet ideja se ajo rahatohet kur të martohet. Qeshtu krijohet ideja që duhet me u martu në një kohë të caktume. Një gru që i bon 30 vjet pa martu, shpija e këqyr si telashe, si barrë. Tani qeshtu, martesa është mënyra e vetme që me mirëmbajtë një status të shëndoshë ose së paku normal, po që në shumicën e rasteve është dhunë”, thotë Aulonë Kadriu, aktiviste dhe gazetare në Kosovo 2.0.
Në këtë podcast-bisedë mes Besnik Kallabës dhe Kadriut, flitet për atë se si “gruaja instrumentalizohet për teke të burrit”, dhe për temat që flitet shumë pak sikurse “përdhunimi martesor”.
“Kur martohen gratë, kanë përdhunim martesor, njerëzit thojnë qysh po fol kështu, edhe bashkëshorti mundet me të përdhunu a? Po bile, mundet me të obligu me bo seks. Edhe gratë s’kanë ku me raportu”, thotë Kadriu.
Pse kjo seri titullohet “Para Martese”? Për arsyen e thjeshtë: në të gjitha rastet, dhuna e trauma, nis kur ato martohen. Por, pse të flasim me ato gra, për jetën para martese? Për arsye të shumta. Po i numëroj disa: për të përmbysur mendimin se viktimat e dhunës në familje e kanë një jetë ndryshe, dhe kësisoj ato disi e “ia bëjnë vetit”; për të treguar se gjithkush mund të jetë viktimë e kësaj dhune pa marrë parasysh shkollimin, edukimin ose anën financiare ose mbështetjen e familjes; për të treguar se problemi kryesor nuk është dhuna e “burrit ndaj gruas” por dhuna e “të fortit ndaj të ligut”.