“Mos duroni për hatër të fëmijëve” - 37 vjeçarja që i dha fund dhunës ndaj saj dhe po i rritë e vetme dy vajza - NACIONALE

“Mos duroni për hatër të fëmijëve” - 37 vjeçarja që i dha fund dhunës ndaj saj dhe po i rritë e vetme dy vajza

4 vjet më parë

nga Vullnet Krasniqi

Ajo është më e madhja nga 11 motrat e tjera dhe një vëllai të vetëm. Ka qenë “burrë i shtëpisë dhe njëkohësisht nanë e dytë ”, dhe ka jetuar peripecitë e tentimeve të shumta të babës dhe nanës së saj për tu bërë prindër të një djali.

“Kemi jetu në një fshat shumë të vogël, shumë të mirë, me një fëmijëri të lumtur. Me shumë e kam shiju kohën jashtë. Jemi 12 motra e një vëlla. Një familje e madhe, por e lumtur”, thotë tash 37-vjeçarja e cila gjendet qe 5 muaj në ''Shtëpinë e Sigurt në Gjakovë''.

Deri në vitin 2001 ajo jetonte në një fshat dhe pas shkollës fillore u bë krahu i djathtë i nanës.

“Ajo çdo vit e kish nga një vajzë. Ajo donte ta bëntë një djalë”, rrëfen ajo. Krahu i djathtë i shpisë, ka nënkuptuar edhe përfundim të eksperiencave tjera pos punëve në shtëpi dhe më pas puntë tjera në shtëpinë e bashkëshortit që “e kishin martuar me mësit”.

“Muzikë nuk kam ngu, filmat më kanë pëlqy shumë”, rrëfen ajo. Prej filmave, do të krijonte edhe një ide të një familje të saj, ku ajo do të ishte nënë me një profesion, që do ta bënte të ndihej e fuqishme, pas gjithë dhunës që ka përejtuar.

“Kurdo që të vdes, vdes me andrrën time për me u bo police. Gjithë kam dashtë me u bo police, me u ndje e fuqishme”, rrëfen gruaja e cila ka mesazhe dhe sugjerime praktike për ato gra që janë duke përjetuar dhunë dhe nuk e dinë si të reagojnë ose çfarë veprime të ndërmarrin. Kjo është aryseja kryesore pse rrëfimi i saj vlenë shumë.

Lajme të ngjashme